Lamtumirë hije e moçme!

Apr 21, 2021 | 9:38
SHPËRNDAJE

BALIL GJINI

balil-gjini-720x415

Ke qenë një zhgënjim i madh për të gjithë. I dehur nga parfumet e pushtetit, ti ke qenë në këtë tokë të varfër një lloj Neroni që tallej e zbavitej me gjithçka. I provove të gjitha. I bindur se virtyti mbërrihet nëpërmjet vesit, tashmë je kokrra e fikut e pjekur dhe e rreshkur që s’ka fat tjetër, veçse të bjerë në tokë dhe ta shqyejnë me hare pizhivudat. Roli i fundit që ke dashur të luash në jetë ishte ai i aktorit. Por, ajme, sepse skena ku u ngjite ishte ajo e cirkut. Me fytyrën e lyer e llangosur me boja (sa shumë boja ke derdhur në jetë, o i uruar!), ti more përsipër rolin e palaços që nxjerr nga mëngët e këmishës fabrika, aeroporte, ishuj… Po ku janë?, pyesnin njerëzit. Dhe, ti, si një magjistar i sapodalë nga shishja, thërrisje tymrat e propagandës së TV-ve, dhe mes tyre shfaqeshin imazhet e tyre fantazma. Njerëzit duartrokisnin. Po ne e dimë mirë: sapo mbyllej perdja, ti i nxirrje gjuhën asaj turme që të duartrokiste.

LAMTUMIRË HIJE E MOÇME!

Tashmë je thjesht arrëza sterile që po mbytet në shurupin e entuziazmit të vet, mbase e vetmja gjë e ëmbël në zeherin e përgjithshëm. Ne të tjerët do të donim prej teje të kishe bërë ndonjë gjë të hajrit, ose së paku qoftë dhe ca metra rrugë. Dhe po të them se ato metra rrugë mund t’i përdorje si litarë shilarëseje për t’u kolovitur prej gëzimit. Por ajme se në fund të mandatit tënd s’ka as rrugë, por veç rripa për të shtrënguar barkun.

I bezdisur nga njerëzit e mençur të këtij vendi – intelektualë, artistë, gazetarë – ti vendose marrëdhënie të drejtpërdrejta me turmat, edhe pse me siguri e di sa të rrezikshme janë ato. Turmave, për shembull, imazhi i rrugëve që s’u bënë kurrë, mund t’iu shfaqej si konopë litari, litar të cilin, saje instinktive të tyre primitive – Zoti na ruajt – mund ta lidhin në degën e një peme: për të varur veten, apo të tjerët.

LAMTUMIRË HIJE E MOÇME!

Gjithçka që u prek nga ti, u përlye dhe u përdhos. Vetë fjala rilindje. Po ashtu emrat e Konicës dhe Nolit, që mëtoje se i kishe mësues. Medet! E vetmja frazë që do të hyjë në panteonin e turpit është ajo që shqiptove para ushtarëve turq në Ankara: Merhaba asqerë! (Mirëmëngjesi ushtarë!). Sigurisht, u krekose si të ishe një mal. S’ke si ta dish se mali është një humnerë me kryet e ngritur lart, ashtu si dhe një humnerë s’është veçse një mal me kokë poshtë. Po ne dimë edhe tjetrën: kapardisje jote është paguar shtrenjtë dhe nesër mund ta shohim si një gungë mbi kurrizin e atdheut. Si gungë deveje. Sepse fjalët që përdor ti janë si devetë: kanë më shumë gunga në kurriz se ato, me qëllim që të të rrëzojnë më shpejt.

Në fillim të mandatit the se fjala e qeverisë është puna, ashtu si puna e opozitës është fjala. Por në dyshemenë e magazinave gjigante të fjalimeve të tua do të mbeten ca gollovezhga arrash boshe, ca lëvozhga bizelesh që tunden në erë, sepse u kanë rënë kokrrat. S’kanë thelpinj, s’kanë përmbajtje. Kaq. Dhe ata që do të vijnë më vonë, kur të shikojnë gjithë atë kalupi me gollovezhga, do të thonë të çuditur. Ky që ka bërë kaq batërdi në fjalë ka qenë kryeministër, apo ketër me lëkurë arushe?

LAMTUMIRË HIJE E MOÇME!

Harta e Shqipërisë ka qenë për ty një lloj kanavace. E shtrije, e zgjatje, e mblidhje shuk, për të hedhur në të trillet e tua të çmendura. Për ta gjykuar një politikan, thotë Barthez, duhet të shikojmë distancën që ndan të thënët nga të bërit. Dhe kjo, për hir të së vërtetës, te ty është humnerore. Je sjellë para turmave si engjëll, kur brenda shpirtit të vlojnë forcat e së keqes, të xhindit. Shfaqet e tua surrugato e kanë humbur freskinë, sepse ajo që i mban ato të tilla, gënjeshtra, është mall me afat të shkurtër skadence. Me vete në këto thiatro para turmave, ti mban gjithmonë një shishe me ujë. Si xhind që je, ke bërë shumë dëme, por edhe xhindet e kanë një sekret: t’u dish formulën magjike dhe t’i mbyllësh në shishe. Me vete në ato thiatrot para turmave ti mban gjithmonë një shishe me ujë. Ka ardhur koha t’ia hapim vetë kapakun, të të ndjellim për t’u futur në të dhe të mos dalësh më kurrë. Data jote është prerë: 25 prill. Lamtumirë hije e moçme!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura