Lamtumirë Drobonikut, artistit që realizoi mozaikun e Muzeut Historik Kombëtar

Feb 12, 2020 | 14:07
SHPËRNDAJE

Artisti Josif Droboniku

ANASTAS KOSTANDINI “TASO”

Josif Droboniku, i cili u nda nga jeta para pak ditësh, është një artist shumëdimensional, që sigurisht do zërë vendin e merituar në historinë e pikturës shqiptare të shekullit XX-XXI. Në shumëllojshmërinë e temave dhe teknikave që ai trajtoi, një vend të veçantë ka zënë tematike historike dhe ajo fetare – ikonografike. Me veprën e tij të dendur dhe të bukur, lavdëroi Zotin dhe kombin e tij. Si një mozaicist i rrallë, Josifi bëri të mundur të pamundurën me këtë teknikë sa të lashtë dhe bashkëkohore njëherësh, duke lënë kështu një gjurmë të pashlyer elokuence dhe bukurie të rrallë të figuracionit human.

Himnizimi i historisë sonë kombëtare në episodet më madhore të saj buronin natyrshëm prej dorës së tij. Faqja tjetër e monedhës së tij të artë artistike u bë sakraliteti dhe arti i shenjtërimit, përmes figurës biblike, sipas traditës bizantine të krishterimit ortodoks. Dekorimi i shumë kishave (mbi 60 kisha) në Italinë fqinje, të tronditin me sipërmarrjen artistike, që vetëm një Josif dinte ta bënte.

fasada-e-muzeut-historik-kombc3abtar-pas-dc3abmtimeve-tc3ab-fundit-718x450

Ndoshta kryevepra e këtij drejtimi artistik, me të cilën Josifi u identifikua, është pa dyshim mozaiku i madh në kishën Katedrale “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, ku fytyra e Krishtit të shtang dhe të lë pa gojë. Pra, një mozaicist gjenial që me laboratorin e tij “Arbërart” sfidon sipërmarrjet gjithandej Ballkanit. Artisti Dobroniku ishte piktor i tablove kompozicionale shumëfigurëshe, ndërtues i shqyteve heraldike dhe stemave glorioze arbërore. Grafist, ilustrues, pllakatist festiv, dekorator dhe mjeshtër i ornamentikës së aplikuar, ai ishte i pranishëm në median e shkruar, në posterat e Kinostudios të filmit artistik, në manifestimet e ndryshme masive popullore.

Gjithashtu, Josifi ishte një dekorues edhe arkitekt interierësh publikë familjarë dhe veçanërisht i atyre sakrale-fetare. Përpara viteve ’90, ai spikati jo vetëm si një piktor mozaicist me të ardhme, por, veçanërisht në pikturën e kavaletat në përmasa afër monumentalitetit, kryesisht në telajo. Përmendim këtu “Kuvendin e Lezhës”, me figurën e Skënderbeut në qendër e shumë vepra të tjera, të realizuar në këtë periudhë, si mozaiku “Drejt jetës”, në Institutin e Lartë Bujqësor, Tiranë (1983); piktura murale në Muzeun Historik, Lushnjë (1987), piktura murale në hotel “Korabi”, në qytetin e Peshkopisë (1988) etj. Prirja e tij e kahershme ka qenë figura e aplikuar në sipërfaqe të mëdha murale. Josifi e kishte gjetur veten në këtë gjuhë dhe me ketë gjini (mozaikun) mbrojti diplomën në vitin 1977. Rasti i tij i fortë ishte mozaiku i madh i Tiranës në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar.

Josif Droboniku, mes artistëve që realizuan mozaikun e Muzeut Historik Kombëtar

Të gjithë ne, në vitin 1979, ishim fort të rinj, kur u thirrëm për të krijuar dhe realizuar një vepër në përmasa kolosale dhe të një rëndësie historike, tash dhe me peshë identitare, ndonëse të talentuar dhe me vepra të treguara si premtuese, asnjëri nga grupi ynë prej 5 artistësh nuk ishim të specializuar në teknikat e mozaikut të aplikuar. Si garanci dhe provë për bërjen e një punimi të tillë mbi një ndërtim, sikundër ishte Muzeu Historik Kombëtar, u mor në konsideratë aftësia e provuar e dy shokëve tanë të grupit: Josif Droboniku, por dhe e Agim Nebiut, që gjithashtu kishte fituar eksperiencë si mozaicist (Hotel Tirana, ambienti i kafes, kati i parë). Në fakt, historia e mozaikut “Shqipëria” u mbetet detyrë e studiuesve dhe historianëve të artit shqiptar të zbardhin kompleksitetin dhe paradokset, që shoqëruan punën dhe gjendjen tonë në ato vite të izolimit komunist. Por dua të flas pak për Josifin e Liceut Artistik “Jordan Misja”. Shkolla artistike për ne të dy filloi në vitin 1968. Një vit më parë ishin prishur kishat dhe xhamitë me revolucionin e quajtur “emancipimi i vendit” dhe luftës kundër zakoneve prapanike.

Viti 1968 ishte dhe dalja e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës, gjë që krijoi një gjendje praglufte dhe përforcim të izolimit. Josifin e takova në Lice. Ai kishte ardhur me një muaj vonesë dhe me peripeci të shumta, për shkak të biografisë. Pas tij, duket se i fundit që do të pranohej atë vit në shkollë do isha unë, djali nga Pogradeci. Të dy kishim të njëjtin fat dhe andralla biografike, por më në fund hymë në atë derë të ëndërruar. Menjëherë u bëmë shokë dhe ndanim çdo gjë bashkë. Për më shumë, edhe prindërit tanë “problematikë” ishin miq me njëritjetrin. Ata merreshin me tregti dhe ishin besimtarë.

Megjithëse ne ishim në një klasë, për lëndën artistike ishim të ndarë në dy grupe, që mund të quhen dhe atelie. Unë isha me prof. Ferit Zelën, kurse Josifi me prof. Naxhi Bakallin. Ky i fundit, fort i njohur edhe si piktor e vizatues. Ishte fat për brezin tonë shkollimi dhe ajo botë mentale tejet pasionante ndër ato vite. Dilnim në fundjavë në peizazh. Shkonim vizatonim karaktere nga Pazari i Ri dhe debatet nuk mbaronin. Ne jetonim brenda mureve të Liceut plot ëndrra dhe humor.

Shtëpia jonë e dytë fort e dashur u bë Galeria e vjetër e artit, te rruga “Fortuzi”. Atje shikonim traditën e madhe të pikturës shqiptare nga Idromeno te Rrota, Kolombi, Mio, Reçi Zajmi, Buza, Kaceli, Xega, Paskali, Paço, Nikolla e shumë të tjerë. Në fakt, mjaft prej autorëve tash ne i njihnim personalisht dhe ishin mësimdhënës për ne. Gjithçka e ndiqnim me një zell të papërmbajtur. Salla e madhe e ekspozitave pranë Teatrit Popullor gumëzhinte nga rivalitetet dhe karakteret kapriçioze të artistëve të kohës. Pra, nuk mund ta imagjinoj edukimin tim pa shokun tim të dashur Josif. Ndanim çdo gjë bashkë… gjithçka. Vetëm dy herë në vit ktheheshim në shtëpi. Shtëpia për ne ishte shkolla dhe shoqëria jonë.

“Sifi”, si i thoshin të gjithë në atë kohë, ishte shpirti i shoqërisë për nga vitaliteti, humori, dinamizmi, intimiteti, ishte dhe një përfaqësues për ne në sensin më natyral. Një yll i shoqërisë ndër ato vite, si për talentin dhe figurën e tij njerëzore shumë simpatike dhe komunikuese. Pra, edhe kur profesorët tanë nuk ishin me ne, mësimi jepej nga njëri-tjetri si në një shkollë paralele. Sifi shquhej si një vizatues virtuoz dhe i lindur. Ai deshte format dhe luante me to. Pastaj vinin kuptimet. Pikturonte me ngjyrë dhe kërkonte ekuilibër mes formës dhe ngjyrës. Ai ndryshonte pak nga “Bakallistët” dhe nuk donte të ishte plotësisht në ndikimin e profesorit të tij të pikturë-vizatimit, i njohur për edukatën e fortë e të specifikuar. Ngjyra e pastër dhe dekorative deri në ornament, ruajtja e rrafshësisë së tablosë dhe refuzimi i thellësisë dhe “gropave” në tablo, si dhe vizatimi delikat me ndihmën e kontureve pa dritëhije të fortë, ishin ato që i karakterizonin shpesh “Bakallistët”.

Në fakt, Josifi ka përfituar shumë nga esenca dhe estetika e mësimdhënies së prof. Naxhi Bakallit. E kam ndarë më pas me shokun tim këtë temë. Ai e pranonte dobinë e profesorit të tij, me një rol vendimtar për të ardhmen artistike të mëtejshme. Koha tregoi që një monumentalist si Josifi, me një vepër shumë të pasur dhe të madhe, ishte mirëedukuar dhe përcaktuar për të mos pasur dilema dhe pengesa që do të ngadalësonte ritmin realizonjës.

D.m.th., ruajtja e dekorativitetit dhe rrafshësisë murale, vizatimi esencial i formave dhe shumëfigurshmëria gati skulpturale, duke respektuar dekorativitetin koloristik si çelësin magjik të rregullimit të kompozimit, janë të trashëguara që në vitet e Liceut Artistik dhe më tutje, duke u thelluar në Institutin e Arteve me të tjerë profesorë të nderuar. Të gjitha principet e arteve të mëdha klasike, realiste, impresioniste, artet dekorative dhe ato popullore na u edukuan fort dhe pastër. Nuk duhet konfonduar aspak arti i asaj kohe vetëm si një tabelë qitjeje.

Në nënshtresat e veprave të asaj epoke lëvrinin të gjitha ëndrrat dhe liritë. Kjo ndodhte me jetën e njeriut, jo me të artistëve. Dhe Josifi ishte personifikimi i njeriut të vërtetë, aspak hipokrit, por të drejtpërdrejtë. Një njeri fort i lirë në kuptimin e vërtetë dhe real dhe në rrethana të vështira. Pra, mënyra si u edukuam artistikisht na përgatiti dhe për ndryshimet e ardhshme. Institutin e Lartë të Arteve e filluam më 1973, viti i fundit i një pranvere liberale në mes të acarit komunist.

Biblioteka e Institutit filloi të vjetrohet nga frekuentimi i studentëve dhe interesi ynë për të njohur artin modern. Shoku im, Josifi, vazhdonte plot ngulm të vizatonte dhe krijonte dhe rikrijonte sipas natyrës, por dhe sipas mjeshtërve. Kishte ndjeshmëri për kubistët dhe pikturën metafizike italiane: Leger, Pikaso, Cezanne, Gutuso, piktorët muralistë meksikanë me Rivierën dhe Sikueros. Ai i përkthente detyrat e kursit si të mundshme për t’u aplikuar në rrafshe murale. Shikonte në ato modele jo thjesht karakteristikat e pikturave, por dhe magjinë e vëllimeve dhe marrëdhënien e pavarur të formave. Kërkesa për formën prevalonte përpara kuptimeve dhe subjektit. Sifin e imagjinoja shpesh dhe si një skulptor të suksesshëm, pse jo dhe si një arkitekt.

Një tipar tjetër i qenësishëm ishte dhe ndjeshmëria dhe dashuria e tij për muzikën. Ai këndonte shumë bukur mes shoqërisë. I shpenguar dhe trillonjës gazmor, kënaqej mes shoqërisë së tij të shumtë. Si shume shqiptarë të tjerë, edhe Josifi emigroi në Itali dhe pikërisht në rajonin e arbëresheve, pra në njëfarë kuptimi nuk e braktisi atdheun, pasi u vendos për mbrojtje të familjes dhe të artit të tij në një vend ku jetonin shqiptarët. Të shumta janë kishat e ritit bizantin në rajonin e Lungros në Kalabri, që janë dekoruar hijshëm nga dora e mjeshtërve Josif dhe Liljana Droboniku.

Ai së bashku me gruan e tij të dashur Liljana, në një bashkëkrijim shembullor, arritën të krijojnë një gjerdan të shenjtë si dëshmi të artit shqiptar. Me veprën e tyre hyjnore shpaguan shumë nga papërgjegjshmëria dhe dalldia që shqiptarët kanë bërë në Itali gjatë këtyre tridhjetë vjetëve. Një imazh ekselence, qytetarie dhe dinjiteti karakterizon veprën dhe jetën e Drobonikëve jashtë vendit. Ndër ato vise arbëreshe plot kulturë dhe tradita të larta qëndrojnë me dinjitet veprat murale të tyre, duke ndërthurur dhe thelluar kështu praninë tonë kulturore përtej Shqipërisë sonë. Drobonikët kanë ç’të tregojnë, jo vetëm tash, por dhe në të ardhmen, pra atë që mundën të bëjnë me ndihmën e Zotit për Shqipërinë dhe emrin e tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura