Lamtumirë çokollatë! Po tani si i bëhet?!

Nov 24, 2014 | 14:10
SHPËRNDAJE

Willy Wonka është i dëshpëruar. E gjithë bota e tij duket se do të përmbyset. Edhe e jona! Ushqimi që askush prej nesh nuk do të refuzonte, çokollata (madje me justifikimet më të mira, është antioksidant, antidepresiv…anti, anti) po merr fund.
O më mirë thënë, sot, konsumohet më shumë çokollatë nga ç’prodhohet. Në vitin 2013 kemi ngrënë 70 mijë tonelata çokollatë dhe nëse vazhdojmë kështu, në vitin 2030 sasia e konsumuar do të jetë 2 milionë tonelata. Ky ka qenë alarmi i parë i lançuar ditëve të shkuara nga qendrat ndërkombëtare “Mars Inc” dhe nga “Barry Callebaut”, qendra këto që janë prodhueset më të mëdha të çokollatave në botë.
Kanë për çfarë të shqetësohen sepse pasojat janë lehtësisht të imagjinueshme: çmimi i kakaos që në 2007 ishte afërsisht 2 mijë dollarë për tonelatë, në gusht të këtij viti, 2014 pra, arriti shifrën e 3 mijë dollarëve. Ndërkaq, vazhdon të rritet. A mund t’ia lejojmë ende vetes një tortë Sacher?!
Shifrat që ju përmendëm janë të Europës, nëse e doni më të lokalizuar, të Italisë. Por nëse provoni të lëvizni në plantacionet e kakaos në Afrikë (prej andej vijnë 70% të farave të kakaos që përdoren për ëmbëlsirat e Europës) është pyetur pastiçeri par exellance, mbreti i çokollatës, Ernst Knam

Si mund të zgjidhet problemi?
Unë po e them prej 10 vjetësh, nuk është lajm i ri për mua: kur kinezët të kuptojnë sesa e mirë është çokollata “e hëngrëm” të gjithë. Imagjinoni pak çfarë mund të ndodhë nëse çdo kinez nis të konsumojë 1 kg çokollatë në vit, pasi të bëni këtë llogari, shtoni edhe rusët dhe indianët…
Skenar çarmatosës. Si i bëhet?
Më e keqja, do të presim parajsën që është e bërë sigurisht prej çokollate.
Nuk shqetësoheni?
Jo, çokollata nuk ka për të marrë fund dhe nuk jam i shqetësuar madje as për ngritjen e çmimit, sepse do të varet gjithnjë nga si punohet. Unë, për shembull, nuk i kam rritur çmimet. Ama jam i shqetësuar për plantacionet. Fshatari që zgjedh të kultivojë kakaon duhet të presë 4-5 vite për të marrë të korrat e para dhe produktiviteti i një peme nuk është i madh. Pra, fshatarët me plantacionet e kakaos nuk do të fitojnë më. Dhe në fakt kanë filluar t’i braktisin për bananet apo gjëra të tjera. Tani, për fat industritë e mëdha po investojnë te plantacionet. Them për fat sepse është e drejtë që fshatarët të paguhen me çmim të mirë për një produkt bazë kaq të çmuar. Kultivimi është si ingranazhi i parë i një makinerie, thelbësor dhe duhet të fitojë shumë më shumë se hallkat e tjera.  
Atëherë pse i gjithë ky alarm?
Eh, përpara së gjithash, sepse duhet të justifikojnë rritjen e çmimit.
A do të hamë çokollatë në të ardhmen?
Gjithmonë e më shumë, jo vetëm për arsye të industrive të reja por sepse sa më shumë krizë ekonomike apo psikologjike ka, aq më shumë çokollatë konsumohet. E shoh këtë gjë kur vijnë te unë në pastiçeri, mjafton një kafshatë e vogël dhe ndryshojnë menjëherë fytyrë. Me 10 gramë çokollatë, janë më të gëzuar.
Të bën më të gëzuar çokollata? Ndikon në gjendje?
Të jep një ndjesi euforie, por mbi të gjitha i bën mirë shëndetit. Një studim australian ka treguar se nëse një person i rritur do të hante çdo ditë 8 gramë çokollatë me 70% kakao, do të ulte në 25% rrezikun e infarktit… përveçse është një afrodiziak shumë i mirë.
Cila është mënyra më e mirë për ta konsumuar?
Me krem qumështi të montuar, luleshtrydhe, shampanjë dhe një grua të bukur.
Cili është përbërësi i ri që përdoret në çokollata?
Përdorimi i erëzave nuk është i ri, por mundet që gjithnjë të rinovosh shijen me të tjera.

Sallam çokollate dhe amaretash
Përbërësit:
400 gr biskota të thata
200 gr amareta me shije bajamesh
200 gr gjalpë
2 vezë
1 gotë e vogël me liker
400 gr sheqer
100 gr kakao e hidhur

Përgatitja:
Së pari shkrini në banjë mari gjalpin dhe pasi të jetë ftohur pak shtoni në enë të gjithë përbërësit e tjerë. Kujtojmë që biskotat e amaretat duhet të jenë të thërrmuara si në enën në fotografi. Përziejini mirë me duar gjithë ç’hodhët në enë dhe punojini fort derisa t’i jepni formën e një shufre sallami. Brumi duhet të jetë mjaft i ngjeshur në mënyrë që të mos thërrmohet o shpërndahet gjatë prerjes. Pasi të keni bërë këtë, mbështilleni mirë me qese kuzhine dhe përpara se ta shërbeni, vendoseni në frigorifer për të paktën 2 orë.

[email protected]
Dërgoni recetat tuaja!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura