Lamtumira e fundit për Teodor Laçon, amanet të varrosej në Korçë

Oct 17, 2016 | 7:57
SHPËRNDAJE

Ai ishte miku i të gjithëve. Me një buzëqeshje që nuk i ndahej nga buza, shtati i lartë dhe flokët e zbardhur që herët, shpërndanin një ndjesi mirësie, që e kuptoje menjëherë, edhe pse mundet të mos e kishe njohur kurrë.

Teodor-Laco

Dhe ikja e një njeriu të tillë, pa dyshim që shkakton një boshllëk të dhimbshëm. Këtë e treguan dje, me qindra veta, që hynë me kryet ulur, për t’i dhënë lamtumirën e fundit. U zhvilluan dje në hollin e Ministrisë së Kulturës homazhet në nderim të Teodor Laços, shkrimtarit e politikanit, që u nda nga jeta mëngjesin e së shtunës.

Shkrimtarë, kineastë, politikanë, ish-deputetë, që ndanë së bashku “betejat” politike të kohës, njerëz të njohur e të panjohur, kolegë të tij apo të të dy djemve, iu drejtuan ish-Kinostudios, për t’u ndarë për herë të fundit me një mik, por edhe për t’u shtrënguar dorën dhe për t’u thënë dy fjalë të sinqerta ngushëllimi Pandit dhe Bledit, bashkëshortes së tij, Mirianës, e cila nuk i mbante dot lotët, si dhe gjithë të afërmve që pritën në këmbë njerëzit që hynin e dilnin gjatë një ore homazhesh.

Çdonjëri prej të pranishmëve do të kishte diçka për të ndarë nga kujtimet me Teodorin: politikanët, kolegun e urtë dhe njeriun që kontribuoi në vitet e para të demokracisë shqiptare; kineastët bashkëpunimet në filmat e tyre të suksesshëm; kolegët shkrimtarë vlerësimet dhe këshillat që u jepte në fushë të shkrimtarisë…

Për regjisorin Vladimir Prifti, i cili ka bashkëpunuar me të në filmat “Dhe vjen një ditë”, “Flutura në kabinën time” dhe “Butrinti”, Laço ka lënë kujtime të mira jo vetëm si shkrimtar e skenarist, por edhe si ministër i Kulturës dhe si deputet.

“Ishte i vetmi që ngrinte probleme të kulturës në Parlamentin shqiptar të kohës, kur ai ishte deputet”, thotë Prifti. Ndërsa shkrimtari Ylljet Aliçka ruan në kujtesë se si Teodor Laço e ka nxitur të shkruajë tregimin e tij të parë “Parullat në gurë”, të cilat ai më pas ia korrektoi dhe sot e kësaj dite ai ruan dorëshkrimin me shënimet e Teodorit.

Mendimi i të gjithëve ishte se ai iku i nderuar dhe i meritoi të gjitha ato duartrokitje që mori, kur arkëmorti i tij, mbi supet e të bijve, doli nga holli i Ministrisë së Kulturës, për të marrë më pas rrugëtimin drejt banesës së fundit. Sipas amanetit të fundit, trupi i tij do të prehet në Korçë, lidhjet me të cilën nuk i ndërpreu asnjëherë, ku pëlqente të kalonte ditë mes dëborës, e që herë pas here del si një personazh në librat e tij.

SHKRIMTARI E POLITIKANI

Teodor Laço lindi në 29 shtator të vitit 1936 në Dardhë të Korçës. Emrin e tij mbajnë shumë romane, novela, përmbledhje me tregime, drama, komedi, skenarë filmash artistikë dhe dokumentarë. Një pjesë e librave të tij janë përkthyer e botuar edhe në gjuhë të huaja.

Ndërkohë që pas viteve ’90 ai u angazhua edhe në jetën politike të vendit. Për 12 vjet ka qenë deputet, ka qenë ministër Kulture dhe ambasador në Federatën Ruse. Laço mbetet, së pari, një lëvrues i suksesshëm në letërsinë shqiptare në disa gjini, që për më se 50 vjet i dhuroi asaj më shumë se 50 vepra.

Ai lëvroi prozën e gjatë e të shkurtër. Te kjo e fundit mund të përmendim “Rruga e Bardhë”, “Një natë shiu”, “Ajri i Ftohtë i Mesnatës”, “Portat e Dashurisë”, “Pylli në Vjeshtë”, “Vdekja e Nëpunësit X” etj., mbeten modele krahasuese e referuese në prozën e shkurtër shqiptare. Emrin e tij mbajnë romanet “Tokë e Ashpër” (1971), “Përballimi” (1975), “Lëndina e Lotëve”, “Të gjithë lumenjtë rrjedhin” (1985), “Pushimet e Kolonelit” (1990), “Një vit i hidhur” (1995), “Gropas 67”, “Mjegull” (2009) etj. Pjesë integrale e krijimtarisë letrare të tij janë dramat dhe komeditë e shumta e po aq të suksesshme. Kujtojmë veprat “Shtëpia në rrugicë”, “Një nuse për Stasin”, “Gjëmimi i atij dimri”, “Qyteti i akuzuar”, “Shi në plazh” etj.

Në lëmin e kinematografisë, Teodor Laço cilësohet si një prurës autoritar i disa prej skenarëve artistikë, mbi të cilët u realizuan një sërë filmash me prirje të reja regjisoriale e artistike, si “Përballimi”, “Dhe vjen një ditë”, “Flutura në kabinën time”, “Vitet e pritjes”. Laço ka dhënë kontributin e tij edhe në publicistikë.

Midis tyre libri “Një dritare në Kremlin”, një pasqyrë e angazhimit të tij serioz në realitete të reja të zhvillimeve politike të Shqipërisë postkomuniste. Si një prej intelektualëve antikonformistë, që paraprinë me krijimtarinë e tyre vizionin për nevojën e ndryshimeve politike e shoqërore kah demokratizimit të vendit, ai u përfshi në proceset e krijimit të pluripartitizmit në krahun liberal demokrat, fillimisht si një prej themeluesve e drejtuesve të Partisë Social-Demokrate dhe më pas si krijues e drejtues për 10 vjet i Partisë Bashkimi Liberal Demokrat.

Gjatë kësaj kohe (1997-2005), ai zgjidhet deputet i Parlamentit shqiptar. Midis viteve 1994-1997 emërohet ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe më pas, 2006-2008, e gjejmë si ambasador të Shqipërisë në Federatën Ruse. Për kontributin e tij intelektual, krijues e veprimtar, Teodor Laço mban Urdhrin “Naim Frashëri të Klasit të Parë”, “Çmimin e Republikës”, si dhe emblemën “Qytetar Nderi” i Qarkut të Korçës.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura