Lame: Si do hipotekohen ndërtimet e pas 2009

May 21, 2015 | 14:46
SHPËRNDAJE

Pjesë e procesit të pajisjes me leje legalizimi do të jenë edhe familjet që kanë ndërtuar pas vitit 2009.

KREU I ALUIZNI-t, ARTAN LAME

Bëhet fjalë për objektet në tokë shtet dhe tokë me pronarë, pasi ata që kanë ndërtuar në tokën e tyre nuk u penalizuan në sajë të ndryshimeve që iu bënë ligjit rreth një vit më parë. 

LIGJI I RI
Gjatë ndarjes së lejes për qytetarët e Njësisë Bashkiake numër 2 në kryeqytet, kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, komentoi për herë të parë nismën e re ligjore të qeverisë për amnistimin e kësaj kategorie. “Sa i takon objekteve të pas vitit 2009, siç edhe e dini, javën e kaluar kaloi në qeveri projektligji për disa ndryshime të tjera në ligjin e legalizimeve për përfshirjen e kë- tyre ndërtimeve në proces dhe jam i bindur që edhe këtu ka nga ata që kanë ndërtuar pas 2009”, tha Lame.

Janë rreth 60 mijë familje që përfitojnë drejtpërsëdrejti nga heqja e fashës, e cila shënon edhe iniciativën e dytë ligjore të ndërmarrë në harkun e më pak se 12 muajve.

REGJISTRIMI
Qytetarët do t’i nënshtrohen të njëjtave procedura, sakaq mundësi aplikimi do të kenë edhe për ata që nuk e kanë bërë ende vetëdeklarimin. Toka do të paguhet me të njëjtat lehtësira dhe reduktime që parashikon ligji i ri i legalizimeve, duke filluar nga llogaritja e truallit me gjysmën e vlerës së tregut, pagesa me bono privatizimi, zbritja me 20% për pagesat e menjëhershme, si edhe reduktimi me 10% të tjera të faturës për ata që paguajnë rregullisht dritat. Ndërkohë pas marrjes së lejes nga ALUIZNI, lind e drejta për regjistrimin e pronës në Hipotekë.

Por këtu duket se qëndron edhe problemi më i madh, me të cilin ndeshen qytetarët. Marrja e tapisë vështirësohet prej mungesës së një regjistri kombëtar elektronik me statusin e çdo pronë. Sipas Lames, një ngërç i tillë është i pranishëm edhe në zonën e Saukut. “Kemi një problem, i cili pa diskutim është në rrugën e zgjidhjes. Është problemi i trashëguar me Hipotekën sepse prej 15 vitesh nuk arrijnë të hedhin në sistem zonën kadastrale që përfshin kjo manibashki, duke e bërë të pamundur avancimin e legalizimeve në ritmin që duam. Por ajo çfarë mund t’ju them është se jemi duke e zgjidhur problemin me Hipotekën”, tha më tej Lame.

Minibashkia numër 2, e njohur si zona e Saukut, ka rreth 6 mijë ndërtime pa leje, nga këto në 2057 prej tyre, tha Lame, është trokitur derë më derë, janë kryer matjet, janë përpiluar skicat dhe është gati dosja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura