“Gjysma e tokave me 7501 janë pa letra, do mbyllim legalizimet”

Dec 5, 2018 | 18:07
SHPËRNDAJE

ERVIN KOÇI/ Kryetari i Agjencisë për Legalizimin, Urbanizimin dhe Integrimin e Zonave dhe Ndërtimeve Informale, Artan Lame, deklaroi dje se procesi i legalizimeve në Shqipëri do të përfundojë brenda dy viteve të ardhshme.

artan-lame-698x450

Kreu i ALUIZNI-t ishte i pranishëm dje në mbledhjen e Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, ku prezantoi projektligjet e reja të qeverisë që trajtojnë procesin e pronësisë në Shqipëri, atë “Për Kadastrën” dhe “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë”.

LEGALIZIMET

Kreu i ALUIZNIT foli në Komisionin për Procesin e Legalizimeve në Shqipëri. Sipas Lames, deri më tani janë dhënë rreth 165 mijë legalizime, por për të përfunduar të gjithë procesin do të kërkohet një hark kohor për rreth 2 vjetësh, pasi janë ende në proces 60 mijë objekte të tjera informale që presin të legalizohen. “Janë bërë 165 mijë legalizime nga 227 mijë objekte të legalizueshme. Pjesa e mbetur, që është rreth 60 mijë, do të vazhdojë dhe me këto ritme dhe brenda 2 vjetëve përfundon procesi i legalizimeve”, u shpreh kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame.

7501

Gjatë prezantimit të projektligjit, Lame foli edhe për ligjin 7501. Lame theksoi se deri më tani janë hasur një sërë shkeljesh gjatë zbatimit të ligjit si edhe një sërë problematikash për regjistrimin e pronave të marra në përdorim. Kreu i ALUIZNI-t theksoi se vetë Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme nuk ka të dhëna të sakta për numrin e titujve të pronësisë të dhëna për tokat e marra në përdorim nga ligji 7501. “Ligji do të rregullojë funksionimin e AMTPve, thënë ndryshe Akti i Marrjes së Tokës në Përdorim për të kaluar në pronësi, ku deri tani kanë përfituar rreth 438 mijë familje fshatare, me procesin e 7501, me ligjin e ndarjes së tokës, përfshirë kooperativat bujqësore dhe ndërmarrjet bujqësore, nga të cilat rezultojnë rreth gjysma ende të paregjistruara në ZRPP, në Kadastër.

Shifër të saktë për këtë nuk ka askush për shkak të vetë strukturës së ZRPP, që nuk e ka të informatizuar të gjithë sistemin, por është arritur deri në konkluzionin se gjysma janë të regjistruar dhe gjysma të paregjistruar në ZRPP, pra, kanë Aktin e Marrjes së Tokës në shtëpi, por nuk e kanë të regjistruar. Ky është një nga problemet më vrastare të tokës në fshat, që pengon të gjitha proceset e tjera, shitblerjes mes vetë fshatarëve, marrjes së kredive e kështu me radhë. Përveç këtyre, janë edhe rreth 20 mijë familje, që kanë rënë pak për shkak të impenjimit të qeverisë vitin e fundit, për ta mbyllur si proces, që nuk janë pajisur me AMTP, pra, hallkën e parë për të shkruar më pas te regjistrimi”, vijoi drejtori i ALUIZNI-t.

PROBLEMATIKA

Në fjalën e tij në komision, kreu i ALUIZNI-t theksoi se në Shqipëri janë 4.4 milionë tituj pasurisë të paluajtshme dhe nga këto 3.8 milionë janë pajisur me certifikatë pronësie. Por kreu i ALUIZNI-t theksoi se nga verifikimi, dhëna e certifikatave të pronësisë për 3.8 milionë pasuri të paluajtshme ka rezultuar me probleme, ku 2.5 milionë duhen riregjistruar.

“Kjo është reforma e pestë për pronën që bëhet në vend që nga viti 1912. Në vend ka 4.4 milionë pasuri të paluajtshme, prej të cilave 3.8 milionë janë të regjistruara dhe 600 mijë të paregjistruara. Por nga këto 3.8 milionë, 2.5 milionë kanë probleme që duhen riregjistruar nga e para. Të mbyllet njëherë e mirë kapitulli i pronës. Duhet të ndahemi përfundimisht nga periudha e tranzicionit në raportet me pronën dhe mbylljen e periudhës të shtetit-pronar që jep prona, ndan prona dhe kalimin në atë të shtetit administrator dhe mbrojtës të së drejtës së pronës midis qytetarëve. Procesi 24-vjeçar i regjistrimit të pronës ka qenë difektoz, është zvarritur për vite. Gjendemi me 4.4 milionë pasuri, nga të cilat 2.5 milionë rezultojnë me probleme. Legjislacioni i ri përmbyll njëherë e mirë proceset e pronësimit në Shqipëri, shteti përfundimisht mbyll kapitujt e pronës së vet dhe prona kthehet në një element zhvillimi, që transferohet nga njëri te tjetri jo më si dhuratë e shtetit, por si marrëdhënie ekonomike kapitaliste si në çdo vend normal të këtij sistemi”, tha drejtori i përgjithshëm i ALUIZNI-t, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve.

Projektligjet e reja të qeverisë parashikojnë shkrirjen e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Agjencisë për Legalizimin, Urbanizimin dhe Integrimin e Zonave dhe Ndërtimeve Informale. Këto projektligje parashikojnë hapjen e sporteleve në 61 bashkitë e vendit, ku qytetarët mund të aplikojnë për të marrë certifikatë pronësie. Këto kërkesa më pas do të trajtohen në 35 zyrat vendore të ZVRPP, ku është edhe materiali hartografik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura