Lajmi që xhindosi Koçi Xoxen: “Mark Gjon Markaj me 50 burra u fut në fshat e iku pa e kap…”

Aug 10, 2018 | 12:10
SHPËRNDAJE

Një raport i shkurtër i Spiro Panos dërguar Koçi Xoxes e ka xhindosur këtë të fundit pasi i shumëkërkuari nga komunistët, në mars 1946, Mark Gjon Markaj u kishte kaluar para hundëve forcave të Mbrojtjes bashkë me 50 burra, e kishte rrethuar mëhallën, kishte pushuar gjithë natën, kishte marrë edhe furnizime ushqimore në fshat e ishte larguar pa i hyrë gjemb në këmbë.

Marre nga Kujto.al/ Arkiva online e Viktimave dhe Krimeve të Komunizmit/

Në raportin e ngjarjes, Spiro Pano tregon imtësisht hyrjen e e Mark Gjon Markajt, datën 22 mars 1946, dy orë pasi kishte rënë mbrëmja , qëndrimin e tij deri në dy orë pa zbardhur dita e re, rrethimin e mëhallës me forcat e tij , dhe furnizimet që kishte mundur të merrte me vete.

markgjonmarku1

Informacionet tregojnë se komunistët e kishin zhvilluar më së miri rrjetin informativ, ama i frikësoheshin shumë Mark Gjon Markut dhe forcave të tij e nuk guxonin as ti afroheshin. Përgjigja e Koçi Xoxes tregon revoltë dhe vë në dukje se si duhet të kishte vepruar organizata komuniste për të ndihmuar forcat e Mbrojtjes. Më poshtë i botojmë të plota në “Kujto.al- Arkiva e Viktimave të Komunizmit” dy telegramet e shkëmbyera mes tyre.

(Në foto: Mark Gjon Markaj)

Nr. 233

24/III/46.

Koçi Xoxe

Më datën njëzet e dy mars dyzet e gjashtë në mbrëmje mbasi kanë shkuar dy orë natë, Mark Gjon Markaj me pesdhjetë të arratisur ka hyrë në mëhallën Ndër Shetiroshit mbasi ka okupue shtëpit e vendos rojet ka qëndruer deri dy orë pa dalë drita pastaj asht nisur, duhet të kenë marrë drejtimin fshatit, ka kërvënue katundarët e ka marrë bukë, djathë dy bagëti.

Ka thanë që Rusija e pat mbaroji, asht formue me ne Qeverija Shqiptare me të cilën kemi lidhje, Ballistat Zogistat po pergatiten për kryengritje, mbrënda dy ose tre muajvet fillon lufta e përgjithëshme.

Partija Komuniste nuk ka ma forca me dërgue në Mirditë. Na jemi me Anglo Amerikanët. Forcat janë nisur në ndjekje. Në lidhje me këto lëvizje ju kemi propozuar forcimin e reparteve ose dhe për krijimin e Kompanis shetitëse kundra Mark Gjon Markaj.

Spiro Pano

Nr. 24/I Res.

Komitetit Qarkor

SHKODËR

Në gjegje të radjogramit t’uaj Nr.233 dt.24.III.946.

Fakti që ju nuk jemi preokupuar nga dalja e Marka Gjonit në një fshat të Mirdotës me 50 veta tregon disinteresim.

E njëjta gjë shihet edhe tek Seksioni i Mbrojtjes.

Ju me këtë rast, në çast, duhet të kishit mobilizuar gjith organizatën për të ndihmuar në maksimum me informata forcat e Mbrojtjes dhe se edhe vetë p.sh. sekretari Politik duhet të shkonte për të ndihmuar shtabin që udhëheq forcat, me anën e organizatës, për çfarosjen sa më parë të tyre. Po këtë gjë duhet t’a bënte edhe shefi i mbrojtjes me kohë për t’i furnizuar me informata nga afër forcat operuese.

Prandaj i është dhënë urdhër gjith forcave ushtarake për t’u vënë në ndjekje të tyre porse organizata duhet të lozij rolin kryesor për të zbuluar bazat e tyre.

Bashkëpunimi i ngushtë midis jush e forcave ushtarake të jetë i plotë.

Na vini në korent të ngjarjeve.

Koçi Xoxe

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura