Lajmi për largimin nga puna, Llakaj: Jam në opozitë me çdo pushtet

Feb 28, 2016 | 8:35
SHPËRNDAJE

Parodia “Tiranës ç’i panë sytë”, një ironi e Agron Llakajt në “Al Pazar” ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, u shndërrua në “hit-in” e internetit javën që lamë pas.

Agron Llakaj
Agron Llakaj

Ndërtimi i parkut të lojërave pranë Liqenit Artificial nuk kaloi pa ironinë e Llakajt, i cili i është kundërvënë vendimit të kryebashkiakut me një këngë polifonike, sipas vijës melodike të këngës së njohur “Janinës ç’i panë sytë”. I shoqëruar nga aktorët e trupës, me të cilët Llakaj bën çdo të shtunë këtë spektakël, vargu “O Erion, djalë për së mbari, na dole dhe ti rrotë k***”.

Direkt pas popullaritetit të këngës, mediat shkruan se kjo këngë i kushtoi vendin e punës Llakajt, pasi kishte marrë një urdhër pushimi nga drejtuesit e televizionit “Vizion Plus”. Pak ditë më parë, Llakaj e mohoi këtë lajm duke deklaruar se asgjë nga çfarë ishte hamendësuar nga mediat sociale nuk ishte e vërtetë.

I pyetur nga gazeta “Panorama” në lidhje me këtë situatë, ai u përgjigj: “Çdo gjë e them në ‘Al Pazar”, kështu që s’kam çfarë të sqaroj më shumë, pasi ky është profesioni im.

I pyetur për konsideratën dhe çfarë mendon realisht për Erion Veliajn, përgjigjet: “Pse duhet të mendoj për Erionin, se s’e kuptoj?! Çfarë kam, i kam thënë atje ku kanë vendin, në ‘Al Pazar’. Unë kam edhe një kontratë morale me profesionin tim”.

Duke na lënë të kuptojmë se puna e tij në “Al Pazar” vazhdon normalisht dhe asgjë nuk ka ndodhur në kontratën e tij të punës me “Vizion Plus”, ai përgjigjet për numrat e ardhshëm që do të shohim në këtë show të të shtunave.

Pyetjes nëse do të vazhdojë me parodi të kësaj natyre dhe kush do të jenë personazhet e tjerë të politikës që do t’u këndojë këngë, apo do t’i bëjë objekt të parodive të ardhshme, ai përgjigjet: “Na ndiqni çdo javë në ‘Al Pazar’ e shikoni e dëgjoni. Profesioni im ky është: kripë dhe piper, ose Hosten”, duke iu referuar mesa duket revistës së famshme në kohën e komunizmit të humorit dhe satirës.

Që kur Llakaj nisi spektaklin në “Al Pazar”, ku moderatori shfaqet në momente kyçe i vetëm në skenë duke ndjekur formatin e “one man show”, flitet se ai vendos vetë për personazhet e politikës për të cilët bën ironi.

Në intervista që ka dhënë për “Panoramën” ka sqaruar se me humorin e tij ka bërë dhe do të bëjë gjithmonë opozitarin ndaj politikës në pushtet. Fakti që ai ka pavarësi dhe veto në punën e tij, bën që shpesh pjesët e humorit të jenë befasi edhe për vetë pronarin e televizionit ku punon.

Në lidhje me rastin e fundit, mediat sociale, duke iu referuar burimeve të tyre, shkruan se menjëherë pas show-t në “Vizion Plus”, Erion Veliaj telefonoi pronarin e televizionit, ku i kishte kërkuar shkarkimin e moderatorit Llakaj. Por Dulaku nuk kishte marrë vendim, sipas tyre.

Nga ana tjetër, Llakaj u shpreh se s’ishte fare në dijeni për të tilla lajme, dhe të gjitha këto i konsideroi spekulime. Kjo histori ka shkaktuar dhe shumë batuta dhe humor në rrjetet sociale.

Duke e marrë të mirëqenë pushimin e Llakajt nga puna, një nga komentuesit është shprehur: “Po si ka mundësi, Agroni ka 20 vjet që imiton Berishën dhe s’i ndodhi asgjë, një herë u mor me Erionin dhe iku nga puna?!”

KLOTILDA HARKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura