Lajmi i mirë, OSHEE: Çmimi i energjisë nuk do të rritet

Oct 18, 2017 | 13:40
SHPËRNDAJE

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë nuk do të kërkojë rritje të çmimit për vitin e ardhshëm.

Lajmin e mirë për qytetarët e dha dje gjatë konferencës për shtyp administratori i OSHEEsë, Ardian Çela. “Jemi duke bërë përllogaritjet tona dhe jemi të predispozuar që të mos kemi një rritje të tarifës. Kemi nisur procedurën standarde që kërkohet në bazë të rregullave për të bërë aplikimin, por aktualisht jemi në fillim të llogaritjeve. Qetësohuni. Nuk do të ketë rritje të çmimit”, u shpreh Çela.

adrian-cela-620x4321

Interesimit të gazetarëve nëse kompania do të kërkojë ulje të çmimit, administratori Çela iu përgjigj: “Kur të bëjmë aplikimin, do t’jua bëjmë me dije nëse ka ulje apo jo. Sepse kollaj është të thuash do të bëjmë ulje, por duhen bërë investime, duhen shlyer borxhe, duhet të mirëmbahet rrjeti që ka kosto”, tha Çela. Sot përfundon edhe afati i aplikimit për tarifat tek Enti Rregullator i Energjisë nga të tria kompanitë, OSHEE, OST dhe KESH. Për këtë vit, Enti Rregullator i Energjisë do të ndjekë një tjetër metodologji në përcaktimin e tarifave për energjinë. Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Petrit Ahmeti, i kontaktuar nga gazeta, pohoi se metodologjia është përmirësuar në përputhje me zhvillimet e tregut të energjisë. Kreu i EREs tha se përmirësimi i metodologjisë garanton tarifa sa më reale për qytetarët.

“Metodologjia e llogaritjes se tarifave është update-uar për shkak të zhvillimeve të tregut të energjisë. Fillimisht ka qenë një kompani që e blinte, e prodhonte dhe e shiste energjinë. Sot janë tri kompani, ku njëra e prodhon, tjetra e blen dhe e shet, siç është shpërndarja, dhe tjetra e transmeton. Mbi bazë e marrëdhënieve të këtyre kompanive, ka një përditësim të metodologjisë së llogaritjes së tarifave, e cila nuk mund të ndodhë kaq shpesh. Por kur ka nevoja, në kuptimin e zhvillimit të tregut, i cili tashmë për nga struktura është në zhvillim, për të arritur deri në fazën përfundimtare të metodologjisë sipas direktivave të Bashkimit Europian janë të nevojshme disa hapa dhe kjo përbën përditësimin e metodologjive të tregut të energjisë elektrike. Të gjitha përmirësimet bëhet për të garantuar një furnizim të qëndrueshëm dhe të pandërprerë të energjisë elektrike te konsumatorët dhe për t’u tarifuar me tarifa sa më reale”, u shpreh Ahmeti.

ERE ka afat deri në muajin dhjetor të marrë vendim për çmimin e energjisë së vitit 2018.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura