Atentat me armë zjarri në Shkodër, plagoset kushëriri i Bardhok Pllanajt i ekzekutuar një vit më parë (EMRI)

Apr 30, 2022 | 22:22
SHPËRNDAJE

Një atentat me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e sotme në zonën e Dobraçit në Shkodër. Panorama.al mëson se i plagosur ka mbetur Dedë Pllanaj, djali i xhaxhait të Bardhok Pllanajt i ekzekutuar një vit më parë në Shkodër.

dedepllanaj

I plagosuri është dërguar menjëherë në spital për të marrë ndihmën e parë. Ngjarja ka ndodhur pranë një pike karburanti në hyrje të aksit rrugor Shkodër-Koplik.

Dedë Pllanaj punonte si roje në këtë pikë karburanti. Mësohet se autorët kanë qenë me motor ndërsa kanë qëlluar me pistoletë dhe janë larguar. Në vendngjarje janë gjetur 7 gëzhoja plumbash.

Policia ka shkuar në vendngjarje për të hetuar teksa ka krehur zonën në kërkim të autorëve.

Shkodër/Informacion paraprak

Rreth orës 22:10, në lagjen “Dobraç” Shkodër, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri shtetasi D.P. 60 vjeç banues në fshatin Shtoj i Vjetër, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Shkodër nën kujdesin e mjekëve.

Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në hyrje – dalje të qytetit dhe vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorit/ve.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punon për identifikimin e autorit/ve zbardhjen dhe sqarimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Kush është Bardhok Pllanaj që u ekzekutua një vit më parë?

Bardhok Pllanaj, ose siç njihej me nofkën “Kumbari i Shkodrës”, u ekzekutua me breshëri automatiku mbrëmjen e 4 prillit të vitit të kaluar në fshatin Dobraç i Ri.

Pllanaj ishte duke udhëtuar me automjet teksa një makinë e ka ndjekur nga ku autorët kanë shkrehur breshërinë e kallashnikovit. Pasi u qëllua, Pllanaj humbi kontrollin e mjetit, duke u përplasur me një biznes aty pranë.

Autorët ishin të vendosur për ta ekzekutuar duke e ndjekur deri në momentet e fundit dhe më pas u arratisën nga vendi i ngjarjes pa gjurmë. Dy automjete u gjeten më pas duke u djegur brenda të cilave ishin edhe dy armë automatike.

Pllanaj ishte përfshirë në trafikun e drogës dhe rreth 7 vjet më parë, pas një operacioni policor antidrogë, ai arriti të shpëtonte pasi u “fsheh” në automjetin e ish-deputetit Mark Froku.

Bardhok Pllanaj njihej me nofkën “Kumbari” dhe është dënuar me burgim në mungesë në 2014-ën nga Gjykata e Rrethit Shkodër për tre vepra penale: “Pastrim parash”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Ndërtim pa leje”.

Asokohe Gjykata e Rrethit të Shkodrës vendosi të sekuestrojë një pallat 10-katësh në pronësi të tij, që kapte vlerën e 2 milionë eurove. Gjithashtu Bardhok Pllanaj, ishte i skeduar nga policia si një person që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike.

OPERACIONI KY DYSHOHET SE ISHTE I PERFSHIRE BARDHOK PLLANAJ

Po ashtu në operacionin e quajtur “laguna e Vilunit” të zhvilluar më datë 30 shtator 2014, në vendin e quajtur “Rana e Hedhun” midis Lagunës së Vilunit dhe Shëngjinit, shërbimet e policisë kufitare dhe ato të Guardia di Finanza, panë të hidheshin nga një mjet lundrues, në det çanta të zeza në përmasa të mëdha.

Pasi u nxorën nga deti, rezultoi se brenda thasëve kishte drogë me peshë 210 kg. Të nesërmen e asaj date, në vendin e quajtur Grykëderdhja e Bunës në Velipojë, forcat e policisë kufitare gjetën të hedhura në det edhe 15 çanta të tjera me peshë 594 kg.

Hetimet provuan se sasia e lëndës narkotike ishte ngarkuar në skaf në Velipojë për t’u dërguar në Itali, te pritësit e saj, njëri prej të cilëve u identifikua asokohe si shtetas italian.

Nuk dihet ende nëse ngjarja e sotme ku u plagos Dedë Pllanaj ka lidhje me ekzekutimin e kushëririt të tij, Bardhokut një vit më parë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura