Sherri për një vend qëndrimi në lokal, pezullohen nga detyra dy mësueset e shkollës “Çajupi”

Oct 12, 2021 | 9:20
SHPËRNDAJE

Zyra Vendore Arsimore në Tiranë ka pezulluar nga detyra dy mësueset e përfshira në konfliktin e ditës së djeshme pranë shkollës “Andon Zako Çajupi”. 

Mësueset mes të cilave filloi zënka për një vend qëndrimi në lokal janë E.Q 46 vjeçe dhe D.T 53 vjeçe.

Menjëherë pasi ka konfirmuar zyrtarisht nga organet kompetente përfshirjen e dy mësueseve të shkollës së mesme “Andon Zako Çajupi” në ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme jashtë ambienteve të shkollës, Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Tiranë ka kërkuar nga Institucioni Arsimor mbledhjen urgjente të komisionit të etikës për vlerësimin e rastit në fjalë.

Në njoftimin e saj publik Zyra Arsimore thekson se: “Dëshirojmë të garantojmë opinionin publik dhe prindërit e nxënësve në veçanti se për çdo punonjës arsimor i cili përfshihet në ngjarje që cenojnë integritetin e profesionit, apo figurën e lartë të mësuesit, institucionet tona do të veprojnë pa asnjë tolerim, duke u mbështetur në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi“.

Një procedim penal ka nisur nga Policia për 6 personat e përfshirë në hetim. Ndërkohë blutë e Tiranës kanë vënë në pranga një person dhe një tjetër e kanë shpallur në kërkim.

Shtetasi E.F është arrestuar, ndersa shtetasit Elton Kasaj, E.Q, E.K, N.Q,  L.D, jane nën hetim. A.T është shpallur në kërkim nga policia.

SHERRI 

Ndonëse përplasja si fillim kishte qenë verbale, personat në fjalë nisën që të konfliktoheshin me sende të forta dhe për pasojë një prej tyre përfundoi me lëndime në spital.

Një tjetër person, pasi ka kërcënuar disa herë, ka nxjerrë një pistoletë dhe ka qëlluar disa herë në ajër. Kjo skenë ka shkaktuar panik te banorët, ndërkohë që zona është mjaft e populluar për shkak edhe të bizneseve që gjenden përgjatë rrugës, por edhe të orarit ku në shkollë kishte nisur edhe mësimi dhe kishte prani të nxënësve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura