Një ditë pasi u shpall “non grata” nga SHBA/ Zbulohet lëvizja e fundit e Sali Berishës, ja çfarë pritet sot

May 20, 2021 | 12:57
SHPËRNDAJE

Pas vendimit të DASH për shpalljen “non grata” të Sali Berishës, ish-kryeministri pritet të dalë sot në një konferencë për media.  Lajmi konfirmohet nga burime të gazetës “Panorama”.

Mësohet se konferenca për media e Sali Berishës do ta mbahet sot rreth orës 18:00 në Hotel “Rogner”.

Reagimin e parë lidhur me vendimin e DASH, Sali Berisha e bëri dje përmes një postimi në “Facebook”, ku i përgjigjet Sekretarit Antony Blinken.

“I kujtoj se gjatë 30 viteve në politikë nuk ka ekzistuar kurrë asnjë akuzë në adresë time, nga asnjë person, asnjë institucion vendas apo i huaj për abuzim të fondeve publike dhe çfarëdolloj tjetër korrupsioni”, tha Berisha.

Gjithashtu, ish-kryeministri, theksoi se gjatë viteve në pushtet, por edhe deri tani, familjarët e tij nuk kanë përfituar kurrë nga fonde dhe asete publike dhe kanë zbatuar me rigorozitet të plotë ligjet e vendit, ndërsa thekson më tej se ata deri më sot nuk kanë qenë kurrë nën akuzë nga drejtësia shqiptare apo e ndonjë vendi tjetër.

Berisha u shpreh se ka qenë i pari që ka denoncuar publikisht projektin e ndryshimit te Kufijve te Kosovës, i “përgatitur nga fondacioni i George Sorosit ne Beograd, për çka dhe jam kërcënuar për pasoja, por natyrisht nuk jam impresionuar”.

Reagimi i Lulzim Bashës

Një reagim erdhi dje lidhur me vendimin për ndalimin e lëvizjes së Berishës në SHBA, nga kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Ndërsa vlerëson si të çmuar kontributin e Berishës për Shqipërinë, Basha shprehet se vendimi i sotëm i Sekretarit të Shtetit nuk cenon arritjet madhore të vendin tonë.

Ai thotë më tej se Partia Demokratike është e vendosur të vazhdojë pa asnjë kompromis luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në dobi të demokracisë, shtetit të së drejtës, transparencës dhe mirëqenies së Shqipërisë dhe kombit shqiptar.

“Vendimi i sotëm i Sekretarit të Shtetit nuk cënon arritjet madhore të Shqipërisë nën drejtimin e Sali Berishës, kontributin e tij madhor në demokratizimin e Shqipërisë dhe reformat që e afruan vendin me partnerët tanë Euro-Atlantikë, dhe aq më pak marrëdhënien e shkëlqyer të Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne i konsiderojmë SHBA aleatin tonë strategjik më të rëndësishëm për Shqipërinë, dhe luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit si prioritet absolut kombëtar”, deklaroi dje Basha.

Vendimi i DASH

“Sot, po shpall përcaktimin publik të shtetasit shqiptar Sali Berisha, ish-President i Shqipërisë, ish-Kryeministër i Shqipërisë dhe ish-anëtar i Parlamentit të Shqipërisë si i përfshirë në korrupsion në shkallë të lartë.

Në cilësinë e tij zyrtare si Kryeministër i Shqipërisë në veçanti, Berisha ka qenë i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime vetiake dhe për të pasuruar aleatët politikë dhe anëtarët e familjes në kurriz të besimit të publikut shqiptar tek institucionet qeverisëse dhe zyrtarët publikë.”

“Për më tepër, – thuhet në deklaratë, – retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjet antikorrupsion dhe masat e përgjegjshmërisë. Me këtë përcaktim, unë rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë.”

“Ky përcaktim, thotë deklarata, – bëhet në bazë të Rregullores 7031 (c) të Departamentit të Shtetit për Operacionet e Jashtme dhe Programet Përkatëse të Financimeve, 2021. Përveç Berishës, përcaktoj publikisht bashkëshorten e tij, Liri Berisha, djalin e tij, Shkelzen Berisha dhe vajzën, Argita Berisha Malltezi. Këta individë nuk kanë të drejtë të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara.”

“Ky përcaktim riafirmon angazhimin e SHBA për mbështetjen e reformave politike thelbësore për institucionet demokratike të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë në krah të popullit të Shqipërisë. Departamenti do të vazhdojë të përdorë kompetenca si kjo për të nxitur kërkesën e llogarisë ndaj aktorëve të korruptuar në këtë rajon dhe globalisht,” thotë në deklaratën e tij Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken.

LEXO EDHE:

“Nuk jam akuzuar kurrë nga asnjë institucion gjatë 30 viteve”/ Berisha reagon pas shpalljes “non grata” dhe sfidon Sekretarin amerikan të Shtetit. Përmend edhe George Soros: Jam kërcënuar për…

“Ky vendim nuk cenon marrëdhënien e PD me SHBA”/ Lulzim Basha reagon pas shpalljes non grata të Sali Berishës: Të bëhet transparencë e plotë për çdo fakt e dokument për këtë vendim

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura