Për herë të parë në histori/ Kuvendi voton me 104 vota pro shkarkimin e presidentit Ilir Meta

Jun 9, 2021 | 15:05
SHPËRNDAJE

Me 104 vota pro, 7 kundër dhe 3 abstenim, mazhoranca ka votuar shkarkimin e Ilir Metës nga funksioni i Presidentit të Republikës.  

Vendimi u bë me dije nga kryetari i Komisionit Hetimor Alket Hyseni, i cili u shpreh: “Në përfundim të votimit, numërimi rezulton se:  në bazë të firmave të vendosura në listat përkatëse kanë marrë pjesë në votim 114 deputetë, nga fletët e përdorura fletë votimi të vlefshme 114, të pavlefshme asnjë, pro 104 vota. kundër 7 dhe 3 abstenim. Zoti Ilir Meta president i Republikës shkarkohet nga detyra”.

Shtatë deputetë nuk ishin të pranishëm në sallë: Ambra Borova, Rudina Hajdari, Enada Kapllani, Korab Lita, Jetmira Raboshta, Olta Xhaçka dhe Fidel Ylli.

Për herë të parë në 30 vite pluralizëm Parlamenti shprehet me votë për shkarkimin e një presidenti në Shqipëri. Tashmë çështja pritet t’i kalojë Gjykatës Kushtetuese, e cila duhet të vihet në dijeni për votimin brenda 5 ditëve nga ana e Kuvendit. Kushtetuesja do të japë edhe verdiktin final lidhur me vendimin në fjalë.

Më herët Kuvendi miratoi me 104 vota pro raportin e Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

AKUZAT

Në përfundim të hetimit që zgjati afërsisht një muaj, Komisioni i Posaçëm Parlamentar që u drejtua nga Alket Hyseni që nuk do të jetë  më në Parlamentin e ardhshëm doli në përfundimin se  kreu i shtetit “Ka cenuar rëndë parimin e ushtrimit të  sovranitetit nga ana e popullit (në kundërshtim me nenin 2, pika 1 të Kushtetutës); Ka shkelur Kushtetutën e ka marrë njëkohësisht tagra të  sovranit dhe Kuvendit; Është sjellë arbitrarisht me pushtetin, përkundër natyrës së  Republikës Parlamentare (në kundërshtim me nenin 1, pika 1, të Kushtetutës); Ka  anuluar arbitrarisht datën e zgjedhjeve (në kundërshtim me nenin 92, germa “gj”, të Kushtetutës dhe nenin 8, 9 dhe 10 të Kodit Zgjedhor);  Ka cenuar parimin e periodicitetit të zgjedhjeve (në  kundërshtim me nenin 1,  pika 3 dhe nenin 109 të Kushtetutës);

Ka cenuar parimin  e ushtrimit të pushtetit në shtet nga një qeverisje e dalë nga zgjedhje të lira (në kundërshtim me nenin 1, pika 3, të Kushtetutës); Ka  cenuar parimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë  (në kundërshtim me nenin 4 paragrafi i dytë i Kushtetutës  dhe nenin 4 të Kodit të Procedurave Administrative); Ka nxjerrë një akt në kundër- shtim të hapur dhe flagrant  me ligjet; Ka cenuar parimin e të drejtës së qytetarëve si sovranë për të zgjedhur dhe  për tu zgjedhur (në kundërshtim me nenin 45, pika 1, të Kushtetutës)”, thuhet në  raportin e Komisionit Hetimor. Ndërkohë, vendimin  përfundimtar për shkarkimin e Presidentit nëse  sot Parlamenti voton pro largimit të tij, e jep Gjykata  Kushtetuese, e cila aktualisht është funksionale me 7 anëtarë nga 9 që ka normalisht.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura