“Koha e Sali Berishës ka mbaruar”/ Para fillimit të mbledhjes, kryedemokrati Basha deklaratë të fortë: Është kthyer në një tub oksigjeni për regjimin e Edi Ramës

Nov 7, 2021 | 17:49
SHPËRNDAJE

Kryedemokrati Lulzim Basha i është përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha me një deklaratë të fortë përpara mbledhjes së kryesisë së grupit parlamentar të PD-së pasditen e sotme.

Në një prononcim për mediat, Lulzim Basha është shprehur se koha e Sali Berishës ka mbaruar dhe se nuk do të lejojë askënd që të përdorë PD-në dhe forumet e saj për interesat personale të ish-kryeministrit.

Më tej Basha ka komentuar dhe “Foltoret” e Berishës për të cilën u shpreh se ato janë kthyer në një tub oksigjeni për regjimin e Edi Ramës, të cilin ai synon ta shkëpusë.

Sipas kryedemokratit, problemi më i madh i qytetarëve shqiptarë sot është regjimi i Edi Ramës.

“Koha e Sali Berishës ka mbaruar. Bashkë me të ka mbaruar edhe koha e mandateve të skaduara dhe përdorimit të PD-së dhe forumeve të saj për interesa personale. Asgjë dhe askush nuk do ta kthejë PD-në në një bunker për interesat personale të Sali Berishës. Partia Demokratike ka lindur si një aspiratë e popullit shqiptar për liri dhe demokraci, dhe është shpresa e shqiptarëve për të zgjidhur hallet e tyre të shumta. Dhe halli me i madh i shqiptarëve sot është regjimi i Edi Ramës. Prej javësh, me zdërhalljet e tij Sali Berisha është kthyer në një tub oksigjeni për regjimin e Edi Rames. Unë jam i vendosur t’ja këpus këtë edhe këtë tub oksigjeni për regjimin Edi Ramës” – tha Basha.

Ish-kryeministri Sali Berisha mblodhi mesditën e sotme në Tiranë, mbështetës të rinj nga FRPD nga ku tha se nuk do ta lejojë Bashën të japë dorëheqje nga kreu i partisë. Ai theksoi se demokratët do e shkarkojnë vetë atë.

Që prej përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar i PD-së, ish-kryeministri ka hedhur akuza të shumta drejt kryedemokratit Lulzim Basha. Përmes “Foltoreve” në qytete të ndryshme të vendit, Berisha synon mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së për të zhvilluar zgjedhjet për kryetarin e partisë, ku ka deklaruar se do të jetë dhe vetë kandidat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura