E rëndë në Elbasan, breshëri plumbash në drejtim të një makine në lëvizje

Nov 25, 2020 | 12:31
SHPËRNDAJE

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në Elbasan, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip “Mazda” që ishte në lëvizje. Paraprakisht raportohet për një të plagosur, i cili është nisur me urgjencë drejt spitalit.

Nga informacionet paraprake të gazetarit të “Panoramës” në terren dyshohet se bëhet fjalë për një atentat të dështuar.

Të shtënat me armë zjarri janë regjistruar në lagjen “Emin Matraxhiu” pranë stadiumit “Elbasan Arena”. Fill pas të shtënave me armë autorët janë larguar me shpejtësi në drejtim të paditur.

Ndërkaq, i plagosuri është transportuar në drejtim të spitalit rajonal në Elbasan për ndihmë mjekësore.

Sipas burimeve ai ka hyrë në Spitalin Kirurgjik dhe më pas është larguar menjëherë nga aty duke mos u identifikuar.

Në vendngjarje ka shkuar Policia, ndërsa pika kontrolli janë ngritur në gjitha rrugët hyrëse dhe dalëse të qytetit. Po ashtu pritet të kqyren pamjet filmike të kamerave të bizneseve që operojnë në rrugën ku ndodhi atentati.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura