“Lajme ‘Made in Albania’ për qëllime politike”/ Këshilltari i Ramës tregon vendimin përfundimar për kampet e refugjatëve

Jun 18, 2018 | 15:38
SHPËRNDAJE

Këshilltari i Kryeministrit Rama, Sandër Lleshi, mohon kategorikisht mundësinë që Shqipëria të kthehet në një kamp pritës për refugjatët që aspirojnë vendet e BE apo për ish-luftëtarët e ISIS, të kthyer nga Siria apo vendet e konfliktit. “Po alarmohemi sot nga ca media, të cilat u bëjnë jehonë axhendave politike të disa vendeve të caktuara të BE. Por vendimet për Shqipërinë nuk i merr Kryeministri austriak, i marrin autoritetet e Shqipërisë dhe autoritetet e Shqipërisë nuk kanë asnjë artikulim që shkon në favor të ngritjes së ndonjë kampi refugjatësh në Shqipëri”, u shpreh Lleshi.

sander lleshi

Ndërsa për sa u përket debateve rreth ndërtimit të kampit për luftëtarët e ISIS, këshilltari për Sigurinë i Ramës i quan spekulime “Made in Albania”. “Do të ishte çmenduri që BE të na mbajë derën mbyllur ne sot dhe nesër kur të bëhemi vatër terroristësh, të na e hapë. Ky është ‘Made in Albania’ plotësisht si lajm, këtë e kanë krijuar vetëm shqiptarë, të cilët janë mjaft të informuar si është e vërteta. Kryeministri Borisov tha është ide shumë e mirë dhe propozimin e Shqipërisë tha ne si Bullgari e mbështesim. Pra, ne do të sjellim njerëzit tanë, për ekspertët e vet, jo për terroristët”, tha Lleshi.

Sipas tij, deklaratat e Kryeministrit bullgar janë keqkuptuar, pasi Borisov e kishte fjalën për të sjellë ekspertë për Qendrën e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe jo terroristë. Sipas tij, misioni i kësaj qendre është koordinimi punën e institucioneve në bazë rajonale. “Misioni i saj është të koordinojë punën e institucioneve tona për të zbatuar një strategji kombëtare kundër ekstremizmit dhe kjo ishte ideja që këtë qendrën tonë ta bëjmë rajonale, të ftojmë ekspertë, akademikë dhe përfaqësues të medias, klerit nga këto vende që të bashkojmë përpjekjet në kuadër të qendrës sonë”, është shprehur këshilltari i Kryeministrit. Nga janari deri më sot përllogaritet se në vendin tonë kanë hyrë ilegalisht rreth 2500 refugjatë nga vendet e Lindjes së Mesme që destinacion fundor kanë vendet perëndimore

ISIS

Gratë dhe fëmijët e luftëtarëve shqiptarëve të ISIS kanë nisur të rikthehen dhe po u nënshtrohen procedurave. Mbi 100 luftëtarë, shqiptarë, së bashku me familjen e tyre janë larguar nga Shqipëria për të luftuar për llogari të ISIS. Të gjithë personat që kanë marrë pjesë në veprimtari terroriste në vende të tjera, sipas këshilltarit të Kryeministrit, do të dënohen për veprimtari terroriste dhe nuk do të grumbullohen në kampe rehabilitimi. “Kthimi i atyre që kanë marrë pjesë në një konflikt të armatosur, pra, kanë marrë pjesë në një veprimtari terroriste nuk shoqërohet me një rehabilitim pas, por me ndjekje penale. Fëmijët dhe bashkëshortet, të cilët nuk janë përfshirë në veprimtari kriminale, të paktën fëmijët jo, qeveria shqiptare ka përgatitur një plan të përbashkët ndërinstitucional për t’i trajtuar këta.

Nëse paraqiten pranë pikave tona të kufirit, ne kemi një plan për t’u marrë me ta, ministritë përkatëse”, u shpreh Lleshi. Ndërkaq këshilltari i Kryeministrit thotë se nuk do të pranohen familjarë të luftëtarëve nga Kosova dhe Maqedonia. “Çdo qytetar i një shteti të caktuar është i detyruar të paraqitet te shteti, për të cilin paguan taksat apo i cili ka detyrimin ta mbrojë apo të kujdeset për të. Shqipëria e ka detyrë në Kushtetutën e saj të kujdeset për ata që mbajnë pasaportën e saj”, është shprehur Lleshi. Qeveria dhe disa zyrtarë të vendeve të BE, siç është ai i Austrisë dhe i Danimarkës, ndajnë qëndrime të ndryshme në lidhje me kampin e refugjatëve. E tashmja është kontradiktore, ndërsa e ardhmja e pasigurt nëse Shqipëria do të ngrejë mure apo kampe për refugjatët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura