Lajm i mirë për kombëtaren, Mavraj hedh hapat e parë pas dëmtimit

Aug 27, 2015 | 9:35
SHPËRNDAJE

Mërgim Mavraj ka veshur këpucët dhe tashmë vrapon lehtësisht në fushën stërvitore të Këlnit. Jo vetëm kaq, por mbrojtësi i Kombëtares ka gjetur kohën edhe për të bërë batuta me stafin e skuadrës, ndërkohë që fare pranë ka qenë edhe trajneri i ekipit gjerman.

mavraj
“Nuk janë fare korrekt me oraret. Fizioterapistët nuk e zbatojnë aspak skedën që duhet të përdor gjatë rikuperimit”, ka thënë mbrojtësi duke qeshur.

Një batutë, që indirekt ka lënë të kuptohet se është ai personi që nuk e zbaton diçka të tillë. Kjo, e bërë me dije edhe në faqen zyrtare të klubit, pasi Mavraj ka kërkuar gjatë gjithë kohës që të ketë në dispozicion stafin mjekësor në çdo moment.

Mbase, kjo ka qenë edhe një nga arsyet që e kanë bërë atë të rikthehet edhe më shpejt nga sa mendohet në fushën stërvitore. Mbrojtësi iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në muajin qershor, tashmë shqiptari është përkrah shokëve të skuadrës dhe të repartit defensiv për të kryer disa ushtrime të lehta.

Avancimi i mbrojtësit me riaftësimin e ka bërë optimist edhe vetë trajnerin Peter Stoger. “Nuk mund të nxitohemi me Mavrajn. Ai ka treguar vullnet të madh që të rikthehet sa më shpejt dhe puna e tij është e dukshme. Megjithatë, karrierën që ka përpara nuk mund ta rrezikojmë për ta kthyer në fushë përpara se të jetë plotësisht gati”, ka deklaruar trajneri i Këlnit. Më tej, mbrojtësi ka treguar gjendjen e gjurit.

“Tashmë e ndiej gjurin plotësisht dhe mund ta komandoj si duhet. Prandaj mund të them se është një problem i së shkuarës”, ka treguar mbrojtësi shqiptar për faqen zyrtare të klubit gjerman, ndërkohë që ai ka zhvilluar disa seanca vrapimi në fushën e lojës dhe disa ushtrime të lehta me mbrojtësit e tjerë të skuadrës. Me gjithë përparimin që Mavraj ka bërë për të lënë pas dëmtimin, do të duhet ende kohë që ai të stërvitet me top.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura