Lajm i keq nga BB: Rritja ekonomike në 2018 do të ulet, nuk ka investime të huaja

Nov 17, 2017 | 9:27
SHPËRNDAJE

Rritja e ekonomisë këtë vit, sipas Bankës Botërore, pritet të jetë 3.8 për qind, disa pikë më lart se një vit më parë, ndërsa për dy vitet e ardhshme parashikohet një rënie. Banka Botërore parashikon se rritja ekonomike për 2018- n do të bjerë në 3,6 për qind dhe në 2019-n në 3,5 për qind.

bb

Banka Botërore dje, në prezantimin e raportit të rregullt ekonomik për vendet e Ballkanit Perëndimor, shpjegoi se rënia ekonomike do të vijë për shkak të përfundimit të dy projekteve në energjetike, TAP dhe hidrocentrali i Devollit.

“Perspektiva ekonomike për Shqipërinë është pozitive, megjithëse rritja ekonomike parashikohet të jetë më e moderuar në mesatarisht 3,6 për qind për 2018-2019, për shkak të përfundimit të dy projekteve të mëdha të energjisë dhe mungesës së planifikimit të projekteve të tjera të mëdha. Për vitin 2018 nuk kemi të përfshirë projekte të reja për investimet e mëdha”, u shpreh ekonomistja e Bankës Botërore.

Ekonomistja e Bankës Botërore, Hilda Shijaku, shpjegoi se për këtë vit rritja ekonomike erdhi nga rritja e kërkesës së brendshme, nga rritja e fortë e investimeve private, dhe rritja e konsumit privat.” Investimet e huaja kanë qenë të qëndrueshme dhe këtu bëhet fjalë kryesisht për investimet në energji, si projekti TAP dhe hidrocentralet mbi Devoll. Megjithatë, në gjysmën e dytë të vitit po vihet re një dobësim i eksporteve neto, për shkak të importit më të lartë të energjisë, pasi prodhimi vendas u ndikua negativisht nga thatësira.

Si rezultat, në vitin 2017 eksportet neto pritet të kontribuojnë me vetëm 0,1 për qind në rritjen ekonomike. Ndërkohë, shtytësit kryesorë të rritjes ekonomike janë sektorët e ndërtimit dhe shërbimeve, rënia e prodhimit të energjisë po rëndon mbi sektorin e industrisë”, citohet në raport.

KONCESIONET

Banka Botërore thotë se koncesionet e programit “1 miliard euro investime” qeveria duhet t’i trajtojë sipas standardeve ndërkombëtare në llogaritë fiskale dhe borxhin publik. “Ne rekomandojmë që, krahas publikimit të kontratave, ato të trajtohen në përputhje me standardet ndërkombëtare në llogaritë fiskale dhe borxhin.

Ligji organik i buxhetit, pavarësisht nga kufizimet që vendos me 5 për qindëshin e të ardhurave, i jep mundësi Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë që të vendosë veton për PPP-të që vijnë në formën e propozimeve, duke parë nëse impakton borxhin publik, nëse është në përputhje me strategjitë e investimeve që qeveria do të marrë”, u shpreh kryeekonomistja e Bankës Botërore, Hilda Shijaku.

Përfaqësuesja e Bankës Botërore për vendin tonë, Maryam Salim, u shpreh se jo çdo investim duhet të kryhet me koncesion. Salim theksoi rëndësinë që zbatimi i koncesioneve të mbështetet në analiza të kostove dhe përfitimeve.

“Pyetja që shtrohet nëse PPP janë instrumenti i duhur. Ato mund të jenë shumë efikase, sepse mund të thithin kapitale në ekspertizën e sektorit privat për investimet publike, por ajo çka është e rëndësishme në thelb është nëse investimet e justifikojnë vlerën që do të paguhet për to. Jo çdo investim duhet bërë duke përdorur mekanizmin e PPP-ve. Kur flasim për investime në infrastrukturë, qeveria duhet të vlerësojë në kuadër të një strategjie gjithëpërfshirëse dhe të vendosë disa prioritete lidhur me ato investime që janë më të domosdoshme.

Një investim i mirë duhet të mbulojë kostot në të ardhmen dhe të ketë një logjikë ekonomike. Janë disa faktorë që duhen pasur parasysh, si transparenca, llogaridhënia dhe ndikimet në buxhet, sepse në fund të fundit këto investime do të paguhen nga taksapaguesit dhe kjo do të ndikojë edhe në borxhin publik”, deklaroi Maryam Salim, përfaqësuese e BB-së në Shqipëri.

Banka Botërore theksoi si mjaft të rëndë- sishëm përmirësimin e klimës së biznesit sesa financimin e koncesioneve. “Nuk është thjesht ideja e sigurimit të financimit, ne jemi më tepër të fokusuar te përmirësimi i shërbimeve publike që ofrohen dhe përmirësimi i mjedisit të investimeve publike, sesa te financimi i njërit apo tjetrit projekt”, u shpreh Shijaku.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura