“S’kemi lidhje, kemi qenë në Kosovë!”- Të dyshuarit për vrasjen e ish-deputetit në Shkodër mohojnë akuzat. Lihen në burg deri më 3 janar që hetuesit të vërtetojnë alibinë e tyre

Dec 4, 2021 | 15:04
SHPËRNDAJE

Gjykata e Shkodrës ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” për Kristjan Kelmendin dhe Marjan Kolën, dy të dyshuarit kryesor për vrasjen e ish-depuetit Pashk Ujka.

Afati i vendosur nga gjykata për masën e Arrestit me burg është data 3 janar, kohë e nevojshme kjo për të vërtetuar pretendimet e të ndaluarve, të cilët praninë e barutit në duar e justifikojnë me qitjet e bëra në një poligon në Kosovë. Hetuesit pritet të verifikojnë kamerat e poligonit në fjalë dhe të provojnë nëse alibia e dy të ndaluarve qëndron, apo ata kanë lidhje me ngjarjen.

Në sallën e gjyqit si Kelmendi ashtu edhe Kola kanë mohuar përfshirjen në vrasjen e ish-depuetit.

Por hetuesit dyshojnë se Kristian Kelmendi është autori i cili ka shkrepur armën, ndërkohë që Marjan Kola po hetohet për ndihmën e dhënë ndaj autorit të krimit.

Kelmendi mendohet se kohët e fundit ka pasur një konflikt me viktimën për një borxh që ai i kishte për blerjen e një apartamenti.

NGJARJA

Atentati ndaj 64-vjeçarit u regjistrua rreth orës 18:15 në lagjen “Vasil Shanto” ose siç njihet lulishtja e këmbimit valutor në qytetin verior të Shkodrës, ku persona të panjohur qëlluan me armë zjarri në drejtim të Ujkës. Ujka ka qenë duke ecur në lulishte bashkë me bashkëshorten e tij, kur ai u qëllua me armë zjarri silenciator.

Bashkëshortja e tij, e cila e shoqëronte atë në momentet e fundit të jetës, ka deklaruar se nuk ka dëgjuar asgjë vetëm ka parë të shtrirë bashkëshortin e saj në tokë pas plagosjes. Kjo për shkak se sipas burimeve policore autori i dyshuar e ka qëlluar 64-jeçarin me një pistoletë me silenciator.

Plagosja e rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur shumë afër banesës së ish-deputetit brenda në lulishte.

“Rreth orës 18:15, në lagjen ‘Vasil Shanto’ Shkodër, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi P. U., 64 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorit. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e ngjarjes”, sqaroi policia e Shkodrës, ndërsa Ujka ndërroi jetë në spital rreth 1 orë e 30 minuta më vonë.

Ish-deputeti ka humbur shumë gjak, por po ashtu mjekët kanë hasur shumë vështirësi në nxjerrjen e plumbit në shtyllën kurrizore të 64-vjeçarit.

Lajm në përditësim…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura