Detajet e reja për dosjen e “vrasjes së shekullit”, Izet Haxhia do rigjykohet, por ja nga kush

Sep 21, 2019 | 11:24
SHPËRNDAJE

BLEONA METUSHI/ Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e Prokurorisë për shpalljen e moskompetencës për rigjykimin e Izet Haxhisë, duke e kaluar dosjen në Gjykatën për Krime të Rënda.

izet1

Me argumentin se Prokuroria dhe Gjykata e Tiranës nuk kanë kompetencë për gjykimin e vrasjes së funksionarëve publikë, treshja gjykuese shpalli dje moskompetencën. Haxhia është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari, ndërsa pas ekstradimit nga Turqia, rreth 1 vit më parë, Haxhisë iu dha e drejta e rigjykimit, pasi është hetuar dhe gjykuar më herët në mungesë. Vetë Izet Haxhia dhe avokati Idajet Beqiri nuk shprehën kundërshti ndaj kërkesës së Prokurorisë.

“E kam studiuar kërkesën e Prokurorisë dhe e lë në çmim të Gjykatës”, tha Beqiri. Por kundër pranimit të kërkesës ishte avokati tjetër i Haxhisë, Bashkim Nikolla. Ky i fundit, teksa e konsideroi si të padrejtë kërkesën e Akuzës, tha se kjo gjë vetëm do të zvarrisë hapjen e shqyrtimit, pasi Gjykata për Krime të Rënda, e cila pritet të shkrihet së shpejti dhe kompetencat e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, që do të zëvendësojë Krimet, nuk e përfshijnë vrasjen e funksionarëve publikë.

“Me shkrirjen e Krimeve të Rënda, kjo dosje i bie që të vijë sërish këtu, kjo po pengon shqyrtimin e çështjes. Mendoj se dosja nuk ka pse të kalojë te Krimet e Rënda, pasi vendimi i Gjykatës së Apelit e ka të përcaktuar gjykatën kompetente dhe është kjo e Tiranës”, tha Nikolli.

Prej më shumë se 5 muajsh, dosja e së ashtuquajturës “Vrasja e shekullit”, pret rishqyrtimin gjyqësor, nga i cili, Izet Haxhia, ish-truproja i ishKryeministrit Sali Berisha, kërkon të marrë pafajësi. Gjykata e Apelit Tiranë vendosi në 19 mars të pranojë kërkesën e ishtruprojës së Sali Berishës, që të dëgjohet dhe të japë versionin e tij për një nga ngjarjet më të diskutuara ndër vite.

Ai është dënuar si një nga autorët e vrasjes së Azem Hajdarit, por nuk e ka pranuar asnjëherë vrasjen dhe ka hedhur akuza ndaj politikës si përgjegjëse. Për rreth 17 vite, Haxhia ka qenë jashtë Shqipërisë, ndërsa në vitin 2006, u arrestua në Turqi, për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Dytë në Tiranë, por deri në maj të vitit që lamë pas, nuk u ekstradua asnjëherë.

Dakord me kërkesën për rigjykim, ishte edhe Prokuroria, që e konsideroi atë si një e drejtë e të dënuarit për t’u mbrojtur dhe dhënë versionin e tij, në kushtet e një gjykimi dhe dënimi të dhënë në mungesë. Ndërkohë, vetë Izet Haxhia u shpreh se kishte shumë gjëra për të thënë për vrasjen, si dhe kërkonte që të përballej me akuzuesit e tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura