Videot në TikTok të gjyqtares së Elbasanit/ Reagon ministrja e Drejtësisë: Të pakomentueshme, që prej vitit 2019 kam kërkuar…

May 31, 2021 | 12:39
SHPËRNDAJE

“Të pakomentueshme”, kështu i quan ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj videot në Tik Tok të Kryetares së Gjykatës së Elbasanit, Enkeleda Kapedani.

Në një postim në twitter, Gjonaj thekson se që prej vitit 2019 i ka kërkuar KLGJ verifikimin dhe marrjen e masave pas lirimit të një të dënuari.

Sipas ministres, gjyqtarët si Enkeleda Kapedani janë ata që ende nuk kanë kaluar vettingun.  “Kush e ka turpëruar drejtësinë do të përballet me të deri në fund”, thotë Gjonaj.

“Të pakomentueshme shfaqjet e gjyqtares së Elbasanit dhe për të ardhur keq që qysh prej dhjetorit 2019, i kam kërkuar me shkrim KLGJ-së verifikimin dhe marrje mase për të pas lirimit të një subjekti kriminal.

Tani uroj që jo vetëm të merret masa e duhur, por edhe të hetohet në mënyrë të thelluar gjendja pasurore e kësaj gjyqtareje. Tipike për një pjesë të atyre që nuk kanë kaluar ende Vetingun dhe vijojnë të gërryejnë drejtësinë nga brenda!

#ReformaNukDoNdalet dhe kush e ka turpëruar drejtësinë do të përballet me të deri në fund”, shprehet Gjonaj.

ILD NISI HETIMET

Videot e gjyqtares së Elbasanit duke pozuar ne ambientet e gjykates, por edhe ne makinë u publikuan një ditë më parë nga ‘Hashtag’ dhe më pas u shpërndanë në media.

Në njoftimin e ILD, e cila ka kërkuar nisjen e hetimit disiplinor ndaj kryegjyqtares, thuhet: “Zyra e Inspektorit te Larte te Drejtësisë u njoh me materialet filmike të shpërndara në media mbi magjistraten E.K, kryetare e Gjykatës Elbasan.

Inspektori i Larte i Drejtësisë Artur Metani ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor ndaj magjistrates per rastin”.

REAGIMI I GJYQTARES

Kryetarja e Gjykatës së Elbasanit, Enkeleda Kapedani ka shpërndarë në media një reagim zyrtar në lidhje me nisjen e hetimit nga ILD për videot e publikuara në Tik Tok në ambientet e zyrës së saj.

“Unë si gjyqtare e kam të ndaluar të komentoj, por do pres me qetësi verifikimin e kësaj situate”, thekson Kapedani, ndërsa thotë se publikimi i tyre ka qëllim dëmtimin e imazhit të saj.

“As si individ as si gjyqtare nuk jam krenare për vidiot e publikuara. Shpresoj që ky sulm mos të jetë ndaj meje sepse jam grua dhe nene.

Ndërsa kërkoj ndjesë për cilindo që është ndjer keq nga ato video”, shprehet gjyqtarja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura