Vendosi tritol në derën e banesës së Armand Dukës, policia zbardh dinamikën. Ja dy veprat penale për të cilat akuzohet autori i dyshuar

Jan 26, 2022 | 9:44
SHPËRNDAJE

Dy ditë pas vendosjes së tritolit në banesën e Armand Dukës në Durrës, policia ka zbardhur dinamikën e ngjarjes. Në njoftimin e bërë pubik sot (26 janar) policia thotë se autori i dyshuar i ngjarjes është shtetasi Arlen Hasanaj 34 vjeç, i cili akuzohet për dy vepra penale.

34-vjeçari akuzohet për “Shkatërrim të pronës me eksploziv” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe sigurimin e provave të tjera ligjore.

Njoftim i policise

Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi i posaçëm hetimor i përbërë nga strukturat hetimore të DVP Durrës dhe të Drejtorisë së Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, u bë arrestimi  në flagrancë për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, i shtetasit A. H., 34 vjeç, banues në lagjen nr.4, Durrës.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, nga veprimet e para hetimore, dyshohet se është autori i vendosjes së tritolit në portën e jashtme të banesës së shtetasit A. D., ngjarje e ndodhur në datën 24.01.2022.

Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe sigurimin e provave të tjera ligjore. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme.

IDENTIFIKIMI

Kamerat e sigurisë, të sekuestruara nga Policia e Durrësit menjëherë pas ngjarjes, kanë ndihmuar në identifikimin dhe më pas arrestimin e autorit të dyshuar. Shpërthimi i fuqishëm me lëndë plasëse u regjistrua rreth orës 22:03 të mbrëmjes së të hënës, ndërsa gjatë ditës së djeshme në media dolën pamjet e kamerave të siguruara që filmuan të gjithë skenën. Një numër i madh personash u shoqëruan menjëherë pas ngjarjes dhe gjatë ditës së djeshme, ndërsa në orët e mbrëmjes është arritur të identifikohet falë pamjeve të kamerave edhe personi i dyshuar që vendosi lëndën plasëse në portën e vilës trekatëshe të kreut të FSHF-së.

Nga kamerat duket se autori është afruar nga ana lindore, aty ku ndodhet edhe një tunel që lidh rrugën “Skënderbe” me bulevardin kryesor, ku ndodhet edhe banesa e z. Duka. Ndërkohë, janë edhe kamerat e sigurisë të vendosura nga vetë Duka, të cilat kanë pamje të qartë dhe duket fare lirshëm një person që afrohet dhe vendos lëndën plasëse dhe më pas largohet andej nga erdhi.

Siç tregojnë pamjet filmike, personi është një person rreth të 30-ave, i veshur me pantallona të zeza, atlete të bardha dhe xhup të zi me kapuç, me të cilin edhe është maskuar. Ai afrohet qetësisht dhe, pasi vështron majtas dhe djathtas, nga xhupi nxjerr lëndën plasëse, e mban në dorë dhe, pasi afrohet afër portës, e ndez dhe e vendos te porta e garazhit të makinave të z. Duka. Pa bërë pesë gjashtë hapa, lënda plasëse shpërthen dhe në këtë moment autori nis të vrapojë në mes të lagjes, e cila për shkak të temperaturave të ulëta dhe orës së vonë, ishte e boshatisur.

KUSH ËSHTË I ARRESTUARI

Arlen Hasanaj, personi i arrestuar në lidhje me vendosjen e tritolit në afërsi të banesës së Armand Dukës, rezulton administrator i një biznesi në qytetin bregdetar dhe banon në një lagje me kreun e FSHF-së. Bëhet fjalë për një biznes që merret me import-eksport dhe tregtim me shumicë e pakicë të artikujve industrialë, në veçanti të atyre elektronikë, kondicionimi, materiale elektrike speciale, kompjuterike, telefonike, radiotelevizive, elektrike. Hasanj ka lëvizur nga rruga e portit me një makinë tip “ML” dhe më pas ka shkuar në Lagjen nr.4, atje ku banon edhe Duka. Dyshohet se i riu e ka marrë lëndën plasëse në një pallat pranë Lagjes nr.4, në të njëjtën zonë ku ka edhe biznesin. Nuk dihet ende konflikti që ka pasur autori me drejtuesin e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe nëse shpërthimi ka lidhje me zgjedhjet për drejtimin e institucionit më të lartë sportiv.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura