VIDEO/ “Vatër rreziku e madhe”- Rakacolli paralajmëron mbylljen e bareve dhe restoranteve në zonën e ish-Bllokut. Çfarë po diskuton Komiteti Teknik

Oct 29, 2020 | 15:53
SHPËRNDAJE

Baret dhe restorantet në zonën e ish Bllokut mund të mbyllen për shkak se në këtë zonë është një vatër e madhe e infektimeve me koronavirus si pasojë e grumbullimeve të të rinjve gjatë darkave.

Kjo është diskutuar sot në Komitetin Teknik të Ekspertëve, duke vlerësuar situatën e pandemisë në vend.

Lajmin e bëri me dije prof. Mira Rakacolli.

“Njëkohesisht, Komiteti Teknik po vlerëson mbylljen e bareve e kafeneve në zonën e Bllokut në Tiranë pas orës 22.00, duke qenë se konstatohet një vatër rreziku të madh potencial nga grumbullimet në atë zonë gjatë orëve të natës”, tha Rakacolli.

Drejtuesja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Rakacolli foli për disa masa të tjera shtrënguese, për të kufizuar përhapjen e koronavirusit.
“Askush nuk e do një mbyllje të dytë por nëse do të jemi në kushtet e përkeqësimit të situatës, do të jenë të pashmangshme masa të tjera”, paralajmëroi Rakacolli.
Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve tha se situata në 2 javët e fundit paraqitet me një rritje të numrit te rasteve, të cilat përkojnë me hapjen e  shkollave, bareve, restoranteve dhe njëkohësisht me fazën e lehtësimit të masave shtrënguese.
“Për dy javët e fundit incidenca e rasteve me COVID-19 për Shqipërinë është 130 për 100,000 banorë. Aktualisht jane rreth 500 vatra aktive ne vend, 35% e te cilave jane perqendruar ne Tiranë. Vlerësohet se rastet e rritura pozitive përkojnë me hapjen e shkollave, bareve dhe restoranteve dhe njëkohësisht me fazën e lehtësimit të masave shtrënguese por dhe me sezonin e vjeshtes që sjell më shumë grumbullime në ambjentet e brendshme dhe rritje të kontakteve në ambiente të mbyllura”, tha Rakacolli.
Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve ju ka bërë apel qytetarëve të zbatojnë masat për parandalimin e COVID19, për të shmangur një mbyllje të dytë të vendit.
“Një thirrje për të gjithë, për të zbatuar rregullat e vendosura, nëse nuk ka disiplinë do të rrezikojme mbylljen që askush nuk e do. Secili prej nesh e ka në dorë të frenojë përhapjen e epidemisë. Vendimi që kemi marrë për maskën e detyrueshme është një vendim i drejtë, i provuar tashmë për dobinë e tij. Mbajeni maskën kudo dhe ruani distancimin fizik, pa harruar higjienën e duarve”, tha Rakacolli.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura