U arrestuan pas përgjimeve, Apeli nxjerr nga burgu dy ish-deputetët e PS-së

Nov 15, 2018 | 14:03
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Dy ish-deputetët socialistë që u arrestuan gjatë operacionit për goditjen e grupit të Shijakut, Arben Çuko dhe Arben Ndoka, do të hetohen nën masën e arrestit shtëpiak

arben_cuko-433x300

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ndryshoi dje masën e sigurisë ndaj tyre, nga “Arrest në burg”, në “Arrest shtëpie”. Gjykata zbuti masën e sigurisë edhe për 4 prej të arrestuarve, disa në “Arrest shtëpie”, disa në “detyrim paraqitje”.

Ndërsa grupi i Avdylajve, apo i njohur ndryshe si grupi i Shijakut, ata të Delvinës, të Fierit dhe Gjevi Ndoka, vëllai i ishdeputetit të Lezhës, Ndoka, do të vijojnë të qëndrojnë në qeli.

arben ndoka

Seanca për të shqyrtuar ankimin e bërë nga të arrestuarit u zhvillua në dy ditë të ndryshme, kjo për shkak të numrit të madh të të arrestuarve. Ndërsa nga momenti i arrestimit, kur ishin 34 persona të ndaluar, e deri tani, në qeli kanë mbetur vetëm 18 prej tyre.

Ditën e martë u zhvillua seanca e parë, ku mbrojtja paraqiti pretendimet e veta në lidhje me dosjen hetimore dhe akuzat e ngritura, respektivisht për secilin prej të akuzuarve. Ndërsa Prokuroria e Apelit, e përfaqësuar nga prokurori Bujar Sheshi, i qëndroi kërkesës së Shkallës së Parë. Për mbrojtjen, dosja hetimore dhe ngritja e akuzave është e përqendruar në përgjime, të cilat, sipas tyre, nuk mund të quhen provë.

Një tjetër pretendim i mbrojtjes është edhe fakti se akuzat janë të ndara nga njëra-tjetra dhe se nuk duhet të zhvillohet një proces i përbashkët. Në fund të seancës së datës 13 nëntor, Gjykata e Apelit e shtyu seancën për ditën e djeshme, kur u dha edhe vendimi.

VENDIMI

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ndryshoi masën e sigurisë duke caktuar “Arrest shtëpie” për ishdrejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Arben Çukon, i akuzuar për “korrupsion”, pasi dyshohet se ka marrë një shumë parash e një automjet për transferimin e një të dënuari. Gjithashtu, edhe për ish-deputetin socialist Arben Ndoka, i cili dyshohet se është përfshirë në tjetërsimin e pronave në Lezhë, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, u vendos “Arrest shtëpie”.

E njëjta masë sigurie u dha edhe për policin e Pikës Kufitare të Morinës, Ardit Gjyriqi, i cili është akuzuar për “shpërdorim detyre”, pasi me veprimet dhe mosveprimet e tij, dyshohet se ka dhënë ndihmë në aktivitetin e grupit kriminal Avdylaj. “Arrest shtëpie” u vendos edhe për ndihmës noterin Paulin Simoni, i akuzuar për “shpërdorim detyre”.

Edhe për Elis Gurin dhe Zef Lazri, u vendos që të qëndrojnë nën masën e arrestit shtëpiak. Ndërsa Gjykata vendosi masën “Detyrim paraqitje” për 4 të arrestuarit e tjerë për “tjetërsim pronash”, Lule Zenelin, Zef Palokën, Vasil Nikën dhe Gent Zenelin. Të akuzuarit e tjerë, si pjesë e grupit kriminal, që dyshohet të kenë trafikuar lëndë narkotike, masa e Shkallës së Parë u la në fuqi nga Apeli.

Në qeli vijojnë të qëndrojnë Jasin Kala, Shkëlqim Avdyli, Denis Llaftiu, Fatos Llaftiu, Hajri Seferi, Petro Kuçi, Ilirjan Prifti, Elton Shehaj, Armand Spiro, Astrit Balliu, Altin Avdyli, Saimir Gjepali, Gjevi Ndoka,Esat Mehmeti, Saimir Sulejmani, Orges Jahelezi, Elis Bahushi dhe Artur Balla.

HETIMI

Sipas dosjes së Prokurorisë, dy nga anëtarët e grupit të Shijakut, Sajmir Gjepali dhe shtetasi H. Hoxha, i cili ka qenë i dënuar më parë në Turqi si i akuzuar për trafik heroine, ka pasur komunikime me biznesmenin nga Tirana për laboratorin e drogës në Has.

Prokuroria ka dokumentuar një takim mes biznesmenit Admir Hoxha me dy shtetasit turq Nedjet Cesuroglu allias Lavdërim Limani dhe Iskender Sale në hotelin e tij në Rinas, si dhe me shtetasin nga Kosova, Xhemal Shala. Këta dy persona nga Turqia, sipas Prokurorisë, kanë sjellë lëndën e parë për ta kthyer në heroinë.

Admir Hoxha, nga vëzhgimet në terren, rezulton se është personi që kishte përgatitur ambientin e kthyer në laborator për prodhimin e lëndës narkotike në bashkëpunim me persona ende të paidentifikuar. Nga provat e mbledhura në laborator, krahas lëndës së parë, ka rezultuar se ishte prodhuar 182.5 kg drogë.

 

ARRESTIMI i ARBEN NDOKËS

Ish-deputeti socialist Arben Ndoka akuzohet për falsifikim të dokumenteve, vulave, stampave ose formularëve, shpërdorimi i tokës në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash në zonën bregdetare në Qarkun e Lezhës. Sipas burimeve nga grupi hetimor, Ndoka së bashku me disa zyrtarë të tjerë në Lezhë kanë ndikuar në tjetërsimin e pronave te “Rana e Hedhun” dhe në Kune nga ranishte në tokë arë dhe më pas i kalonin te të afërmit e tyre.

Ndërkohë që dy ditë më parë, në kuadër të operacionit “Hipoteka” sërish për tjetërsim pronash u arrestuan edhe disa zyrtarë të tjerë në Lezhë.

Burimet thanë se gjatë përgjimeve të një grupi kriminal ka dalë emri i Arben Ndokës, i cili më pas është vendosur në përgjim duke zbuluar aferën që solli arrestimin e tij nga Policia pas urdhrit të Prokurorisë. Ish-deputeti ishte në përgjim prej disa muajsh për këtë çështje. Dosja e tjetërsimit të pronave kishte nisur të hetohej nga prokurori Anton Martini, por pas transferimit të tij kaloi te Besim Hajdarmataj.

Ndërkohë që me transferimin e këtij të fundit në Pogradec, hetimet po i drejton prokurori Vladimir Mara, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Në shtator të vitit 2015, Arben Ndoka dorëzoi mandatin e deputetit, pasi u prek nga ligji i dekriminalizimit, sepse kishte një dënim në Itali.

Bashkë me ish-deputetin socialist, forcat speciale RENEA shoqëruan edhe disa të afërm e miq të tij, për të cilët nuk është marrë ndonjë vendim nëse do të ndalohen apo jo. Burimet thanë se ata janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje si persona që kanë dijeni për ngjarjen. Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për persona të tjerë të përfshirë në tjetërsimin e pronave.

HETIMI DHE ARRESTIMI I ARBEN ÇUKOS

“Policia e Shtetit ka ekzekutuar urdhërarrestin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve Arben Çuko. Çuko dyshohet se është i përfshirë në korrupsion pasiv gjatë kohës që ushtronte detyrën e drejtorit të Burgjeve. Urdhërarresti u ekzekutua sot pasdite dhe aktualisht Çuko është i ndaluar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës”, njoftoi dje zyrtarisht Policia.

Burime nga Prokuroria thanë se arrestimi i Çukos është kërkuar pas një hetimi disamujor, pasi dyshohet se kundrejt lejeve që jepte për të burgosurit merrte para në formë ryshfeti.

Sipas informacioneve të para, Çuko është zbuluar nga përgjimet e një grupi të përfshirë në trafik droge. Në një rast kur po përgjohej një nga anëtarët e grupit kriminal të trafikut të drogës ka dalë emri i Çukos, ku diskutohej se ai jepte leje për të burgosurit kundrejt pagesave.

Një nga rastet e dokumentuara nga ana e Prokurorisë, me incidien edhe të Ministrisë së Drejtësisë, dyshohet se Arben Çuko ka përfituar para dhe një automjet për transferimin e një të dënuari. Bëhet fjalë për të dënuarin Olsi Karagjozi, i arrestuar në janar të vitit 2013 dhe i dënuar me 14 vjet e 8 muaj burg.

Në kohën kur ky person u arrestua, Policia shprehej se ai ishte paguar për 5 vrasje, të cilat kishin dështuar. Megjithatë, ai u dënua vetëm për një ngjarje që iu provua, kur plagosi dy persona.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura