Motra iu vra në Francë, i vëllai pret damarët në burg

Jan 12, 2020 | 8:45
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Disa ditë pas vrasjes ka mbërritur pranë familjes në Berat trupi i pajetë i 37-vjeçares Brunilda Kovaçi e cila u gjet e masakruar në një pyll të Francës. Pasi iu dha lamtumira në shtëpinë e nënës së saj, në orën 14:00, trupi i pajetë i 37- vjeçares u përcoll për në banesën e fundit.

nena-brunilda

Nëna e vajzës, Fatime Kovaçi, dhe familjarët e saj kanë deklaruar se nuk i ndihmoi askush për sjelljen e trupit të pajetë të vajzës nga Franca në Shqipëri. Ata pohojnë se janë kredhur në borxhe për marrjen e trupit të Brunildës, ndërkohë që djalin e saj 3- vjeçar, Leonardon, nuk kanë mundur dot ta marrin në Shqipëri, sepse nuk i ka lejuar shteti francez, për shkak të mungesës së dokumentacionit të plotë.

Ndërkohë, një ditë pas ngjarjes së rëndë, familjarët e viktimës, në një intervistë për “News 24”, apeluan për ndihmë, ku kërkonin që shteti t’i ndihmonte për të sjellë trupin e vajzës.

VELLAI NE BURG

Një tjetër ngjarje e rëndë ka tronditur familjen Kovaçi në Berat. Pasi dje përcollën për në banesën e fundit Brunilda Kovaçin, e cila u gjet e vrarë në një pyll në Francë, vëllai i saj, Shpëtim Kovaçi, ka tentuar që të vetëvritet, pasi nuk i dhanë leje nga burgu për të marrë pjesë në funeral. Ngjarja ndodhi brenda ambienteve të burgut të Beratit, ku i riu ishte duke vuajtur dënimin.

Burimet thanë se Shpëtim Kovaçi ka tentuar të presë damarët e fytit me briskun e rrojës. Ai është gjetur i gjakosur në dhomë nga policët e burgut, të cilët e kanë sjellë me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Beratit, ku ndodhet në Sallën e Operacionit. Mjekët e Urgjencës kanë deklaruar se ai është jashtë rrezikut për jetën. Pas mjekimit, është transportuar sërish drejt IEPV-së Berat. Shpëtim Kovaçi, 32 vjeç, prej 8 vitesh është në burg, pasi akuzohet për vrasje.

VRASJA NE FRANCE

Brunilda Kovaçi, nënë e një fëmije të mitur, u gjet e vrarë dhe e djegur në një pyll të Francës, më 25 dhjetor të vitit që kaloi. Pasi mësuan lajmin, familjarët e Brunilda Kovaçit, nga Berati, apeluan për ndihmë. Fatime Kovaçi, 56-vjeçe, nëna e Brunildës, tregonte mes lotësh se si e mësoi lajmin e hidhur.

Ajo tregon se ishte një telefonatë që i erdhi në mbrëmje nga bashkëjetuesi i vajzës, njëkohësisht edhe babai i djalit 3- vjeçar, Leonardos, i cili i tha se vajza është gjetur e vdekur dhe se familja duhet të shkojë për të tërhequr kufomën brenda një jave, pasi në të kundërt, shteti francez e varros atje. Fatimja tregon se Brunilda kishte shkuar në Francë 4 vite më parë dhe jetonte atje me një shtetas shqiptar, me të cilin në Francë ka lindur edhe një djalë.

Djali, Leonardoja, që është 3-vjeç dhe aktualisht pas vdekjes së Brunildës ndodhet nën kujdesin e shtetit francez, sepse i ati jeton në Tiranë dhe nuk mund të shkojë për të marrë djalin në Francë, duke qenë se në atë shtet ka “ekspuls”.

Nëna e viktimës tregon se Brunilda i merrte rregullisht në telefon dhe shpeshherë u dërgonte lekë për t’u ushqyer, pasi familja e saj jeton në kushte të vështira ekonomike.

Nëna e Brunildës i bënte apel shtetit ta ndihmojë për të sjellë në Berat trupin e vajzës së vdekur dhe djalin e saj 3-vjeçar Leonardon.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura