SPAK merr të pandehur kryetarin e bashkisë Mallakastër. Regjistron procedim penal, akuzohet për veprën penale…

Nov 1, 2021 | 16:08
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka marrë si të pandehur kryebashkiakun socialist të Mallakastrës, Qerim Ismailaj, i cili më parë është denoncuar edhe nga Partia Demokratike.

Në njoftimin e SPAK thuhet se është regjistruar procedimi penal në ngarkim të tij, si i dyshuar për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.

“Në kuadër të këtij procedimi penal janë kryer një sërë veprimesh hetimore dhe në përfundim është konkluduar se shtetasi Qerim Ismailaj, ka konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 190, paragrafi i parë i Kodit Penal, e për rrjedhojë, i është komunikuar akuza, është marrë me cilësinë e të pandehurit dhe janë përfunduar hetimet”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, më datë 07.09.2021, ka regjistruar procedimin penal me Nr.236/2021, në ngarkim të shtetasit Qerim Ismailaj, me funksion Kryetar i Bashkisë Mallakastër, si i dyshuar për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal.

Në kuadër të këtij procedimi penal janë kryer një sërë veprimesh hetimore dhe në përfundim është konkluduar se shtetasi Qerim Ismailaj, ka konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 190, paragrafi i parë i Kodit Penal, e për rrjedhojë, i është komunikuar akuza, është marrë me cilësinë e të pandehurit dhe janë përfunduar hetimet.

Sot me datë 01.11.2021 nga Prokuroria e Posaçme është dërguar kërkesa për gjykimin e çështjes pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, në ngarkim të të pandehurit Qerim Ismailaj, me funksion Kryetar i Bashkisë Mallakastër, për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” të parashikuar nga neni 190 paragrafi i parë i Kodit Penal.

HETIMET 

Kryetari i Bashkisë Mallakastër, Qerim Ismailaj, rezulton i dënuar me 3 vite burg në Greqi, për dy vepra penale.

Pas hetimeve të kryera nga prokuroria, kryebashkiaku i denoncuar nga Partia Demokratike, rezulton me probleme me ligjin e Dekriminalizimit.

Sipas Prokurorisë shqiptare, ai është dënuar në vitin 2000 me vendim të formës së prerë nga një gjykatë greke, për dy vepra penale. Por ky dënim, në Shqipëri korespondon me një dënim vetëm me gjobë, për një vepër penale.

DENONCIMI I PD

Verifikimi u krye pas denoncimit të Partisë Demokratike në janar të vitit 2020, me pretendimin se Ismailaj ishte dënuar për kryerjen e veprimeve të dhunshme në Greqi, por se nuk e ka vuajtur dënimin. “Sipas ligjit të dekriminalizimit, Qerim Ismailaj nuk mund të ushtrojë asnjë funksion publik, aq më pak të jetë kandidat për Kryetar Bashkie,” deklaroi atëherë sekretari i PD-së, Gazmend Bardhi duke e konsideruar Ismailajn subjekt ndalimi sipas ligjit të dekriminalizimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura