Vetingu/ Shkarkimi i prokurorit Hoti, KLP hyn në ngërç

SHPËRNDAJE

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi që të shkarkojë nga detyra Bujar Hotin, prokuror pranë Prokurorisë së Apelit Durrës. Sipas KPK-së, Hoti ka pasuri të pajustifikuar dhe për këtë arsye, nuk krijoi nivel të besueshëm për të vijuar detyrën.

 

Prokurori i Durrësit është kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe si i tillë, është përfshirë në listën e përparësisë për t’iu nënshtruar vetingut. Mirëpo, me shkarkimin e tij, KLP-ja hyn në ngërç, pasi ai bëhet i treti prokuror nga Apeli që shkarkohet. Ligji e ka të përcaktuar, që të ngrihet KLP-ja, duhet të ketë të paktën dy prokurorë nga Apelet në përbërjen e saj. Deri më tani, ka kaluar vetëm Dollapaj, ndërsa janë shkarkuar Nikëhasani, Kaloçi dhe Hoti, që u shkarkua ditën e djeshme.

Sipas KPK-së, prokurori Hoti zotëron një apartament banimi 157 metra katrorë me një shtesë 30 metra katrorë në Durrës. Prokurori ka nën pronësi edhe një automjet të blerë për 6500 euro; një tokë arë 4 mijë metra katrorë në Spitallë të Durrësit, marrë nëpërmjet Ligjit 7501 për ndarjen e pronave; një zyrë noteriale me sipërfaqe 41.3 metra katrorë me një shtesë prej 19.6 metrash katrorë. Në sitë është futur edhe pasuria e së shoqes së tij, e cila ka deklaruar 43 milionë lekë të ardhura nga viti 2003 deri në vitin 2016 nga puna si notere. Ndërsa Hoti të ardhurat e tij i ka llogaritur si 22 milionë lekë nga viti 2003 deri në vitin 2016. Dyshimet janë mbi apartamentin 157 metra katrorë të porositur në vitin 2004 me një vlerë prej 70 mijë eurosh.

Hoti vetë ka deklaruar se apartamentin e ka blerë për 68 mijë euro. KPK konkludon se Hoti ka deklaruar një çmim dhe kontratë fiktive për blerjen e apartamentit dhe nuk ka deklaruar shtesën prej 30 metrash katrorë, që përdoret si garazh. Gjithashtu, probleme janë vërejtur edhe në tokën arë në Spitallë të marrë me Ligjin 7501. Sipas KPK-së, prokurori është zhvendosur nga Qerreti drejt Durrësit në vitin 1990 dhe meqenëse kishte marrë banesë, nuk mund të trajtohej me pronë aty.

Po kështu, toka, sipas KPK-së, nuk mund të jetë bujqësore, pasi ndodhet në bregdet. Për pasurinë, pati edhe debate mes vëzhguesit ndërkombëtar dhe Hotit, i cili është mbrojtur për banesën, duke thënë se kontratat kanë qenë një gabim i firmës së ndërtimit. Mirëpo Jacobs i ONM-së, i rekomandoi Hotit që “të tregonte të vërtetën”.

“Ju po na thoni se keni blerë bukë te kasapi dhe prisni që ne ta besojmë këtë. Ne këtu presim të na thuash të vërtetat. Ju folët edhe për kursime që nuk i keni deklaruar asnjëherë. Morët një kredi 70 mijë euro dhe këto para përfunduan në llogarinë bankare personale të një administratori firme”, tha ai.

KËSHILLI I LARTË I PROKURORISË

KLP është një ndër institucionet e reja që pritet t’i japë formë Reformës në Drejtësi në organin e akuzës. Mirëpo, ky këshill rrezikon të ngrihet në vjeshtë, pasi tre kandidatë nga prokuroritë e Apelit nuk kanë mundur do të kalojnë vetingun. Për këtë arsye, duhet që tashmë të shpallen vakancat dhe të shprehin interes prokurorë të tjerë të Apeleve dhe të kalojnë vetingun që të ngrihet ky këshill, i domosdoshëm për emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm.

PANORAMA

 

Te lidhura

 

Artikulli paraprakKeni ende kohë për plazh? Sinoptikanët: Ja si do të jetë moti 10-ditëshin e dytë të Shtatorit
Artikulli tjetërArsyet e vërteta pse ai ju injoron, shpjeguar nga një burrë

S'KA KOMENTE

Comments are closed.