Shkarkohet nga detyra gjyqtari i Kushtetueses, nuk justifikoi pasurinë

Mar 24, 2018 | 10:40
SHPËRNDAJE

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shpallur sot vendimin për gjyqtarin Fatos Lulo dhe në përfundim të procesit të rivlerësimit trupa gjykuese vendosi shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, zotit Fatos Lulo, gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

fatos lulo

“Vendimi i arsyetuar me shkrim i njoftohet subjektit të rivlerësimit, komisionerëve publikë dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve pas përfundimit të kësaj seance dhe subjekti ka te drejte ankimimi”, tha kryetarja e trupës gjykuese Genta Tafa Bungo.

Pasuria e anëtarit të Kushtetueses, avokati: Gjyqtari jeton ende në…

Më 21 mars, u zhvillua seanca dëgjimore ndaj gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo, në lidhje me procesin e rivlerësimit të tij nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

komisioni kpk fatos lulo

 Vetë gjyqtari nuk ishte i pranishëm në seancë, por ai përfaqësohej nga avokati Ardian Visha. Gjyqtari Lulo akuzohet nga KPK-ja për deklarim të rremë të pasurisë në ILDKPKI dhe në seancën e djeshme ai dha të gjitha sqarimet për akuzat. Konkretisht, sipas KPK-së, në formularët e deklarimit të pasurisë së Lulos ka disa asete të cilat sipas KPK-së, gjyqtari nuk është në gjendje që të shpjegojë burimet financiare të tyre.

Ato përfshijnë pasuri të paluajtshme, si një apartament në rrugën “Sami Frashëri” në Tiranë, një apartament te rruga e “Durrësit”, si edhe një zyrë në rrugën “Ismail Qemali”. Gjithashtu, sipas relatores së çështjes, Etleda Çiftja, KPK-ja vlerëson si deklarim të rremë edhe dhuratën e marrë nga e motra, Drita Lulo, në vitin 2008 që kap vlerën e 100 mijë dollarëve, shitjen e një apartamenti në Toronto të Kanadasë me vlerë 160 mijë dollarë, si edhe një hua 480 mijë dollarësh, që gjyqtari Lulo ia ka marrë së motrës dhe ia ka shlyer më pas.

Gjithashtu, e dyshimtë sipas KPK-së, është edhe një depozitë bankare me 400 mijë dollarë, që sipas gjyqtarit, rrjedh nga puna e tij si emigrant në Kanada. Mirëpo, avokati i tij, Ardian Visha, i hodhi poshtë akuzat për deklarim të rremë të pasurisë.

ardian visha

Sipas tij, akti i vlerësimit të pasurisë së Lulos nga ILDKPKI është i mangët dhe përmbledh një periudhë prej 14 vjetësh, gjatë së cilës ky institucion nuk ka ngritur ndonjëherë akuza për deklarimet e gjyqtarit. Gjithashtu, sipas Vishës, Tatimet nuk kanë pasur dokumentacione për një periudhë nga viti 1994 deri në vitin 1999, kur Fatos Lulo ka ushtruar profesionin e avokatit në Tiranë.

Sa u përket dhuratave nga e motra, Drita Lulo, avokati tha se ajo ka të ardhura të mjaftueshme për t’i justifikuar ato. Ai ka dorëzuar një pasqyrë të të ardhurave të Drita Lulos pranë treshes së gjyqtarëve të Komisionit seancën e djeshme për periudhat kohore 2011-2017. Sipas tij, Drita Lulo ka punuar më parë si inxhiniere në një kompani prestigjioze ndërtimi.

Sipas Vishës, e motra i dhuroi një zyrë Lulos, pasi ky i kishte dhënë më parë, në vitin 1997, shtëpinë e prindërve. Avokati gjithashtu pretendoi se huaja nga e motra ishte marrë për një projekt biznesi në Kanada, i cili nuk ishte konkretizuar dhe paratë i janë kthyer sërish Drita Lulos. Trupa gjykuese e Komisionit, pasi mori materialet nga avokati i Fatos Lulos, mbylli seancën duke lajmëruar se vendimi për të do të jepet ditën e premte.

Pas seancës dëgjimore, avokati Ardian Visha dha edhe një prononcim për mediat në lidhje me akuzat e ngritura ndaj Lulos. Sipas tij, akuzat janë të ngjashme me një gjueti shtrigash. “Nuk ka gjetje nga ILDKPKI, ka përpjekje për të zhvarrosur kufoma që janë varrosur dhe janë kontrolluar nga mjeku ligjor, pra, përpjekja e ILDKPKI-së me këto rezultate është e palogjikshme”, tha ai. Lidhur me pasurinë e motrës së gjyqtarit, Visha tha: “Legjitimiteti i të ardhurave të saj, sikurse vëllazëria e shëndetshme dhe raporti tërësisht shqiptar vëlla-motër janë për ne krejtësisht të provueshme. Natyrisht, nën etiketimin e kulakut të çdo gjyqtari e prokurori e keni shumë të lehtë të thoni dhuratat qindra mijëra euro, në para janë 100 mijë dollarë dhe një zyrë kaq janë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura