Vrasja në lokal, autori me viktimën debatoi për tokat. 32-vjeçari: Isha i dehur, nuk kujtoj gjë

Mar 2, 2015 | 7:45
SHPËRNDAJE

Debati për tokat e fshatit shkaktoi vrasjen e 21-vjeçarit Eduart Zotaj në fshatin Rromës të Mallakastrës. Dëshmitarët e ndodhur në lokalin e fshatit mbrëmjen e së dielës thanë se autori i krimit Engjëll Hodaj është grindur në pije e sipër me viktimën Zotaj dhe bashkëfshatarin e tyre, Blerim Beqiraj. Fillimisht askush nuk e ka menduar se çfarë pasojash do të kishte ky debat, i cili po zhvillohej në lidhje me tokat bujqësore të fshatit Rromës.

Nga hetimet e kryera për ngjarjen ka rezultuar se tre personat ishin të ulur në një tavolinë dhe po flisnin mes tyre qetësisht, por më vonë janë ndezur gjakrat.

Kur ka parë situatën që po precipitonte dhe për ta qetësuar atë, pronari i lokalit, M.Zotaj (i cili ishte dhe xhaxhai i 21- vjeçarit që mbeti i vrarë), duke e ditur që ishin të dehur, u kishte kërkuar të largoheshin nga lokali. Autori i atentatit është parë të largohej i nervozuar nga lokali. Ai ka dalë i pari dhe është menduar se çdo gjë u qartësua, por 32- vjeçari Hodaj është kthyer brenda pak minutash i armatosur me një pushkë.

Mësohet se Hodaj i ka gjetur dy bashkëfshatarët me të cilët kishte bërë debat ende në shkallët e lokalit, duke qëlluar drejt tyre. Një plumb i vetëm dyshohet se ka kapur dy personat, 21-vjeçarin Zotaj dhe Beqirajn, 36 vjeç. Plumbi që dyshohet të ketë goditur në kokë viktimën ka bërë rikoshetë në mur dhe më pas ka gjuajtur në kraharor tjetrin.

Në trupin e të plagosurit është gjetur plumbi i vetëm, ndërsa në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë plumb tjetër. Autori pas krimit është larguar me shpejtësi nga vendngjarja, për t’u arrestuar vetëm disa orë më vonë, pasi ishte identifikuar dhe rrethuar nga policia.

AUTORI: NUK KUJTOJ GJË
Sipas Policisë, Engjëll Hodaj ka qenë në gjendje të dehur kur vrau shtetasin Eduart Zotaj dhe plagosi rëndë Blerim Beqirajn, që të dy nga fshati Rromës i Mallakastrës. Pas ngjarjes, autori u arratis nga qendra e fshatit ku bëri vrasjen.

I ndihmuar nga errësira si dhe shiu që binte me rrëmbim, ai ka arritur t’i largohet policisë. Uniformat blu kërkuan nga bashkëfshatarët e tyre që të bashkëpunonin për ta dorëzuar autorin në rast se e dinin ku fshihej. Madje, policia ishte e gatshme të ofronte edhe shpërblim për denoncuesit që tregonin vendin ku ndodhej autori Hodaj. Por përgjatë gjithë natës policia ka kërkuar në terren, duke ngritur edhe postblloqe në dalje të fshatit. Kur kanë rënë në gjurmë të autorit, efektivët e Policisë i kanë bërë thirrje 32- vjeçarit të dorëzohej pasi ishte i rrethuar.

Hodaj nuk ka bërë rezistencë, duke u dorëzuar bashkë me armën e krimit. Pas marrjes në pyetje, ai ka thënë se nuk mbante mend asgjë se si kishte ndodhur sherri dhe deri në momentin kur ka qëlluar. “U përmenda vetëm kur dëgjova të shtënën e armës dhe u largova i terrorizuar”, mësohet të ketë thënë autori. Ndërkohë, burimet nga blutë e Fierit sqarojnë se kanë gjetur armën me të cilën ai ka kryer krimin. Arma ka qenë e tipit pushkë dhjetëshe. Ajo është dërguar për ekzaminim të mëtejshëm, pasi është prova kyçe për krimin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura