PS kërkon shkarkimin e kreut të KQZ. Zguri ishte pjesë e paktit Rama- Basha

Nov 12, 2017 | 18:17
SHPËRNDAJE

Partia Socialiste ka nisur procedurat për shkarkimin e kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Klement Zguri.

taulant-balla

Kërkesa është bërë nga kreu i Grupit Parlamentar të  Partisë Socialiste, Taulant Balla i cili me anë të një statusi ne Facebook ka bere te ditur këtë vendim. Kjo kërkesë vjen pas debatit të javës së shkuar, ku PS kërkoi shkarkimin e kreut të Bashkisë Mallakastër, Agron Kapllanaj. Sipas Partisë Socialiste, Kapllanaj është i dënuar në Itali dhe duhet që të shkarkoje, por kjo kërkesë është hedhur poshtë nga opozita që ka shumicën në KQZ.

Kreu i KQZ Klement Zguri është pjesë pa paktit Rama-Basha dhe është një emër që është propozuar nga opozita. “Jemi në kushtet kur është mëse e qartë se Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Klement Zguri ka kryer shkelje të rënda të ligjit dhe përmes veprimeve e mosveprimeve të tij i shtyu sa mundi jetën politike një të zgjedhuri lokal me rekorde të rënda kriminale, vetëm e vetëm sepse është i të njëjtit krah politik me të dhe i ndikuar nga urdhërat politike. Shembull konkret dhe i patolerueshëm i njëanshmërisë së verbër politike dhe mungesës së profesionalizmit.”, shkruan ndër të tjera Taulant Balla në Facebook.

Statusi i plote:

Asnjë funksionar publik që shkel ligjin nuk mund të vazhdojë më të qëndrojë në atë detyrë. Është detyrimi i Kuvendit të Shqipërisë që menjëherë të fillojë procedurat për shkarkimin e zotit Klement Zguri nga detyra e Kryetarit të KQZ, për shkelje të rëndë të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Gjatë këtyre ditëve mbarë opinioni publik është njohur me faktin se edhe pse Prokuroria dhe Gjykata italiane i kanë konfirmuar Prokurorisë shqiptare dhe KQZ dënimin me dy vite burg “për vjedhje”…” të Agron Faslli Kapllanaj, me funksion Kryetar i Bashkisë Mallakastër, i zgjedhur me mbështetjen e Partisë Demokratike dhe për pasojë “përfshihet në fushën e ndalimit të parashikuar nga neni nenin 2, pika 1, gërma c) të ligjit 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Mbarë opinioni publik u njoh edhe me faktin se Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Klement Zguri me paramendim vendosi të fshehë dhe të arkivojë pa e shqyrtuar në KQZ vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme për subjektin deklarues Agron Faslli Kapllanajn.

Jemi në kushtet kur është mëse e qartë se Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Klement Zguri ka kryer shkelje të rënda të ligjit dhe përmes veprimeve e mosveprimeve të tij i shtyu sa mundi jetën politike një të zgjedhuri lokal me rekorde të rënda kriminale, vetëm e vetëm sepse është i të njëjtit krah politik me të dhe i ndikuar nga urdhërat politike. Shembull konkret dhe i patolerueshëm i njëanshmërisë së verbër politike dhe mungesës së profesionalizmit.

Vlerësimi individual që Klement Zguri i ka bërë çështjes në fjalë nga pozita e drejtuesit të KQZ është shkelje e hapur e ligjit nga ana e tij. Duhej të ishte Komisioni si organ kolegjial dhe jo Kryetari si individ struktura që duhej të shqyrtonte (maksimalisht brenda 10 ditëve, sipas ligjit) në mbledhje publike rezultatet e vendimit të Prokurorisë.

Vendimi individual i Klement Zguri, për të mos e thirrur mbledhjen e KQZ dhe për ta arkivuar vendimin e Sektorit të Verifikimit të Integritetit pranë Prokurorisë së Përgjithshme, i cili pranon literalisht se subjekti deklarues Agron Faslli Kapllanaj, me funksion Kryetar i Bashkisë Mallakastër, i zgjedhur me mbështetjen e Partisë Demokratike “përfshihet në fushën e ndalimit të parashikuar nga neni nenin 2, pika 1, gërma c) të ligjit 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” është marrje e kompetencës kolegjiale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe në kundërshtim flagrant me nenin 5, pika 4, gërma “a”; nenin 10; nenin 15, pikat 3 e 4 të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” dhe Kreun III, pikat 12, 13, e 14 të Vendimit nr.17/2016 të Kuvendit të Shqipërisë “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në Ligjin nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike””.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura