Policia identifikon autorin e vrasjes së taksistit, shoqërohen disa persona

| 14:55
SHPËRNDAJE
 

Krimet e Rënda në Policinë e Tiranës duket se kanë identifikuar autorin e vrasjes së taksistit 71-vjeçar Abdulla Budlla.

Dy ditë pas krimit të mistershëm, burimet thonë për “News24” se sot ka nisur një operacion policor.

Gjatë mesditës janë shoqëruar disa persona në zonën e Rinasit dhe Niklës.

***

Adbulla Budlla është qëlluar me 7 plumba nga një makinë në lëvizje, por në vendngjarje nuk janë gjetur gëzhoja. Kjo duket se flet për një krim të organizuar, gjë që përjashton mundësinë e ndonjë vrasjeje pas një konflikti të çastit.

Abdulla Budlla

Nga ana tjetër, duke qenë se dy prej djemve të viktimës jetojnë në Itali prej vitesh, autoritetet shqiptare u kanë nisur një kërkesë atyre italiane, për të mësuar më shumë rreth veprimtarisë së tyre. Ndonëse deri tani as viktima, as 3 djemtë e tij, qoftë ata në Itali, apo edhe djali tjetër që punon taksist pranë Rinasit, nuk rezultojnë problematikë apo me precedentë penalë.

Viktima, 71-vjeçari Abdulla Budlla, banues në fshatin Ahmetaq të Tiranës, i cili punonte si taksist, ndonëse i palicencuar, u ekzekutua të hënën rreth orës 16:45, në FushëPrezë, pranë kryqëzimit me rrugën e Rinasit. Nisur nga dëshmitë e para që janë marrë nga Policia pranë vendit të ngjarjes, i moshuari dyshohet se është qëlluar për vdekje nga një makinë në lëvizje, që më pas është “zhdukur” me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

abdulla budlla fushe preze

“Në Fushë-Prezë, në kryqëzimin me rrugën e Rinasit, një shtetas 71 vjeç, është konstatuar i shtrirë në anë të rrugës, i cili ka ndërruar jetë. Paraprakisht dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit. Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor që vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Paraprakisht dyshohet se është qëlluar me armë zjarri nga një mjet në lëvizje. Viktima quhet Abdulla Budlla, 71 vjeç, nga fshati Ahmetaq, Njësia Prezë. Në vendngjarje është gjetur edhe mjeti që lëvizte viktima, por vetë ai është gjetur i vrarë jashtë mjetit”, thanë dje burime nga Policia.

NGJARJA DHE HETIMI

Rreth orës 16:45, Policia e Tiranës është njoftuar për një trup të pajetë që ishte konstatuar nga kalimtarët në FushëPrezë, pranë kryqëzimit me rrugën e Rinasit. Dëshmitarët u kanë treguar policëve të parë që kanë mbërritur në vendngjarje që kanë dëgjuar të shtëna arme zjarri dhe kanë parë një makinë që largohej me shpejtësi.

Zyrtarisht, Policia thotë se 71-vjeçari Abdulla Budlla është vrarë në rrethana të paqarta. Nga verifikimet paraprake që janë kryer nga Policia, nuk rezulton që i moshuari të ketë precedentë të mëparshëm penalë. Gjithashtu, janë verifikuar edhe tre djemtë e tij, dy prej të cilëve jetojnë jashtë vendit me familjet, që po ashtu rezultojnë pa probleme me drejtësinë.

Edhe djali tjetër, i cili jeton në fshatin Ahmetaq dhe punon si taksist pranë Aeroportit të Rinasit, nuk rezulton me precedentë. Burimet thanë dje se ende nuk dihen motivet e vrasjes së 71- vjeçarit Abdulla Budlla.

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.