Plagosja e 2 të rinjve, policia shpall në kërkim bashkëpunëtorët, sekuestrohen edhe tre makina

Jul 25, 2021 | 13:38
SHPËRNDAJE

Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me plagosjen e dy të rinjve një ditë më parë në Tiranë, Altin Gjokës dhe Jetmir Marashit.

plagosja 111

Policia thotë se ka shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë, si bashkepunëtorë në ngjarje, ndersa jane bllokuar edhe tre automjete.

Sipas bluve të Tiranës personat e shpallur ne kerkim jane Nj. K., 25 vjeç dhe B. P., 22 vjeç.

“Në vijim të ngjarjes së ndodhur mbremjën e djeshme ku mbetën  të plagosur shtetasit Altin Gjoka dhe Jetmir Marashi dhe u shpall në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes shtetasi A. I(Gj), specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.1 kanë vijuar me hetime më të thelluara duke shpallur në kërkim dhe dy shtetas të tjerë konkretisht shtetasit Nj. K., 25 vjeç dhe B. P., 22 vjeç, të dyshuar si bashkëpunëtor të autorit të ngjarjes.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 3 mjete, njëri prej të cilëve ishte mjeti tip “Audi” në përdorim nga autori i ngjarjes shtetasi A. I(Gj).”, thote policia.

KUSH ESHTE AUTORI

Autori i dyshuar i plagosjes së dyfishtë, Aldo Gjini (Iamandi), rezulton të jetë një ndër personat më të kërkuar në Europë nga EUROPOL.

Panorama.al mëson që ndërsa 31-vjeçari lëvizte i lirë në Shqipëri, ai ishte në kërkim ndërkombëtar për akuzat: tentativë vrasje, trafikim armësh dhe municionesh luftarake.

Dyshohet se në 24 nëntor të 2020-ës shtetasi në fjalë ka kryer një tentative vrasjeje në Remich të Luksemburgut. Autoritetet në Luksemburg e konsiderojnë shqiptarin “jashtëzakonisht të rrezikshëm”. 

Aldo Gjini qëlloi me pistoletë një person dhe më pas ishte arratisur në Belgjikë ku drejtonte një automjet tip Mercedes G AMG.

Në vitin 2016 ai ka rënë në prangat e policisë italiane për shpërndarje droge.

Më 11 Shkurt 2021 u lëshua urdhër-arresti ndërkombëtar për të dhe prej atëhere ai ka qenë në kërkim. Policia ka ngritur postblloqe në rrugët e Tiranës, për të bërë të mundur kapjen e tij.

NGJARJA

“Blutë” bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit, ndërsa është identifikuar edhe autori i dyshuar. Mësohet se të  plagosurit janë 32-vjeçari Altin Gjoka dhe 28-vjeçari Jetmir Marashi.

Dyshohet se konflikti nisi pas “fërkimit” të automjetit të agresorit me dy personat e tjerë që ndodheshin në makinën tjetër. Fill pas kësaj ngjarje, në lokal nisi një sherr verbal mes të rinjve që u përshkallëzua deri në përdorimin e armëve.

Dy të plagosurit janë transportuar menjëherë drejt spitalit me makina të rastit dhe mësohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura