Detajet/ Pengmarrja në Kamzë për kokainën, kush u arrestua nga RENEA në Shijak. Në pranga edhe një grua që kishte …

| 8:54
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Forcat Speciale RENEA rrethuan dje Shijakun që prej orëve të para të mëngjesit, pasi gjurmët e 48-vjeçarit Jan Prenga, që u mor peng në Kamzë më 17 janar, e çuan Policinë drejt bizneseve të vëllezërve Hajri, të hetuar disa herë për trafik droge. 

pengmarrja kamze

Deri mesditën e djeshme nuk u arrit të mësohej asgjë rreth fatit të personit të rrëmbyer, ndonëse burimet thanë se nga kamerat e sigurisë së një lokali, ishte parë duke u futur aty me forcë. Burimet thanë se gjatë këtij operacioni, që u kryen një sërë kontrollesh, u arrestuan dy persona, Leonard Hajri dhe një grua.

Kjo e fundit rezulton të kishte me qira lokalin ku dyshohet se ishte mbajtur peng 48-vjeçari nga Puka, me banim në Bathore. Ndërsa aktori kryesor i pengmarrjes, që sipas burimeve nga Policia është Altin Hajri, një emër mjaft i njohur për drejtësinë shqiptare dhe amerikane, nuk u arrit të gjendej, duke u shpallur në kërkim.

Të njëjtat burime thanë dje se nga hetimet e kryera që prej momentit kur Jan Prenga u rrëmbye në Kamzë, pasi u dhunua nga dy persona të maskuar që e futën me forcë në makinë, dyshohet se ngjarja lidhet me një sasi prej 60 kg kokainë. Sasi kjo që, sipas Policisë, ishte marrë në dorëzim nga njëri prej vëllezërve të Prengës, i cili për shkak se u arrestua në Londër, në vitin 2017, nuk arriti t’ua dorëzonte personave që ia kishin besuar.

PENGMARRJA

Që pas verifikimeve të para që u kryen pas pengmarrjes së ndodhur më 17 janar në Kamzë, Policia u orientua te konfliktet që 48-vjeçari nga Puka mund të ketë pasur në Greqi ose dhe te rekordet kriminale të njërit prej vëllezërve, i cili vuan dënimin për drogë në Angli. Policia ka dyshime se pengmarrja mund të jetë një lloj presioni që autorët e dyshuar duan t’iu bëjnë vëllezërve të Prengës.

Kjo dhe për faktin se ai u mor peng pikërisht pranë banesave të vëllezërve në Kamzë, në rrugën “London”, teksa shkonte të kujdesej për to. Në Polici, familjarët e 48- vjeçarit, baba i 3 fëmijëve, nuk iu kanë dhënë asnjë informacion në lidhje me konfliktet që ai mund të ketë pasur gjatë punës së tij si emigrant në Greqi apo ndonjë dyshim për konflikte që kanë shkak rekordet kriminale të vëllait të dënuar për trafik droge në Angli.

Jan Prenga u mor peng mesditën e datës 17 janar nga 2 persona të paidentifikuar, të cilët lëviznin me një makinë “Range Rover” të bardhë. Polica, nëpërmjet kamerave të sigurisë, gjurmoi lëvizjet e tyre deri në hyrje të FushëKrujës. Më pas, një makinë e ngjashme u gjet e djegur.

Fillimisht, ai u dhunua fizikisht e më pas dy autorët e morën peng, duke u larguar me shpejtësi me një automjet dhe pas lanë vetëm disa njolla gjaku në asfalt. Ngjarja ndodhi në orën 11:44, në rrugën “London”, në Kamzë, të Tiranës. Policia është lajmëruar nga dëshmitarët për ngjarjen e ndodhur dhe shërbimet kanë shkuar me shpejtësi në vendin ku kishte ndodhur konflikti e më pas edhe pengmarrja.

PANORAMA

Te lidhura

Subscribe


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.