Pasi Meta ktheu ligjin për Teatrin, Presidenca i përgjigjet kritikëve: Ata që u shqetësuan, i ftoj…

Jul 28, 2018 | 22:04
SHPËRNDAJE

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka refuzuar dje hyrjen në fuqi të ligjit që i hap rrugë Teatrit Kombëtar, duke ia rikthyer edhe njëherë Parlamentit për rishqyrtim. Në argumentet e tij ligjore, Presidenti ka listuar 8 shkelje ligjore, për të cilat në kushte normale ka theksuar se do të kërkonte që të shprehej Gjykata Kushtetuese. Por në situatën aktuale ku Kushtetuesja ka dalë jashtë funksionit, Meta u kërkon deputetëve të rishikojnë edhe një herë nismën.

Presidenti-Meta-1

“Nga sa më sipër, rezulton se ligji nr.37/ 2018, cenon jo vetëm parimin e sigurisë ligjore, por ai trondit edhe stabilitetin ligjor aktual, mbi të cilin rregullohen marrëdhëniet e pronësisë dhe zhvillimit të saj, referuar akteve ligjore në fuqi. Në kushtet aktuale, kur Gjykata Kushtetuese nuk ushtron funksionet sublime të saj, të kontrollit kushtetues të normave që nxirren nga qeveria dhe Kuvendi apo të interpretimit të Kushtetutës, roli i Presidentit të Republikës, për të vlerësuar nismat ligjvënëse merr një përgjegjësi tjetër, pasi mbetet institucioni i fundit ku veprimtaria legjislative mund të kontrollohet mbi pajtueshmërinë e ligjit me Kushtetutën. Presidenti i Republikës, në cilësinë e Kreut të Shtetit dhe si përfaqësues i unitetit të popullit, bazuar në nenin 85 pika 1, 86 pika 1, 92/a, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ka vendosur që ky ligj duhet të rikthehet edhe një herë në Kuvend, me qëllim që kjo çështje, të marrë kohën dhe vëmendjen e duhur, për t’u vlerësuar përsëri nga Kuvendi”, thekson kreu i shtetit.

Sot Presidenca ka reaguar në përgjigje të reagimeve që shkaktoi ky vendim:

Reagim i Zëdhënësit të Presidentit të Republikës, Tedi Blushi

28 korrik 2018

Presidenti i Republikës, duke ndjekur reagimet politike pas publikimit të dekretit për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, shpreh keqardhjen për reagimet sipërfaqësore, emocionale e të pathelluara.

Presidenti i Republikës i fton të gjithë të shqetësuarit për ndërtimin e një teatri të ri të kenë durim e të lexojnë me objektivitet dekretin, të gjithë arsyetimin, argumentet dhe konstatimet ligjore të cilat bazohen vetëm në Kushtetutën e Shqipërisë, konventat e marrëveshjet ndërkombëtare ku vendi ynë është palë, detyrimet që lindin prej tyre dhe legjislacionin tonë në fuqi.

Dekreti i Presidentit të Republikës i mbështet argumentet vetëm mbi dokumentacionin zyrtar bashkëshoqërues të ardhur nga Kuvendi i Shqipërisë.

Presidenti i Republikës është i bindur se, nëse të gjithë do të udhëhiqen vetëm nga interesi kombëtar dhe publik, jo vetëm garantohet ruajtja e kompleksit teatror e restaurimi i tij si pjesë e trashëgimisë kombëtare, por edhe garantohet ndërtim i teatrit të ri në mënyrën më transparente e më të përgjegjshme, duke respektuar plotësisht legjislacionin aktual si dhe duke shmangur çdo konflikt artificial.

Me këtë rast Presidenti i Republikës fton të gjithë të interesuarit për zgjidhje të lexojnë me vëmendje në faqen zyrtare të Institucionit të Presidentit të Republikës http://president.al/njoftim-per-media/ dekretin, arsyet e kthimi për rishqyrtim në Kuvend të këtij ligji.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura