PDK i bashkohet koalicionit të majtë. Ndoka: PD refuzoi bashkëpunimin, negociata me PS për tri bashki

Apr 21, 2015 | 7:44
SHPËRNDAJE

Partia Demokristiane ka vendosur dje t’i bashkohet koalicionit të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 21 qershorit. Pas mbledhjes së kryesisë, kryetari i PDK-së, Nard Ndoka është shprehur se PD i ka mbyllur të gjitha dyert e bashkëpunimit, ndaj dhe kalimi në koalicionin qeverisës sipas tij ishte i detyrueshëm. 

Rama dhe Ndoka

Bashkëpunimi me 40 partitë e koalicionit të majtë do të jetë si në daljen me kandidatë të përbashkët, në administrimin e votave, si dhe në administrimin e pushtetit pas votimeve.

QËNDRIMI
Në deklaratën e dhënë për mediat pas mbledhjes së Kryesisë, PDK akuzon selinë blu për dështimin e bisedimeve. “PD në mënyrë të njëanshme refuzoi bashkëpunimin me PDK dhe ofertën e Partisë Demokristiane në njësi të veçanta zgjedhore, ku kandidatët e saj rezultonin fitues dhe ku PDK ka një mbështetje të konfirmuar elektorale në të gjitha proceset zgjedhore”, thuhet në deklaratë.

Po ashtu, PDK ka vendosur të vijojë bisedimet me Partinë Socialiste për nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi. “Në mbledhjen e sotme, Kryesia e PDK-së shqyrtoi gjithashtu ofertën për bashkëpunim dhe bashkëqeverisje të Partisë Socialiste, dhe vendosi të bëhet pjesë e koalicionit zgjedhor të drejtuar nga koalicioni qeverisës”, thuhet në deklaratë.

Ndërkohë, rezerva për koalicionin e djathtë tashmë kanë dhënë dhe legalistët, të cilët kanë tërhequr vëmendjen për vonesat në firmosjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi për zgjedhjet vendore.

BISEDIMET
Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, tha dje se me Partinë Socialiste do të negociohet bashkëpunimi në tri bashki. Ndërsa një tjetër pikë e diskutimit do të jetë dhe mbrojtja e votave të PDKsë në zgjedhjet e 21 qershorit.

Megjithatë do të duhet që sot mes PS-së dhe PDK-së të firmoset marrëveshja përfundimtare, duke bërë që koalicioni i majtë të kalojë numrin e 41 partive. “PDK do të konkurrojë me kandidatët e saj në të gjitha njësitë zgjedhore për këshilltarë bashkiakë, duke u përfaqësuar me dinjitet alternativën demokristiane në qeverisjen lokale dhe qendrore”, tha dje Ndoka. 

BRAHIM SHIMA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura