Gjykata ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg, për Eno Papajn (Beqiri), të cilit iu gjet një arsenal armësh.
Eno Papa (Beqiri) u vu në prangat e Policisë në kuadër të një aksioni të koduar “Silent 2”, për shkak se në ambientet që ai kishte me qira pranë “Liqenit të Thatë”, u kap një arsenal me armë.
Pas kontrollit, Policia sekuestroi 2 snajperë, 4 armë zjarri kallashnikov, 2 armë zjarri automatike, 4 armë zjarri pistoleta me silenciator, 85 pako me fishekë të kalibrave të ndryshëm, një sasi e konsiderueshme krehra armësh, pjesë të ndryshme armësh, shënjestra optike për armët e precizionit (snajper), tre kallëpe tritoli, sasi lënde e dyshuar eksplozive, 2 palë portotarga elektrike për fshehjen e targave, një automjet, 3 aparate celulare, 2 laptopë, 5 paruke dhe një pasaportë e dyshuar e falsifikuar. Këto armë të sofistikuara të sjellin në vëmendje skenat e krimit, ku shpeshherë kemi parë të përdoren armë të sofistikuara. Policia gjithashtu bëri me dije se gjatë kontrollit të banesës së marrë me qira nga shtetasi E. P. (B.), u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një automjet në përdorim nga ky shtetas, 3 aparate celulare, 2 laptopë dhe një pasaportë e dyshuar e falsifikuar.
Dëshmia e vrasësit me pagesë zbuloi arsenalin e armëve
Referuar të dhënave jozyrtare të Policisë, bëhet me dije se edhe për këtë operacion, ashtu si për operacionin e 5 ditëve më parë, blutë e Tiranës i kanë pasur indiciet e sakta, të dala nga dëshmitë e herëpashershme të Enver Jamakut, një vrasës me pagesë, i cili deri me tani ka zbuluar jo pak mbi 4 baza të rëndësishme armësh. Ditën e djeshme, Policia zbuloi armatim të një cilësie të pazakontë, duke demonstruar edhe njëherë fuqinë e grupeve të vrasësve me pagesë, të cilët i strehojnë armët në mes të Tiranës.