I dënuar me 16 vjet për vrasje, mashtroi në Rinas duke dhënë emër të rremë. Si u zbulua 54-vjeçari me dy identitete, detajet

Sep 12, 2020 | 9:10
SHPËRNDAJE

U prezantua në Policinë Kufitare të Rinasit me identitet të rremë, pasi ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje, falë verifikimeve të thelluara, shkëmbimit të informacionit në kohë mes Policisë Kufitare, Departamentit të Policisë Kriminale, autoriteteve policore angleze dhe DVP Fier, identifikohet dhe vihet në pranga.Aeroporti i Rinasit, mbyllja koronavirusi (1)

Ne pranga eshte vene 54-vjeçari Adrian Hoxha (Haziz Hysa), i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar me 16 vite burgim për vrasje.

NJOFTIMI 

Në Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas u ndalua në hyrje, për verifikim më të detajuar, një shtetas 54-vjeçar, i cili ishte kthyer deportiv nga Anglia. Në momentin e parë ky shtetas ka dhënë gjeneralitete të tjera duke bërë që punonjësit e Policisë të dyshonin për vërtetësinë e tyre.

Pas verifikimeve të thelluara nga Policia Kufitare e Rinasit në sistemin TIMS dhe dyshimeve të lindura gjatë pohimit të tij në kohën e intervistimit, si dhe pas shkëmbimit të informacionit mes Departamentit të Policisë Kriminale, autoriteteve policore angleze dhe DVP Fier, u bë i mundur identifikimi i gjeneraliteteve të vërteta dhe rezultoi se ai ishte shtetasi i shpallur në kërkim Adrian Hoxha (Haziz Hysa), 54 vjeç, banues në Siqecë, Patos, i cili udhëtonte si pasagjer i deportuar nga Anglia për në Shqipëri.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datës 17.04.1998, e ka dënuar këtë shtetas me 16 vite burgim, për veprën penale “Vrasja”.

Ky shtetas, në datën 30.01.1995, në fshatin Siqecë, Patos, ka vrarë me armë gjahu për motive të dobëta, shtetasin M. Z.

54-vjeçari iu dorëzua Patrullës së Përgjithshme të Policisë në DVP Fier, për shoqërim dhe veprime të mëtejshme dhe në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier kanë bërë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura