GJKKO cakton masën e sigurisë “Arrest me burg” për Alqi Bllakon

Mar 31, 2022 | 17:49
SHPËRNDAJE

GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për ish-deputetin e Partisë Socialiste Alqi Bllako, në lidhje me përfshirjen e tij në çështjen e inceneratorëve.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Bllako dyshohet për veprat penale “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”.

Një ditë më parë, Alqi Bllako dorëzoi në Kryesinë e Kuvendit letrën e dorëheqjes nga mandati i deputetit, një kërkesë që është pranuar. Kjo i hapi rrugë arrestimit të tij.

alqibllako2

Në dosjen hetimore të siguruar nga Panorama.al, rezulton se Alqi Bllako në kohën kur ishte Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, në bashkëpunim me ish-ministrin Lefter Koka dhe Pëllumb Abeshi, kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar, duke paraqitur dhe propozuar pranë qeverisë projektvendimin dhe relacionin për shpronësim e pronës “tokë truall”, ndërkohë që rezulton se prona është “tokë arë”.

Dëmi i shkaktuar sipas hetimeve të SPAK është 16 288.344 lekë. Por akuza tjetër e rëndë lidhet me pranimin e faturave fiktive për procesin e ndërtimit të inceneratorit. Mes kompanisë që ka përfituar koncesionin dhe asaj që ka bërë ndërtimin janë pranuar fatura tatimore shitjeje dhe janë paguar detyrimet financiare për disa shoqëri të tjera, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer.

Prokuroria ka sjellë si argument faktin që Bllako ka udhëtuar me Klodian Zoto nga Shqipëria në Itali dhe anasjelltas. “Referuar sistemit TIMS rezulton se në 16.4.2019 Bllako ka udhëtuar me avion drejt Torinos drejt Italisë për tukthyer një ditë më pas po me Zoton”, thuhet në argumentet e SPAK.

Sot SPAK iu drejtua zyrtarisht gjykatës së posaçme me kërkesën për caktimin e masës së sigurisë arrest me burg në mungesë për Bllakon.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura