Deputeti i zgjedhur i PS, Lefter Koka heq dorë nga mandati: E vështirë të vlerësosh kur është koha e duhur për të mbyllur një cikël

Sep 1, 2021 | 15:35
SHPËRNDAJE

202524340_4650199381661456_6002380039070028201_n

Deputeti i zgjedhur i PS, Lefter Koka ka njoftuar dorëheqjen nga mandati i deputetit.

Lajmin e ka bërë me dije vetë Koka në një postim në rrjetin social Facebook. Vendimin për lënien e mandatit, pak ditë para se të nisë legjislacioni i ri i Kuvendit, Koka thotë se ia ka komunikuar edhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ashtu edhe Kuvendit të Shqipërisë.

Në shkrimin e tij, Koka thotë se është “gjithmonë e vështirë të ndalesh një moment dhe të vlerësosh se kur është koha e duhur për të mbyllur një cikël”.

Por për deputetin e zgjedhur “sot është dita që rrugëtimin tim politik, ta vijojnë ata mijëra bashkëpunëtorë të mitë, që më bënë fitues për vite me rradhë dhe që mbase nuk kam mundur asnjëherë t’i falenderoj sa duhet”.

“Sot, e ardhmja u përket atyre!”, shkruan Lefter Koka.

Postimi i plotë i Lefter Koka:

2 dekada më parë me përgjegjësi të lartë publike, mora përsipër të garoja për të qenë zëri qytetarëve durrsakë.

Në këtë rrugëtim plot sfida, suksese e padiskutim dhe dështime, pata fatin të dëshmoj fuqinë e besimit, si dhe dinjitetin e njerëzve që punojnë çdo ditë me ndershmëri dhe përkushtim për një të ardhme më të mirë.

Në morinë e sfidave me të cilat ky rrugëtim të përball është gjithmonë e vështirë të ndalesh një moment dhe të vlerësosh se kur është koha e duhur për të mbyllur një cikël.

Sot është dita që rrugëtimin tim politik, ta vijojnë ata mijëra bashkëpunëtorë të mitë, që më bënë fitues për vite me rradhë dhe që mbase nuk kam mundur asnjëherë t’i falenderoj sa duhet. Sot, e ardhmja u përket atyre!

Me këtë vendim timin, është njohur institucionalisht si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ashtu edhe Kuvendi i Shqipërisë.

Së fundmi, mirënjohje të madhe për mundësinë , besimin dhe privilegjin e jashtëzakonshëm që më është dhënë t’i shërbej me përkushtim qytetit, vendit dhe njerëzve që dua!

Shqipëria është padyshim sot një vend më i mirë se dje, është vendi plot dritë shprese që na përket të gjithëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura