“Lajkaxhinjtë nuk hanë bar!”- Zbardhet dokumenti sekret, akuzat e Enverit ndaj ish-kryeministrit: Dikush ka thënë se strategu i madh i Shqipërisë është shoku Mehmet Shehu dhe…

Apr 16, 2022 | 13:06
SHPËRNDAJE

Enver Hoxha-Sherri-Mehmet-Shehu1DASHNOR KALOÇI/ Publikohen disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale arkivore të cilat mbajnë siglën ‘Tepër sekret’, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1981-1982, me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj., duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, “me një vajzë e cila në rrethin e saj familjar kishte disa të arratisur politikë”.

Mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të tij viti që vazhdoi deri në orët e vona të asaj nate, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit, pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë: “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, ku Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh: “Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit. Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror, etj.”! Të gjitha këto dhe të tjera dokumente me siglën ‘Tepër sekret’, do të publikohen në disa numra me radhë, ekskluzivisht nga Memorie.al.

PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË

         KOMITETI  QENDROR                                                          Sekret              

-Sektori i Përgjithshëm-

                                                        PROCES – VERBAL

                I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KQ TË PPSH TË DATAVE

                                                    17 E 18 DHJETOR 1981

Rendi i ditës: Analiza e gabimit të rëndë të kryer nga anëtari i Byrosë Politike, Mehmet Shehu, lidhur me fejesën e djalit me një vajzë me përbërje shumë të keqe politike.

Në këtë mbledhje marrin pjesë gjithë anëtarët e Byrosë Politike, me përjashtim të shokut Hekuran Isai, që nuk erdhi për arsye se mbrëmë natën, i vdiq e ëma.

SHOKU PROKOP MURRA: Ti, shoku Mehmet, nuk ke qenë për Plasën dhe skemën bile ia ke dhënë edhe Ministrisë së Bujqësisë. Unë kam shkuar nja tre herë në Ministrinë e Bujqësisë se edhe nuk i njihja fort problemet e bujqësisë, kur kam qenë këtu, në aparat të Komitetit Qendror, por nuk çaja dot, sepse drejtuesi i këtij dikasteri, kishin atje presionin tuaj.

SHOKU MEHMET SHEHU: Tani thoni ju që nuk kam qenë për Plasën dhe për intensifikimin e bujqësisë?

SHOKU PROKOP MURRA: Jo, nuk ke qenë, dhe këtë tha edhe shoku Enver tani…!

SHOKU KADRI HAZBIU: Po pse po të themi ne tani, pse po t’i biem këto shembulla? A juve ju pëlqen të dukeni, të përvetësoni edhe meritat e të tjerëve. Ja, kjo është e lidhur ngushtë me “unin” që po të vëmë në dukje, me mendjemadhësinë, me të gjitha ato që po i thonë shokët njëri pas tjetrit. Ju tani kapeni, jo është kështu, po nuk është ashtu.

SHOKU ENVER HOXHA: Këto fakte janë dhe njeri nuk të tha që nuk je për intensifikimin, vetëm të thane, se për eksperiencën e Plasës, ti nuk ke qenë i vendosur dhe fakt është që përvoja e kësaj kooperative, ka mbetur prapa, jo në Korçë, atje ka mbetur prapa vetëm 10 %, po ka mbetur prapa në zonat e tjera fushore, në rrethet e tjerë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Edhe unë e thashë këtë, shoku Enver. Kjo nuk është ideja e shokut Mehmet. Aty ku është ideja e shokut Mehmet, ai i’a bën hyzmetin si duhet punës, ndërsa kësaj të Plasës, ta themi shqip, nuk i’a ka bërë hyzmetin shoku Mehmet. Bile mbaj mend se në Kongresin e 7-të të Partisë, kemi patur bashkë një zënkë të vogël tamam për këtë çështje.

SHOKU MANUSH MYFTIU: Ne e kemi për detyrë ta ndihmojmë shokun Mehmet, po edhe ky e ka detyrë që të ndihmojë veten, të mendojë dhe të reflektojë e të mos na kërkojë neve me dhjetëra shembuj, mjafton vetëm një, se ne kështu nuk do të vazhdojmë.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, vërtetë kjo është detyra e tij. Vështirësohet puna, Mehmet, më duket mua, në qoftë se kapemi nga një çështje, si për shembull, e ka parë ti atë citatin apo nuk e ke parë. Fundi i fundit, ja edhe pse në një repart kanë vënë një citat, nuk prishet puna. Po nuk është vetëm kjo, janë mjaft gjëra të tjera që lënë të duket qartë mendjemadhësia jote dhe tendenca e mbivlerësimit dhe e lavdërimit të personit tënd. Dhe ka shumë njerëz lajkaxhinj, që gati janë të të fusin në këtë rrugë. Lajkaxhinjtë nuk hanë bar dhe kur shohin se ti i ha këto lëvdatat, janë gati të të thonë tre-katër të tjera.

SHOKU FOTO ÇAMI: Shumë nga këto të meta që manifestohen te shoku Mehmet, janë edhe në Shkollën e Partisë. Edhe shoqja Fiqret mban një pozicion të shtrembër, ajo nuk pranon ndonjë kritikë për punën që bëhet atje, nuk pranon asnjë diskutim. Me shumë vështirësi pranon ndonjë vërejtje apo sugjerim. Përgjithësisht ajo krijon përshtypjen sikur në Shkollë, çdo gjë është në rregull, sikur nuk ka vend për korrigjim, për asnjë përmirësim. Përveç kësaj, atje është krijuar një ambient i rëndë, ligjin e bën Fiqreti, ndërsa pedagogët të tërë, janë bërë si pula, nuk guxojnë të shfaqin lirisht mendimet që kanë. Për çdo gjë duhet të pyesin Fiqretin, asgjë nuk bëjnë dot pa lejen e saj.

Ka një frymë konformizmi të sëmurë te pedagogët atje, është krijuar një situatë jo e këndshme. Kjo u duk qartë edhe në mbledhjen e organizatës së Partisë të pedagogëve të Shkollës së Partisë, kur u analizua çështja e qëndrimit të Fiqretit, lidhur me fejesën e djalit. Në vend që të mbanin qëndrim dhe ta kritikonin Fiqretin për këtë veprim që kish bërë dhe për përgjegjësinë që mbante, të tërë e kthyen mbledhjen në një tribunë elozhesh, duke i bërë lavdërime Fiqretit “për një autokritikë bolshevike”, etj., etj. Ky servilizëm ka arritur deri atje sa, sipas të thënave të një shoku, në një mbrëmje që kanë bërë atje, njëri kishte ngritur dolli, duke thënë: “Ta pimë një gotë për komisaren e komisareve, për nënën e nënave”, deri në absurditete të tilla kanë arritur.

SHOKU ENVER HOXHA: Si e the këtë, na e llafos edhe një herë se nuk e kuptova?

SHOKU FOTO ÇAMI: Ngriti njëri një dolli në një darkë që u bë në Shkollën e Partisë: “për komisaren e komisareve”, “Për nënën e nënave”!

SHOKU ENVER HOXHA: Lajkaxhinjtë. Një tjetër më tha mua që në një mbledhje, qe ngrit dikush e i kish thënë: “Ç’e kritikon këtë, këtë e ka thënë strategu i madh i Shqipërisë, shoku Mehmet Shehu”! Pra, këto që bën Fiqreti, natyrisht, mbulohen edhe nën emrin e Mehmetit. Këtë duhet ta kuptojmë.

SHOKU FOTO ÇAMI: E kisha fjalën këtu shoku Enver, që duhet t’i shkojmë më thellë në këto probleme të dy së bashku, se edhe shoqja Fiqrete, është goxha kuadër, anëtare e Komitetit Qendror dhe ashtu siç mban përgjegjësi për aktin që kryen lidhur me fejesën, ashtu mban përgjegjësi edhe për këtë sjellje, e qëndrime që ka mbajtur në Shkollë, të cilat u diskutuan edhe në mbledhjen e fundit të organizatës së partisë.

Edhe për fëmijët mendoj se shoku Mehmet dhe shoqja Fiqrte duhet të mendojnë më thellë, se ka shumë probleme lidhur me edukimin e tyre. Në popull flitet shumë për sjelljen e fëmijëve, sidomos për dy djemtë e fundit. Dhe kjo është e lidhur me atë që shoku Mehmet, u ka krijuar mundësi dhe u lejon të bëjnë çdo gjë, të sillen si të duan edhe për ato gjëra që të tjerët kritikohen. Për një qafëlesh, shoku Mehmet ka bërë namin, kur ka takuar gjëkundi ndonjë të tillë, kurse te sjelljet e fëmijëve të tij, lejon gjëra që janë shumë ekstravagante dhe flagrante.

Kjo është prap lidhur me atë që po themi gjithnjë, me ndjenjën e epërsisë te ai, sipas së cilës: “Mua më lejohet të bëj çdo gjë, të tjerët nuk mund të bëjnë siç bëj unë”. Kjo lidhet me atë që gjithnjë ai, e vë veten në një pozitë të privilegjuar, të veçantë, mbi të tjerët, mbi normat, mbi vijën e Partisë.

Nga të gjitha këto vërejtje dhe kritika, mendoj se shoku Mehmet duhet të nxjerrë mendime e konkluzione, të thellohet në autokritikën e tij dhe sidomos të bëjë kthesë në qëndrime dhe veprimet konkrete në punën e tij të përditshme. Këtë e kërkon interesi i madh i Partisë dhe i vetë shokut Mehmet. Unë jam dakord me mendimin që ky veprim duhet ndëshkuar, si dhe me masën që u propozua këtu.

Nga kjo mbledhje dolën dhe shumë probleme për metodën dhe stilin e punës, të cilat na vlejnë të gjithëve dhe do të na ndihmojnë të përmirësojmë punën në frymën e detyrave të shtruara në Kongresin e 8-të të Partisë dhe përpjekjeve që duhen bërë për zbatimin e tyre.

SHOKU PROKOP MURRA: Edhe unë e lexova me kujdes autokritikën e shokut Mehmet. Aty kishte të regjistruara më shumë ngjarje, rrethana e pendime, por bëhet shumë pak analizë, nuk lidhen shkaqet që e sollën këtë gjendje. Akti i kryer nga ana e tij është shumë i rëndë, pse preket vija e Partisë, ndërsa autokritika që ka bërë, është shumë e zbehtë dhe në përgjigjet që u dha shokëve unë mendoj që deri tani ai nuk po reagon drejt, bile duket sikur nuk dëshiron të reagojë.

Shoku Mehmet u kritikua në mbledhjen e Byrosë Politike për vonesë në bërjen e autokritikës dhe për këtë çështje nuk thotë asnjë fjalë, përse ndodh kështu me të. Nga ana tjetër, unë them se edhe në dorëzimin e autokritikës, një ditë para mbledhjes së Byrosë Politike, ka ngutje nga ana e tij. Ai në autokritikë nuk thotë asnjë fjalë lidhur me problemet shumë të rëndësishme që shtroi shoku Enver në atë mbledhje të Byrosë Politike. E kuptoj se analiza për këto probleme kërkon një farë kohe, por të mos i zësh fare në gojë, të mos prononcohesh për nevojën e shikimit të të tyre e të mos solidarizohesh me përmbajtjen e problemeve që u shtruan nga shoku Enver, nuk më duket e drejtë, bile duhet të thoja, se për këto shoku Mehmet duhet të thellohet.
E porosit shoku Enver të bëjë autokritikë, ai këtë e vonon, ngre shoku Enver shumë probleme të metodës dhe stilit në punë, këto nuk i merr fare nëpër gojë! Kur me shokun Enver vepron kështu, po me shokët e tjerë pastaj?! Ata i duken si miza. Ai duhet të na ndihmonte neve me autokritikën e tij për këto çështje të mëdha që shtroi shoku Enver, që edhe ne pastaj të përpiqeshim të zbërthenim, të gjenim shkaqet e këtyre shqetësimeve të drejta që ngriti shoku Enver në fjalimin e tij.

Pse i mban këto qëndrime shoku Mehmet, nuk e di, po një gjë është e qartë, këto nuk janë harresa, sepse nga shokët edhe në mbledhjen e kaluar, i’u tha: shoku Mehmet, reflekto dhe lidhe autokritikën me këto çështje. Unë mendoj se për këto e pengon mbivlerësimi, “uni”, vënia jo rrallë e vetes së tij mbi Partinë. Nga fjala e shokut Enver në Byronë Politike dhe nga leximi i autokritikës së shokut Mehmet, unë jam përpjekur të shohë edhe veten time, ta shoh këtë lidhur me punën dhe me familjen.

Punës nuk i jam kursyer, por jo gjithmonë e kam kryer mirë atë. Unë duhet të thellohem në një sërë problemesh të rëndësishme që paraqitin shqetësime për Partinë dhe të përballoja më me kurajo rastet e euforisë dhe të qëndrimeve jo korrekte që viheshin re te shoku Mehmet dhe te disa shokë të Kryesisë. Është e vërtetë që unë kam thënë në Qeveri dhe në Kryesi: o na lini të flasim, ose mos na thërrisni kot.

Po shoku Mehmet këtë e lidh një çikë edhe me atë që tha shoqja Lenka, me qëndrimin tuaj ndaj shokëve të aparatit. Unë mund të gaboj, po ai duhet ta ketë këtë mendim. Po të ngrinim ndonjë gjë ne, ai përgjigjej: Po ju, çfarë bëni? Çfarë bën Partia? Po ne të Partisë jemi të gjithë. Në rast se do të flasësh për organizatën bazë, nuk është vendi të flitet këtu, në mbledhjen e Qeverisë. Natyrisht ne kishim përgjegjësinë tonë, po atje diskutoheshin probleme shtetërore. Prandaj unë e lidh çështjen me atë që ngriti shoqja Lenka. Me të ndodhu kështu, me mua ashtu, me shoqen e Organizatës së Gruas, kështu. A mos ka këtu një farë dekonsiderate për aparatin e Komitetit Qendror nga ana e shokut Mehmet.

Përsa i përket familjes, unë nuk kam probleme, por borxhli jam, se duhet të merrem diçka më tepër me ta. Fëmijët tanë jetojnë në popull, prandaj duhet të jenë sa më të thjeshtë, sa më modestë dhe sa më të sjellshëm. Nga fëmijët për herë të parë unë kam dëgjuar se si ndodh që shoku Mehmet, është kaq i rreptë ndaj shfaqjeve të huaja dhe tani nga ana tjetër lejon që nusja e djalit të tij, të dalë në publik me lloj-lloj modash, jo vetëm kaq, por edhe krah për krah me Fiqretin? Le pastaj për çështjen e Skënderit që u fejua me vajzën e Turdiut që fëmijët habiteshin.

Tani u unë e nxjerr këtë konkluzion: fëmijët tanë, të rinjtë tanë e njohin shumë më mirë vijën e Partisë, se sa shoku Mehmet. Në këtë drejtim më shumë kujdes duhet të kemi edhe për drejtorinë e cila na shërben neve, sepse lindin shumë pëshpëritje nga dallimet dhe merren njerëzit nëpër gojë. Këtu u thanë një sërë gjërash, por kam përshtypjen që edhe shoku Adil, që e ka këtë drejtori në linjë, duhet të ketë kujdes, se atje bëhen më parë dallimet.

Përgjegjësia e shokut Mehmet, është shumë e rendë, hapi që bëri ai është i tillë që rrallë e gjen ta bëjë edhe një komunist i thjeshtë. Në autokritikë, ai sikur merr çdo përgjegjësi mbi vete. Është e qartë që përgjegjësinë kryesore e ka ai, por mendoj se edhe shoqja Fiqrtet ka shumë përgjegjësi. Shoku Mehmet thotë në autokritikë se, duke qenë i mbyllur në vetvete për çështje familjare, influencova për të keq te shoqja Fiqiret, se ajo ndoshta mund të pyeste. Këtu ai e merr atë nën sqetull. Po kush i pengoi shokun Mehmet dhe shoqen Fiqirtet, të pyesnin? Fundi i fundit për çfarë do të pyesnin, kur biografia e vajzës ishte e qartë, qoftë nga të dhënat e shokut Feçor, qoftë dhe nga ato të vetë Skënderit.

Ai justifikohet për shpejtësinë e fejesës së Skënderit se do të shkonte në Suedi, pra po ta kishte shtyrë dhe të mos qe nxituar, ose vetë do të reflektonte, ose shokët do t’i pyeste. As për këtë unë nuk kam, bindje, pse nuk është një arsyetim i argumentuar. Po të kishte pre dispozicion për të pyetur, këtë ai duhet ta bënte, nuk duhej shumë kohë, mjaftonte gjysëm ore. Mua më duket se ai nuk ka dashur të pyesë, duke menduar se: “shokët do të vijnë dhe do të më bëjnë vizitë, të më urojnë dhe kështu çdo gjë legalizohet”.

Unë mendoj se përgjegjësi për këtë kanë edhe disa shokë të sektorëve të tjerë që kanë lejuar deri thyerjen e rregullave e të normave që janë caktuar. Për shembull, përse kjo vajzë me këtë biografi që është volejbolliste, duhet të lejohej të delte jashtë shtetit, apo pse është e skuadrës “Dinamo”? Kur jetonin në rrethe element të tillë, nuk lejoheshin të dilnin jashtë. Por edhe për lejimin e Skënderit që shoqëroi skuadrën, nuk ka dikush përgjegjësi këtu? As jo, edhe vetë shoku Mehmet, më duket mua, ka përgjegjësi në këtë çështje.

SHOKU KADRI HAZBIU: Për të nxjerrë vajzën përjashta, mendoj, nuk ka faj shoku Mehmet.

SHOKU PROKOP MURRA: Po unë nuk e kam fjalën te shoku Mehmet, po tek ai që jep aprovimin, kush e aprovon atë të shkojë? Kush e aprovonte Skënderin të shkonte me skuadrën e volejbollit? Se ilegal ai nuk ka shkuar? Dikush pra e ka aprovuar dhe ai dikush ka përgjegjësi, mendoj unë. Shoku Mehmet thotë se, po ta pyeste ndonjëri që të bënte krushqi me një familje me rreth të tillë, do të përgjigjej të mos e bënte.

Kjo është ca anakronike, pse edhe sikur të nisej nga mendimi, që kjo vajzë nuk do të ndikonte në familjen e tij, sepse gjoja e ndiente veten të imunizuar ndaj influencës së armikut, por nuk mendonte ai se e fuste atë midis shokëve të tjerë? Unë jam me atë që thotë shoku Ramiz, se veprimi që bëri shoku Mehmet, do të thotë: O burra, çohuni tani dhe fejohuni të tërë me vajzat e të deklasuarve. Edhe për opinion del tani problemi se ai është kryeministër. Sa do të shkoj kjo punë? Ndryshe flitet e mbahen leksione, e ndryshe veprohet. Kjo nuk shkon.

Unë mendoj, siç thanë të gjithë shokët këtu, me veprimin e shokut Mehmet dalin në Parti dy vija, bile për çështje shumë serioze, shumë delikate. Si mund të kalohet me një fjalë ajo që thuhet me të drejtë, se rreziku të vjen nga ajo që e harron? Si mund të harrohet lufta e klasave, po ne me tonelata i kemi dëgjuar leksionet prej jush, shoku Mehmet, edhe prej shoqes Fiqrete. Këtu nuk është fjala se u harrua zbatimi i një detyre, i një vendimi. Ne jemi të tërë prindër, kemi ndjenja, kemi edhe detyrime, por sentimentalizmi nuk duhet të na çojë deri aty ku ju çoi juve. Unë për vete jam i bindur se sentimentalizmi mua nuk do të më çojë deri atje sa të prek vijën e Partisë.

Shoku Mehmet thotë se është impulsive. Impulsiv duhet të jenë të gjithë, por brenda normave, deri atje ku nuk cënohet vija e Partisë. Po të tregohesh i rrëmbyer, shoqëruar ky rrëmbim edhe me arrogancë dhe me mendjemadhësi, këto janë çështje takti. Kjo ka reflektuar në punë dhe në marrëdhëniet tuaj me shokët dhe me shokët kryesorë, me të cilët ke pasur bashkëpunim. Unë kam pasur përshtypjen dhe e kam thënë njëherë në Byronë Politike, që shokët ty, shoku Mehmet, nuk t’i ngrenë gjërat në kohë dhe si duhet. Për shumë probleme, unë vija re që shokët hezitonin të t’i thonin ty gjërat ashtu siç ishin, ata të flisnin ndoshta me një çikë lustër dhe me vonesë! Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura