Lagjja e re në Ndroq me 74 shtëpi gati në vjeshtë, Rama inspekton punimet

May 24, 2021 | 11:53
SHPËRNDAJE

rama ne ndroq veliaj ahmetaj

Në lagjjen e re të Ndroqit, e cila po ringrihet nga e para pas tërmetit shkatërrimtar të 26 Nëntorit, po punohet që ajo të jetë gati në shtator të këtij viti.

Në 74 shtëpi të reja individuale do të strehohen mbi 300 banorë të mbetur pa strehë nga tërmeti tragjik i dy viteve më parë.

Kryeministri Edi Rama, sëbashku me kryetarin e Bashkisë, Erion Veliaj dhe ministrin e Rindërtimit, Arben Ahmetaj, vizituan kantieret e kësaj lagjeje.

“Herën e parë që erdhëm ishim te cepit tjetër i lagjes, ndërkohë kemi vazhduar edhe me një parcelë tjetër, kemi shkuar në 74 objekte. Jemi munduar që ata që kanë qenë në mes të territorit t’i akomodojmë, pra mos tua prishnim shtëpitë e në finale kur të bëhet rifinitura e lagjes së re do duhet që t’i akomodojmë me estetikë edhe pjesët e vjetra. Si kapacitet është katër herë më i madh se i Vaqarrit, duke qenë se kodrat e Ndroqit kanë qenë ndër më të prekurat prej tërmetit kështu që pjesa më e madhe do zbresin nga zonat kodrinore që janë në kufi më Durrësin dhe do jenë buzë lagjes, buzë rrugës kryesore,” u shpreh Veliaj, i cili tha se para vitit të ri shkollor do të hapim dhe shkollat e reja.

Në lagjen e re në Njësinë Administrative Ndroq është parashikuar të ndërtohen 74 shtëpi individuale, infrastruktura publike përkatëse, rrugë, trotuare, parkime rezidentësh, linja ujësjellësi, rrjete kuz dhe kub, ndriçim rrugor, punime për krijimin e sipërfaqeve të gjelbëruara dhe mobilim urban, një qendër shëndetësore dhe një kopsht.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura