Laert Vasili, “Këngë dashurie me korba” në amfiteatër

Jun 8, 2018 | 13:48
SHPËRNDAJE

Drama “Këngë dashurie me korba”, vepër e autorit Bashkim Hoxha, me regji nga Laert Vasili do të rivihet në skenë, tashmë në amfiteatrin e sapoinauguruar nga Kodrat e Liqenit, në datën 9 qershor.

teatri

Një vepër teatrore që përcjell mesazhe për dashurinë, nën interpretimin e aktorëve Laert Vasili, Artemisa Kusi, Arjola Basho, Jaho Guma dhe Josif Sina. Protagonist këtë herë në vepër me personazhin e biznesmenit Marin, Vasili pohon se publiku do të gjejë një teatër me të folur dhe të kënduar mbi dashurinë. Skenografia dhe kostumet nga Joni Peçi, as. regjisore, Evisa Budina, muzika live në skenë nga Jetmir Alku, Yllnor Kurti, Roni Kapllani dhe Fisnik Kurti. Shfaqja vjen si një teatër muzikor i gërshetuar me atë fizik.

Vepra “Këngë dashurie me korba” ka marrë çmimin “Aleksandër Moisu” më 1997. Një histori dashurie, që i ngjan më shumë një kënge. Në qendër të veprës është Marini, ku papritur i shfaqet gruaja nga përtej, e cila vjen dhe i tregon se çfarë ka ndodhur me të kohë më parë, si dhe braktisja që i bëri ai kur kjo ishte vetëm 16 vjeç. Aktorja Arjola Basho tregon se “Këngë dashurie me korba” është një histori që i ngjan më shumë një kënge vaji, një këngë vaji është një këngë vdekjeje. Ajo shprehet se drama shqiptare flet për lëngun e jetës, “dashurinë”.

“Si njëri nga korbat, këtë herë në rol përfaqësoj ‘femme fatale’, që në njëfarë mënyre shpreh anën emocionale, ndjellësen, flet për dashurinë, ndjesitë, pra, femra që e kupton femrën dhe meshkujt që lëndojnë dhe braktisin meritojnë të ndëshkohen, botë e errët i pret.

Korbat flasin për veprimet e pamenduara, që në fund i pret një ndëshkim i madh dhe ajo është vdekja, pra, korbat bashkëveprojnë në një mënyrë të tillë, që me nënvetëdijen tonë i vendosim personazhet në kushte të tilla sa që ua radhisim të gjitha. Radhitja e gjithçkaje se çfarë është kjo jetë, dhe kjo jetë do zemër korbi, të çon në mënyrë të pavetëdijshme se sa e erret është, pavarësisht se ne nuk e shohim na pëlqejnë më shumë të shohim pëllumbat e bardhë”, ka përfunduar aktorja Arjola Basho.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura