Laçi godet në limit, akord me ish-sulmuesin e AEK-ut (Video)

Sep 2, 2017 | 10:47
SHPËRNDAJE

Drejtuesit e Laçit kanë afruar një formacion të tërë në merkaton e verës, por procesi i përforcimeve nuk është mbyllur ende te skuadra kurbinase. Emri më i ri që ka dalë në skenë si përforcim për trajnerin Stavri Nica është sulmuesi Renaldo Rama.

Renaldo Rama

27- vjeçari nuk është një emër i panjohur në futbollin shqiptar, pasi në të shkuarën ka luajtur me Gramozin, Apoloninë dhe Kukësin. Një pjesë të mirë të karrierës Rama e ka zhvilluar në Greqi, ku në sezonin 2013-2014 ishte pjesë e AEK-ut të Athinës, por ai ka luajtur edhe në Gjermani te Tus Koblenz.

Rama Aek

Pas aventurës së shkurtër me Kukësin, gjasat janë që Renaldo Rama të rikthehet në Superiore me fanellën e Laçit. Mësohet se palët po bisedojnë prej kohësh dhe janë pranë akordit përfundimtar. Ramma është një lojtar i lirë dhe Laçi mund ta afrojë pa problem sulmuesin, në rast se palët gjejnë akordin financiar.

Kurbinasit janë mundur gjatë gjithë verës që të ndërtojnë një ekip konkurrent, siç i ka hije Laçit, në mënyrë që të shmanget ankthi që përjetuan në edicionin e shkuar, kur mbijetesa u arrit në fund të kampionatit. Laçi ka afruar disa lojtarë të huaj gjatë verës, ku nuk mungojnë prurjet edhe në sulm, por rregullorja e FSHF-së lejon që në fushë të luajnë njëkohësisht vetëm katër futbollistë joshqiptarë.

Për këtë shkak, drejtuesit kurbinas insistojnë në afrimin e sulmuesit Renaldo Rama. Për sa i përket fazës sulmuese, prurjet më të mëdha i ka pasur nga tregu i huaj, kryesisht nga kontinenti afrikan.

Nëse drejtuesit arrijnë të finalizojnë me 27-vjeçarin nga Tepelena, trajneri Nica do të ketë një alternativë më shumë për sulmin, ku në raste të tilla në linjë hyjnë edhe llogaritë, shqiptar dhe i huaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura