“Ky varr ka shumë dilema”- Shtangia pas vizitës tek vendi ku preheshin prindërit e miku i tij! Dëshmia e ish të burgosurit politik dhe biseda me rojtarin: “Sekreti” që fsheh dhe historia e dhimbshme e…

Mar 30, 2023 | 14:03
SHPËRNDAJE

dosier

Nga Reshat Kripa

“Njerëzit që kurrë nuk e kanë njohur diktaturën dhe tiraninë, e kanë të lehtë të jepen pas retorikës për lirinë, duke harruar fare realitetin e thjeshtë e të tmerrshëm, të shtypjes së njimendtë atje ku ekziston përnjimend”.-

Giovani Sartori: “Edhe njëherë për teorinë e demokracisë”.  

Memorie.al / Robert Krasta e kishte bërë zakon që në çdo përvjetor të prindërve, të shkonte në varreza dhe të vendoste një tufë me lule, mbi varrin e tyre. Vështronte fotografinë e stamposur në porcelan dhe fillonte bisedën me ta. Këtë zakon, kishte kohë që e kishte bërë. Biseda sikur i qetësonte shpirtin. U tregonte për gjithçka kishte ndodhur në familje. Ndonjëherë, kur gjente vështirësi në ndonjë gjë, u kërkonte ndihmë atyre dhe i dukej sikur ata i përgjigjeshin. Ndoshta kjo, mund të ishte ndonjë hamendje e tij, megjithatë ai e besonte.

Kjo sikur e ngushëllonte. E ndjente veten më të lehtësuar. Aty pranë ndodheshin edhe dy varre të tjerë, fare të thjeshtë, vetëm me bordurat anësore që, i vendoste Ndërmarrja Komunale dhe një pllakë granili në krye, ku ishin shënuar emrat e atyre që preheshin. Ishin varret e mikut të tij Agronit, së bashku me familjen e tij tragjike. Si mbaronte vizitën në varrin e prindërve, shkonte edhe te ai i mikut të tij…!

Vendoste edhe atje një tufë me lule. Ishin lulet e vetme që zbukuronin ato varre. I pastronte nga bimët e këqija që mbinin dhe i lagte me ujë, me një shishe që e sillte me vete. Kështu ishte zakoni. Nuk kishte kush tjetër ta bënte atë punë. Miku i tij, nuk kishte lënë njeri, përveç një vëllai që e kishte braktisur nga frika e persekutimit. Ishin kohë të vështira. Ndiente një dhimbje për fatin e mikut. I dukej sikur, kishte një boshllëk nga mungesa e tij. Miku i kishte lënë gjurmë të thella në ndërgjegje, gjurmë që, zor se mund të shlyheshin ndonjë ditë.

Kështu veproi Roberti edhe atë ditë qershori, në përvjetorin e vdekjes së nënës dhe mikut të tij. Bleu dy buqeta të bukura lulesh dhe shkoi të kryente ritin e zakonshëm. U gjunjëzua në varrin e prindërve. Vendosi tufën e luleve dhe filloi bisedën me ta. Ndjente një mall të madh. Në rininë e tij, kishte qenë një djalë çapkën, me një shpirt rebel. I ndezur nga furitë (në mitologji, xhinde që futeshin në shpirtin e njeriut dhe e xhindosnin), në moshë fare të njomë, ishte ngritur kundër sistemit komunist dhe kishte përfunduar prapa hekurave të burgut. Prindërit nuk i ishin ndarë, nëpër shkrepat dhe gërxhet ku e hodhi fati, deri sa e kthyen përsëri në gjirin e familjes.

Këtë gjë ai, nuk mund ta harronte. Ndërsa vështronte fotografinë e tyre të stamposur në porcelan, i kujtohej kampi i Bulqizës, në shtatorin e vitit 1955. Kishin organizuar një mbrëmje përkujtimore, për nder të tridhjetepesë vjetorit të Luftës së Vlorës. Në atë mbrëmje, kishin recituar poezi kushtuar kësaj lufte, nga autorë të burgosur. Për këtë i kishin dënuar tre muaj, pa takim me familjen. Rastisi që në atë periudhë, t’i vinte e ëma. Autoritetet nuk e lejuan ta takonte.

Nënës, pasi kishte udhëtuar për dy ditë, i duhej të udhëtonte dhe dy të tjera, për t’u kthyer, për më tepër pa u takuar me të birin. Pasi u lirua nga burgu, prindërit nuk ia hodhën asnjëherë në sy, atë ngjarje të hidhur të jetës së tij. As e qortuan, as i folën, përkundrazi i qëndruan fare pranë, sikur të mos kishte ndodhur gjë. Sjellja e tyre, i dha të kuptojë se, ishte kthyer në gjirin e familjes, si më parë. Kjo bëri që të harronte vuajtjet që kishte kaluar. Roberti u ngrit dhe u drejtua nga varret e mikut të tij. U habit jashtë mase, kur pa se në vend të varreve të thjeshtë, tani ngrihej një varrosh madhështor, prej mermeri, poshtë të cilit preheshin eshtrat e pjesëtarëve të familjes së mikut.

Mbi varrosh, ngriheshin dy pllaka mermeri me mbishkrime. Në njërën prej tyre ishte shkruar:

BEXHET CANAJ 1900 – 1943

GJYLO CANAJ 1905 – 1985

Ndërsa në të dytën dallohej mbishkrimi:

GRON CANAJ 1930 – 1987

LUMTURI CANAJ 1935 – 1975

IRIDA CANAJ 1959 – 1975

Në mes të pllakave, mbi emrat e tyre ishin vendosur dy fotografi të bukura porcelani. Në të parën, ishin prindërit e Agronit, i ati me uniformën e ushtarakut Mbretëror, ndërsa e ëma, një vajzë shumë e bukur. Në të dytën, ishte fotografia e Agronit me Lumturinë dhe Iridën, që Roberti e kishte parë disa herë në shtëpinë e tyre. Kishin dalë një vit më parë se, të ndodhte tragjedia. Ishte fotografia e tyre e fundit. Dukeshin si engjëj që, fluturonin në parajse. Në mes të bazamentit të varroshit, ishte shkruar epitafi i mëposhtëm:

NË JETË KËRKUAT GËZIM,

NJERËZIT JU KISHIN HARRUAR,

POR ZOTI ME PËRDËLLIM,

JU DHA LIRINË E AMËSHUAR!

Robert Krasta, mbeti i çuditur para pamjes së atij varroshi. Para një viti, ishin dy varre të thjeshtë. Kush e kishte ngritur? Po eshtrat e të atit, kush i kishte hequr nga Varrezat e Dëshmorëve dhe i kishte sjellë këtu? Përse e kishte bërë një veprim të tillë? Këtyre pyetjeve, nuk ishte në gjendje t’u kthente përgjigje. U gjunjëzua pranë tyre, vendosi buqetën e luleve dhe po shikonte fotografitë dhe epitafin.

– O Zot! Si e shkatërrove këtë familje fisnike? – tha me një dhimbje të thellë. – Si nuk të erdhi keq për ta?

– Ky varr ka shumë dilema, – dëgjoi një zë prapa tij. Ktheu kokën dhe pa specialistin që ndërtonte varroshet.

– Çfarë thatë? – pyeti Roberti.

– Thashë që ky varr, ka shumë dilema

– E përse?

– Kam tridhjetë vjet që punoj në këtë profesion. Që nga dita kur vdiq Irida e vogël dhe  pas  saj Lumturia, në këtë varr nuk kam parë të vinte njeri, përveç nënë Gjylos dhe Agronit, pasi doli nga burgu. Me vdekjen e tyre, ishe vetëm ti që i vizitoje këto varre. Mendoja se nuk kanë të afërm të tjerë. U çudita pa masë, kur sivjet pashë të vëllanë që erdhi. Nuk e kisha parë herë tjetër. Solli eshtrat e të atit. Më porositi që, të ndërtoja një varrosh madhështor. Ato lule që shikon aty dhe që kanë filluar të vyshken, i ka sjellë ai ditën që mbaruam varroshin. Kjo është dilema e ime.

– Ajo dilemë është një histori dramatike që më mirë të mos e dëgjosh.

– Më mirë mos ma thuaj.  Jam lodhur me të tilla histori. Tani më falni se dua të largohem. Duhet të punoj. Mirupafshim!

– Mirupafshim!

Specialisti i varrosheve, u largua duke e lënë Robertin mjaft të habitur. Të vëllanë e Agronit, e kishte takuar kur i kishte vdekur e ëma dhe kur ndërroi jetë ai vetë. Dy vëllezërit pothuajse, nuk bëheshin fare. Skënderi, kështu quhej, kishte patur një punë të mirë. Ishte drejtor ndërmarrje dhe nga frika se mos e pushonin nga detyra, i preu marrëdhëniet me të vëllanë. Gjatë dhjetë viteve që ai bëri burg, nuk i vajti asnjëherë, bile nuk guxonte të ndihmonte as të ëmën. Ky ishte paradoksi i kohës. Ditën që ajo vdiq, shkoi në varrimin e saj dhe iku të nesërmen që pa gdhirë.

Të gjitha këto, bënë që Roberti të habitej me vendimin e tij për të ndërtuar një varrosh madhështor. Çfarë e kishte shtyrë?

Nuk foli më. Ai e dinte shkakun e dilemës që mundonte specialistin, por e ruante vetëm për veten. Agroni ia kishte lënë amanet që, të mos i’a tregonte kujt. Vështronte epitafin e shkruar aty dhe para syve, i dilte ajo ngjarje e dhimbshme që kishte ndodhur para shtatëmbëdhjetë vitesh. Ishte një ngjarje e hidhur, nga ato që nuk harrohen lehtë dhe që ai e kishte mësuar nga goja e vetë Agronit. Kjo ngjarje i dilte tani para syve e gjallë ashtu siç kishte ndodhur.

Gushti atë ditë po mbaronte me shumë shira. Retë ngërtheheshin me njëra tjetrën dhe gjatë përplasjes, lëshonin vetëtima verbuese që, pasoheshin nga bubullima shurdhuese

– Shi vere, – tha një kalimtar që vraponte për t’i shpëtuar rrebeshit.

– Njërën anë të gunës ta lag, kurse tjetrën jo.

– Vera tani na la shëndenë – tha një tjetër që priste të pushonte shiu nën strehën e një godine. Vera në të vërtetë kishte përfunduar, duke ia lëshuar vendin vjeshtës së mërzitshme dhe monotone. Rrugët ishin pothuajse të zbrazëta. Tek tuk, të shihte syri ndonjë “Gaz” 69-ësh (makinë e vogël, tip veture, mbuluar me mushama) të lëvizte me ndonjë drejtor brenda. Shiu vazhdonte të binte, duke dashur të sfidojë vapën e madhe që kishte sunduar, për muaj me radhë.

– Mor po ky dashka të bëka kiametin! – foli me vete Rustemi, roja i zyrave të ndërmarrjes, duke qëndruar i mbyllur në dhomën e caktuar për të. Kur bënte kohë e mirë, dilte aty rrotull dhe çoku bisedonte me banorët që takonte rastësisht. Kështu e kalonte kohën e shërbimit, duke biseduar dhe shpesh Here, duke bërë ndonjë dorë domino, me cilin të mundte. Kjo ishte e vetmja gjë, që dinte të bënte ai fakir. Kishte zbritur nga një fshat i largët, i vendosur midis dy maleve, ku arat ishin si oazet në shkretëtirë.

Në to mbillej vetëm thekër. Me këto dhe me disa bagëti që kishin, jetonin fshatarët. Për të mbijetuar, shteti e kishte bashkuar këtë kooperativë, me të tjera të zonës. Të gjitha këto, formonin një kooperativë të bashkuar. Ishte pesëdhjete tetë vjeç. Në kohën e Luftës, kishte qenë partizan, së bashku me të atin që, kishte rënë në luftën për liri.

Pas mbarimit të saj, ishte bërë oficer. Por lumëmadhi, kishte mbaruar vetëm shkollën fillore, kështu që në vitin 1949, e zhveshën nga ushtria. Megjithatë, një favor e pati. Nuk e çuan më në fshat, kështu që shpëtoi nga kooperativa. Pasi kishte punuar nëpër punë të ndryshme, së fundi kishte ndonjë vit që punonte si roje. E fillonte shërbimin në orën katër pasdite dhe e linte më gjashtë të mëngjesit të nesërm.

Ndërkohë, po zbriste nga shkallët inxhinier Agroni, një burrë mbi të dyzetat. Kishte studiuar në Sofje me rezultate të shkëlqyera. Fillimisht ishte emëruar si inxhinier i thjeshtë, por më vonë, duke parë aftësitë e tij, e kishin emëruar kryeinxhinier të ndërmarrjes. Përveç bullgarishtes, zotëronte edhe anglishten, frëngjishten dhe italishten. Kishte një trup të gjatë dhe shumë të rregullt.

Një palë mustaqe i dërsinin mbi buzë. Sytë e zezë, flokët gjithashtu, balli i gjerë prej dijetari, i jepnin një hijeshi të madhe. Ishte njeri i sjellshëm dhe buzagaz. Punonjësit nuk e nxirrnin nga goja. Për të, thuheshin fjalët më të mira. Megjithatë, ishin edhe disa zëra që pëshpëritnin se, Agroni na paskësh disa shfaqje të huaja, të ideologjisë borgjeze. Një nga këto, si mbas tyre, paska qenë edhe leximi i shumë librave perëndimore, në gjuhë të huaja, që ai i paskësh në shtëpi.

– Shumë u vonove sonte, shoku kryeinxhinier, – i foli Rustemi sa e pa.

– Në fakt kisha shumë punë. Pastaj ju e shikoni se ç’shi po bie. Ku të le ky i uruar të ecësh?

– Po, po vërtet, po bëhet kiameti. Eja rrimë një copë herë bashkë dhe bëjmë një barrë muhabet, se mbase pushon edhe shiu. Agroni u mendua një copë herë dhe pasi vështroi edhe një herë përjashta, u fut në dhomën e rojës.

– A u lodhët, a u mërzitët ndopak, o xha Rustem?

– Si e thua atë fjalë more shoku kryeinxhinier, ku lodhet Njeriu, kur punon për të mirën e përgjithshme? Të na rrojë Partia dhe shoku Enver, që na pruri këto ditë të mira, pa kush pyet për lodhjen tonë. Ja ti, a nuk qëndrove deri vonë sot?

– Keni të drejtë, është e vërtetë. Po çfarë do na thoni?

Ç’keni dëgjuar të pëshpëritet rreth e rrotull. Ndonjë të re apo të vjetër.

Agroni e njihte karakterin e Rustemit. Ai e dinte se po ta gërvishte mund të nxirrte prej tij shumë gjëra. Ai ishte anëtar partie dhe me siguri mund të nxirrte prej tij ndonjë gjë që mund të ishte diskutuar në mbledhjen e organizatës së partisë. Ngjarjet e muajve të fundit shtynin të mësonte më tepër.

– Po ja, more shoku kryeinxhinier, – këtë shprehje ai e përdorte vazhdimisht, – si të të them. Mua më vjen keq për ty se je djalë i mirë dhe të duan të gjithë. Ndaj të këshilloj të ruhesh dhe të mos bisedosh me asnjëri. Agroni e dëgjonte me vëmendje. Këto fjalë i dhanë të kuptojë se, diçka kishte ndodhur. Donte ta ngacmonte më tej, për të nxjerrë ndonjë gjë tjetër prej tij. Një gjë e tillë, nuk ishte e vështirë, pasi naiviteti i Rustemit, e bënte më të lehtë një gjë të tillë.

– Unë nuk bisedoj me njeri gjëra që nuk duhen biseduar, more xha Rustem! Në fund të fundit, çfarë mund të bisedojë? Keni dëgjuar ndonjë gjë ju? Thomani se, ju e dini që ne të dy jemi familje të Luftës Nacionalçlirimtare. Baballarët tanë janë vrarë në luftën për liri.

– Po ja, more shoku kryeinxhinier, para një jave në mbledhjen e organizatës bazë, nja dy shokë. thanë disa gjëra që mua nuk më pëlqyen.

– E çfarë thanë?

– Thanë se ti, lexoke literaturë kapitaliste në gjuhë të huaja dhe se gjoja këto, të paskan helmuar ndërgjegjen. Thanë, gjithashtu, se shtëpinë, e paske të mbushur me libra të tillë të ndaluar.

– Po tjetër? Rustemi u mendua. Brenda tij po zhvillohej një luftë në se duhej t’ia thoshte apo jo Agronit, të gjitha ato që kishte dëgjuar. Më së fundi vendosi.

– Folën edhe për ata dy shokët e tu, Stefanin dhe Gjergjin. Mua ata më duken djem shumë të mirë. Thanë se rridhkan nga familje reaksionare dhe se ju, pëshpëritkeni lart e poshtë, për një ndryshim të sistemit. Të them të drejtën, unë nuk i kuptoja të gjitha ato që flitnin ata, por, që ishin kundra jush, këtë e kuptoja fare mirë.

– Po kush i thoshte këto fjalë?

– Më tepër Resuli me Ibrahimin. Kishte edhe disa të tjerë që i përkrahnin. Por aman, se mos u thuash gjë, se më merr në qafë. Do më akuzojnë se kam nxjerrë jashtë sekretin e partisë dhe më merr lumi pastaj. Unë po t’i them ty se më pëlqen dhe më vjen keq të të ndodhë gjë, se e di që prej teje, nuk del gjë. Vërtet nuk kam shkollë, por të vërtetën e kuptoj fare mirë.

Resuli ishte normist, ndërsa Ibrahimi, teknik në një nga objektet e ndërmarrjes. Me ta Agroni, ishte ndeshur disa herë, pasi i kishte kapur në gabime, në lidhje me zbatimin dhe normimin e punimeve të objektit. Ishin pothuajse fare të paaftë. Mirëpo ata, ishin komunistë, ndërsa Agroni jo. Kjo u jepte mundësinë atyre që, mllefin e xhelozisë së tyre, ta shprehnin në organizatën e partisë.

– Mos u bëni merak xha Rustem. Unë jam i heshtur si vdekja.

Po sikur pushoi edhe shiu dhe po iki tashti. Mirupafshim dhe ta kaloni i qetë. Mendoi se për sot, kishte mësuar plot gjëra. Mori biçikletën që e mbante në korridorin poshtë dhe u nis duke menduar, përsa i kishte thënë Rustemi. Fjalët e tij i dhanë të kuptojë se, për deri sa problemi kishte shkuar në organizatën bazë të partisë, punët ishin komplikuar.

Ndaj duhej menduar mire, si të vepronte. Mendoi të fliste me Stefanin e Gjergjin dhe t’ua shpjegonte se, prapa shpinës së tyre, një prapaskenë po përgatitej. Atyre u duhej treguar gjithçka kishte ndodhur deri në atë ditë. Deri më sot kishte heshtur pasi shpresonte se çështja do të mbyllej shpejt. Donte të mos i shqetësonte. Kurse me rrjedhën që kishin marrë ngjarjet, koha nuk priste më. Duhej biseduar sa më shpejt, më parë se çështja të merrte ndonjë rrugë tjetër.

Gjëma kishte filluar dy muaj më parë. Deri atë ditë kishte qenë një tip i shkujdesur. E pse të mos ishte? Vetë kryeinxhinier, gruaja drejtore shkolle, vajza nxënëse e shkëlqyer, nëna pensioniste. Të gjitha këto ia kushtonte të atit që, kishte sakrifikuar jetën për këto ditë. Në pasdite shkonte në klubin e shahut. Ishte pjesëmarrës i skuadrës përfaqësuese të qytetit. Duke ecur dëgjoi një zë që i foli:

– Agron, më prit se erdha. Ktheu kokën dhe dalloi Stefanin. Edhe ai ishte pjesëtar i asaj skuadre. U takuan dhe u nisën drejt Klubit, ku do të zhvillonin një simultane.

– Si shkove sot? – e pyeti Stefani.

– Si çdo ditë, plot me punë dhe telashe.

Traineri sa i pa, u hoqi vërejtjen për vonesën, por ata iu përgjigjën se, ishin penguar nga punët e shumta që kishin në zyrë. Shokët e tjerë kishin ardhur me kohë. Agroni ishte shahisti numër një, i skuadrës. Ai do zhvillonte simultanen me shokët e tjerë. Nga dhjetë takime, fitoi shtatë, dy dolën remi, ndërsa një e humbi, atë me shokun e tij, Stefanin që nuk mbetej shumë prapa tij. Si mbaruan ndeshjet, u nda me të dhe u nis për në shtëpi. Rrugës takoi rastësisht Petritin, kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme. Ai udhëtonte me makinë. E ndaloi dhe zbriti.

– Sa mirë që ju takova, – i kishte thënë. – Ejani të pimë një kafe. Hipën në makinë dhe u nisën. U futën në turizmin e qytetit. Kamerieri sa i pa iu drejtua:

– Urdhëroni këtej, shoku kryetar.

Hynë në një dhomë të veçantë, në mes të së cilës ishte një tavolinë e rrethuar nga katër kolltukë të rehatshëm.

– Dy kafe dhe dy wiski – porositi kryetari.

Kamarjeri pruri porosinë dhe u largua.

– Hajde gëzuar dhe suksese!

– Gëzuar!

– Si po shkoni me punë? A e keni realizuar planin?

– Patëm disa vështirësi, por ia dolëm. Pesë-mujorin e realizuam 105 përqind.

– Po për kuadrin e ndërmarrjes çfarë opinioni keni? A janë të gjithë të përkushtuar?

– Besoj se po.

– Besoni? Mos vallë keni ndonjë dyshim?

– Jo.

– Dëgjoni Agron, ju jeni njeriu ynë. Partia te ju ka besim të plotë, ndaj iu ka ngarkuar atë detyrë. Por edhe ju duhet të jeni të kujdesshëm. Jo të gjithë kanë prejardhjen tuaj. Ne kemi disa të dhëna se aty, punojnë edhe disa njerëz me përbërje jo të mirë. Ata ne duhet t’i survejojmë, t’i mbajmë nën kontroll.

– T’ju them të drejtën, unë nuk njoh asnjë të tillë.

– E di prandaj po ju flas. Fjalën e kam për ata dy inxhinierët që ju i keni shokë, Stefan Gjokën dhe Gjergji

Panon…!  Sipas të dhënave që kemi ne, i pari ka patur xhaxhanë të dënuar politikë, ndërsa gjyshi i Gjergjit, është arratisur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me hordhitë e tradhtarëve, në vitin 1944. Dikush i ndihmoi dhe mundën të mbarojnë universitetin. Kjo është punë tjetër, por kam dëgjuar se, edhe sot, diçka pëshpërisin poshtë e lartë dhe ju e dini që, këto nuk janë gjëra të mira për vendin tonë, sidomos në konditat që ndodhemi sot.

Agronit, iu duk sikur e kafshoi një gjarpër. Stefanin dhe Gjergjin, i kishte shokë të ngushtë. Kishte biseduar me ta për gjithfarë problemesh, por asnjëherë për probleme politike. Iu duk sikur wiski që i kishte ofruar kryetari, ishte farmak, sikur i kishin dhënë qëllimisht, një gotë helm. Asnjëherë deri në atë ditë, nuk kishte provuar një ndjenjë të tillë. Ai kishte një perceptim tjetër për shoqërinë. Ky perceptim ishte mbështetur në ndershmërinë dhe sinqeritetin. Kurse tani i kërkohej që, të vinte një maskë, në mënyrë që ndryshe të shtirej dhe ndryshe të vepronte. Por a mund ta luante ai këtë rol? Një gjë e tillë, binte në kundërshtim me karakterin e tij. U zu ngushtë dhe nuk dinte se si të përgjigjej.

– Ata janë vërtetë shokët e mi, – tha më në fund me një zë që dukej sikur nuk ishte i tij, – por asnjëherë nuk kam dëgjuar prej tyre ndonjë shprehje kundër pushtetit popullor.

Kryetari e vështroi njëherë në fytyrë dhe pastaj i tha me një ton ndryshe nga ai që kishte përdorur deri atëhere:

– Mirë mirë, po dëgjomëni edhe mua. Ata nuk janë budallenj që të flasin në syrin tuaj. Por ne, duhet t’ua nxjerrim me çengel. Për këtë duhet të bashkëpunojmë së bashku. Megjithatë, le ta lemë për sonte këtë muhabet, pa do takohemi përsëri. Ejani të ikim se vajti vonë.

E shoqëroi me makinë deri në shtëpi. Rrugës nuk shkëmbyen asnjë fjalë. Pasi i uroi, si nëpër gojë, natën e mire, u largua. Agroni hyri në shtëpi, puthi të ëmën, përqafoi të shoqen, Lumturinë dhe iu drejtua së bijës pesëmbëdhjetëvjeçare:

– Si është Irida e babit? Ajo vrapoi si flutur dhe e përqafoi.

– Babi kur do e marrësh lejen e zakonshme që të shkojmë në plazh? – Më 1 gusht kam prenotuar një gabinë. Do shkojmë të katër dhe do kënaqemi.

Fjalët e kryetarit e kishin tronditur. Deri atë ditë kishte qenë i qetë. Punonte me përkushtim dhe ndjente kënaqësi nga puna e tij. Për të Stefani dhe Gjergji ishin njerëz shumë të mirë. Ishin të sjellshëm, punëtorë dhe korrektë me të gjithë.

Nuk i kuptonte fjalët e kryetarit. Përse duhej të qëndronte larg tyre, kur ata ishin kuadro të mirë? Ai i kishte thënë se ishin me përbërje të keqe politike. Po pse duhej të përgjigjeshin nipërit për ato që kishin bërë xhaxhaj apo gjyshi? Për më tepër kryetari i kishte kërkuar për të bashkëpunuar për qëndrimin e tyre. Çfarë bashkëpunimi mund të bënte? Të bëhej spiun! Kjo pyetje sillej rrotull në mendjen e tij të turbulluar. Memorie.al  Vijon numrin e ardhshëm

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura