“I pashë të mundur atë ditë!”

Dec 14, 2015 | 15:42
SHPËRNDAJE
Mit’hat Havari
Mit’hat Havari

MIT’HAT HAVARI

Ashtu mbështetur në murin e ftohtë të qelisë, duke përballuar dhimbjet e forta të trupit, shkaktuar nga dhuna kafshërore e veglave të verbra të regjimit diktatorial, kalova nëpër mend si në film ngjarjet e jashtëzakonshme të asaj dite hyjnore. Kujtova të qarat e vajzës sime të vogël dhe sytë e trishtuar të gruas sime. Kujtova ata mijëra të rinj elbasanas që thyen frikën, thyen mitin e paprekshmërisë së diktaturës së hekurt komuniste.

I ngazëllyer në shpirt, në mos i lumtur, u thashë atyre: Ju pashë të mundur më në fund monstra, ditët tuaja janë të numëruara! Sakaq, më kishte kapluar gjumi, po lindte një agim i ri, agim i shpresës së madhe…

***

Si sot 25 vjet më parë, më 14 dhjetor 1990, në qytetin e Elbasanit u zhvillua demonstrata antikomuniste, në të cilën unë pata fatin të isha protagonist i saj. Ajo ishte dita më e jashtëzakonshme e jetës sime. Ai 14 dhjetor do të realizonte ëndrrën time të vjetër. Momenti kishte ardhur. Dola nga shtëpia atë mesdhjetori të ftohtë drejt “Turizmit”, ku ishte dhe vendtakimi me shokët e mi antikomunistë, për të pirë kafen e zakonshme. Shoqërohesha nga Ylli Haruni, piktor e skenograf i tetarit “Skampa”.

Ylli, megjithëse ishte anëtar partie, e urrente regjimin komunist se i kishin vrarë vëllain në kufi në vitin 1989. Djali 18- vjeçar, i mashtruar nga ligji famëkeq besëprerë i diktatorit Ramiz Alia se kalimi i kufirit tash e tutje dënohej vetëm administrativisht, pra me gjobë, mori rrugën drejt lirisë në kufirin e Peshkopisë, por ëndrrën ia prenë në mes plumbat e vrastarëve, vegla qorre të atij regjimi barbar.

Mbasi konsumuam kafen, isha duke zbritur shkallët kryesore të “Turizmit”, u përballa me kryetarin e Degës së Brendshme, Fatmir Bedulla, më hodhi një vështrim të ftohtë, e u fut brenda në “Turizëm”. Kuptohet, isha figurë e njohur për të. Mbas pak, takova një mikun tim të mirë, Edmond B., i cili kishte qenë drejtor i uzinës ku unë punoja. Kisha kohë pa e parë dhe pas shkëmbimit të përshëndetjeve të rastit më tha të bëja kujdes se ndiqesha. Bedulla i kishte thënë se ky është person i rrezikshëm dhe e kemi në shënjestër.

Edmondi i njihte bindjet e mia politike, pasi ishte thirrur nga Xhemal Dymylja, ish-sekretar i parë në Elbasan, dhe e kishte këshilluar të mos shoqërohej me Mit’hat Havarin se ishte armik i pushtetit. U ndava me të dhe nuk më bëri syri tërr nga ato që më tha miku im. Ishte ora ime. Bashkë me piktorin u afruam te sheshi qendror përballë rrapit të Bezistanit. Sheshi ishte mbushur me policë të pajisur me shkopinj gome dhe mbrojtëse plastike. Më bëri përshtypje ky lloj armatimi, ata duhej të kishin kallashnikovët në krah. Mendja më shkoi te skenari.

Nga të dyja krahët, strukturat e rendit ishin rrethuar nga mijëra të rinj. Në mes të sheshit ishte improvizuar një podium, “dikush” do të fliste! Një grup i madh të rinjsh ishin vendosur mbi trotuar, që shkonte në drejtim të teatrit “Skampa”. Ata qëndronin në këmbë, por si “gjela” të trembur lëviznin e pëshpëritnin zhurmshëm. Ora shënonte 09:00. Më në fund, një djalë i imët në trup, pak ezmer, dha një britmë të mprehtë si thikë, “Liri Demokraci!”, aq u desh, sheshi oshtiu nga një kor i fuqishëm. Protagonisti i kushtrimit të asaj dite të madhe ishte Adnan Miraku, djali i Lul Mirakut, një familje e persekutuar në kockë nga regjimi komunist.

Adnanin do ta kisha ditë më vonë shok qelie, ku dhe do të përgjohesha. Mete Shyti me shokë ishin kujdesur për armikun e tyre të “vjetër”. Pas britmave, filluan gurët të përplaseshin në mbrojtëset plastike të policëve. Gurët e vendosur një natë më parë nga dora “misterioze” te porta e kalasë, po e kryente misionin. Skenari i Sigurimit të Shtetit, tashmë ishte real, por edhe unë isha i gatshëm që brenda skenarit të tyre të realizoja “skenarin” tim, të shfryja urrejtjen, mllefin ndaj armiqve të mi dhe familjes sime, që ishte akumuluar që pas vitit 1944.

U tërhoqa drejt “Turizmit”, aty takova miqtë e idealeve antikomuniste, vëllezërit Engjëll dhe Çim Zaçe, dhe Ymer Ferhatin me shokë. U bëmë bashkë dhe filluam të ulërinim sa na mbante kraharori, “Poshtë diktatura! Poshtë komunizmi! Poshtë Ramiz Alia! Poshtë Nexhmije Hoxha!” etj. I dhamë ton sheshit, zëri ynë ishte i fuqishëm, i pjekur, ne ishim burra dhe jo djem të rinj. Grupi u zmadhua, ndërkohë, drejt nesh afrohet një oficer policie me uniformë, i cili mbante një megafon në dorë, duke bërë thirrje “Mos qëlloni me gurë policinë!” etj. Ai nuk kishte ardhur rastësisht te grupi ynë, “ustallarët” e Sigurimit e kishin orientuar në “objektiv”.

Ky ishte momenti im kulmor, u nisa drejt oficerit, të cilin as e njihja, më vonë mësova se quhej Vladimir Hysi, ishte shef i policisë së rrethit. I kërkova megafonin, duke i thënë se do t’u bëj thirrje të mos godasin me gurë policinë, por “inteligjenti” Hysi nuk ma dha në dorë, por të flisja duke e mbajtur ai instrumentin. Unë fillova të bëja thirrje, por zëri im nuk shkonte te njerëzit e eksituar, i instruktuari shef i policisë politike, e kishte stakuar çelësin, ai e nuhati që unë e kisha kuptuar skenarin e tyre djallëzor dhe e sabotoi tentativën time për ta minuar atë.

Gurët filluan të binin dhe mbi mua, atëherë u bashkova me shokët e mi për të vazhduar nxjerrjen e dufit me parullat tona klishe, ndërkohë beteja ishte në kulmin e saj. Te podiumi ishte ngjitur një vajzë e re e dërguar nga Partia Demokratike Tiranë dhe sipas instruktazhit të komunistëve të natyralizuar, midis të tjerash tha: Elbasani i Qemal Stafës etj. Mbi të vërshuan gurët. Rinia e Elbasanit e njihte më mirë komunistin Qemal Stafa, shokun e Tarasit, sesa demokratët e sapo ardhur nga PPSH. Vajza u largua e palënduar. Në të gjithë atë situatë të pakontrolluar, viktimat e gurëve ishin policët e ngratë, që eprorët e tyre po i përdornin si kavje për të realizuar qëllimet e veta të mbrapshta.

Përpara kësaj gjendjeje, ne u larguam në linja të ndryshme, fundja misionin e kishim mbaruar. Protesta nuk ishte e organizuar, për rrjedhojë nuk kishte as udhëheqës, secili ishte protagonist në ëndrrën e tij. Në atë demonstratë kishte vetëm një dirigjent, ai ishte Ramiz Alia dhe Sigurimi i Shtetit me Fatmir Bedullën, në Degën e Brendshme, në Komitetin e Partisë, Fatmir Selitën, dhe Mehmet Elezin, një “yll” në ngjitje si bir besnik i partisë, që për vite të tëra kishte qenë shefi i Rinisë Komuniste të Shqipërisë, së cilës i kishte shpëlarë trurin se “parajsa” mbi tokë gjendej vetëm në atdheun e dashur, në Shqipërinë socialiste!

***

Skenari po realizohej më së miri, po digjeshin autobusë, zjarrfikëse, ishin thyer xhama dyqanesh, ku ishin kryer dhe vjedhje. Komandanti i brigadës së tankeve, Baki Shehu, si pjesë e skenarit kishte nxjerrë tanket në bulevard për terror, e rinia heroike e asaj dite kishte thyer frikën, kishte hipur mbi to. Kaosi sundonte gjithkund. Autoritetet e Sigurimit dhe policisë i kishin ndarë detyrat. Sigurimi mbulonte kontingjentin e tij, “armiqtë” e klasës, policia, kontingjentin e tyre vjedhësit dhe ata që kishin dëmtuar pronën socialiste.

Në tribunën e “Turizmit” kishin zënë vend drejtuesit kryesorë të Degës së Brendshme ardhur dhe nga Tirana, të cilët me dylbi vëzhgonin veprimet e protestuesve, por dhe të agjentëve të tyre civilë, që orientonin turmat drejt objektivave të tyre. Egërsirat ishin bërë si minj, po binin brenda në zjarrin që kishin ndezur vetë, po u kthehej në bumerang gjithë strategjia e tyre.

Po qëndroja në këmbë në lulishten përballë “Turizmit”, kur më afrohet një djalë i vogël, duke më thirrur në emër: Mit’hat, ta djegim Komitetin e Partisë? -Ku më njeh mua more djalë, kush të drejtoi tek unë? Djali bëri me gisht dhe pashë surratin e operativit të sigurimit të kombinatit metalurgjik, Mete Shytin, nga Tragjasi i Vlorës dhe vartësin e tij Përparim Balla, një fshatar rrondokop nga fshatrat e Librazhdit.

Të dy kishin mbi 10 vjet që më ndiqnin, isha objekt i tyre. Në asnjë mënyrë,- i thashë vagabondit të vogël,- të digjet Komiteti i Partisë, do të shkosh në burg!- e kërcënova. Ai u largua kokulur. Metja sa më pa që unë e pikasa, u largua dhe mori një të gërthitur prej meje. Fati im thuajse ishte vendosur, ishte e qartë tashmë për mua. Isha në “rreth të kuq”.

***

Rreth orës 16:30 pasdite u gjenda te Komiteti i Partisë, u bashkova me grupin, Çim Zaçen me shokë. Ishte djegur dhe libraria e udhëheqësit Enver Hoxha, zemra mal për ne! Po na afrohej një turmë dhe mes tyre ishte një burrë i shkurtër biond. Ai m’u drejtua në emër: Mit’hat, bëj thirrje të largohen, kanë ushtruar dhunë ndaj meje etj.

Më erdhi keq për të, as e njihja, më thanë aty se quhej Agim Leka, funksionar i Komitetit të Partisë. I acaruar se më thirri në emër, që do të thoshte se më konsideronin “organizatorin” e asaj proteste, i thashë: Shko thuaj Ramiz Alisë të dorëzojë pushtetin, ka marrë fund diktatura juaj! Elbasani digjej tym e flakë.

Rreth orës 20:00 u bashkuam te “Turizmi” në kafe, erdhi dhe Hasan Mërkuri, por që ato ditë kishte filluar detyrën e avokatit e që do të ishte avokati im më pas. M’u drejtua- Mithat fshihu se ishe i pari në listë, do të të arrestojnë.

– Unë nuk fshihem Hasan se nuk kam bërë asgjë, nuk jam frikacak. Po u fsheha, do të thonë u tremb burracaku, është fajtor. Neni 55 i agjitacion propagandës është hequr. Ndërkohë që po dilnim, ia behën forcat e terrorit të repartit 326, që ktheheshin nga Shkodra.

Në mbrëmje u ktheva në shtëpi, ime shoqe kishte dëgjuar se kisha qenë në demonstratë, dukej e shqetësuar. Kishte të drejtë. Televizioni shtetëror dha lajmet se në Elbasan vandalët dogjën e thyen xhama dyqanesh etj.

***

Rreth orës 12:00 të natës u dëgjuan të trokitura të forta në derë. Ishin ata. Kishin ardhur të më merrnin, u vesha trashë se e dija ç’më priste. Nuk bënë kontroll banese, nuk dyshova për këtë sjellje të tyren, ata më njihnin mirë kush isha. Filluan dhunën që në shkallët e pallatit e të qarat e vajzës sime të vogël më shoqëruan deri poshtë. Më hipën në një makinë ushtarake bashkë me ca arixhinj, disa sixhade hedhur në karroceri i kishin vjedhur të “pasurit” e sistemit që ndriçonte botën.

U hap dera kryesore e Degës se Brendshme. Ishte hera e parë që shkelja në jetën time në atë organ famëkeq. Sa zbrita, dëgjova britmat e rinisë, të cilat çanin kupën e qiellit të asaj nate duke zgjuar nga gjumi letargjik 46-vjeçar atë qytet të lashtë.

Demonstruesit po dhunoheshin shtazërisht nga forcat e repartit 326, një strukturë kjo e ngritur enkas nga Ramiz Alia. Ata ishin zgjedhur me kokrra misri me biografi 24-karatëshe komuniste, misioni i tyre ishte: të shtypte pa mëshirë rezistencat popullore që do të lindnin, “ujku” plak e kishte ndier uraganin që po afrohej. Sa vura këmbën në tokë, “bishat” e etura për gjak m’u turrën me ca pistoleta elektrizuese dhe shkopinjtë e gomës vërshuan mbi trupin tim.

Dikush urdhëroi: Mjaft! Pushuan, u ngopën. Ngrita kokën dhe pashë te këmbët e mia sadistin, xhelatin Mete Shyti, fytyra e tij e zezë rrezatonte kënaqësi, bashkë me Përparim Ballën. Gjithçka kishte ndodhur nën dirigjimin e të dyve, por kryesisht të Mete Shyti Tragjasit. Metja ishte ngopur, këtë kënaqësi ia kishte shfaqur dhe Lek Sokolit, e ngopa shpirtin me Mit’hat Havarin.

Dhuna e tyre ishte çnjerëzore, por burri nuk tregon dhunën që është ushtruar mbi të kur bën një turp, ndërsa dhuna ndaj meje kishte tjetër karakter, ndaj po e tregoj me shumë dinjitet.

Më rrëmbyen për krahësh disa ”SS” gestapoje dhe më ngjitën në shkallët e drejtorisë. Aty u shkëmbeva me shefin e gestapos së asaj nate të kobshme, Fatmir Bedulla.

-Hë Mit’hat i “Turizmit”, erdhe?

Më more ti- i thashë, por do t’i paguash të gjitha Fatmir Bedulla.

Ai turfulloi dhe u largua. Ky monstër nuk e kishte hallin se unë e pija kafen në “Turizëm”, se me xhepin tim e pija, por kisha guxuar të futesha në strofullën e tyre, në pronën e tyre, aty ku ai rrinte me një “lolo” të urryer për ne, që sot është instaluar te Partia Demokratike dhe vazhdon të bëjë biografinë time dhe demokratëve të tjerë, sigurisht duke marrë direktiva nga “eprori” i tij i vjetër. Pas pak u gjenda në zyrën e hetuesisë. Hetuesi quhej Ilia Bano.

Ai më mori në pyetje me duar të lidhura te karrigia e çimentuar. Ndërsa po më pyeste, futet Nazmi Qerreti brenda, ish zv.kryetar i Degës së Brendshme Elbasan dhe mbulonte Sigurimin e Shtetit. Nazmiu iu drejtua hetuesit: Ilia, ky është Mit’hat Havari, ky nuk është nga ata që djeg e thyen, ky është “armiku” ynë i vjetër dhe kërkon të na marrë pushtetin, por do t’i rruajë b…

I kërkova hetuesit ta largonte Qerretin dhe ai e largoi. Ilia vazhdoi rreth dy orë hetim, ishte gjakftohtë si gjarpri, nuk më bëri presion fizik dhe as psikik, por urdhrin e Ramiz Alisë e zbatoi me konsekuencë, më dha plot 25 vjet burg.

Shpëtova nga pushkatimi- i thashë vetes, pasi një oficer shtatshkurtër me mustaqe aty poshtë te lëmi i gjakut më tha: “Ah mor qyqi ti, do të hash 4 kuintalë dhe sipër”. E kini matur dhe sasinë e dheut?- ia ktheva.

E kërkova atë fytyrë pas rënies së diktaturës, por nuk e gjeta, ndoshta kishte hequr mustaqet. Mbas hetimit disaorësh, më transferuan në një qeli të errët. Vinte erë e rëndë, dëgjoheshin rënkimet e demonstruesve nga të rrahurat.

***

Brenda javës u zhvillua gjyqi me dyer të mbyllura. Ishte një gjyq i montuar, një gjyq farsë. Trupi gjykues ishte ushtarak. “Ustallarët” ishin kujdesur që të merrja dënim kapital. Në sallë kishte vetëm policë, jo familja. Ma kishin frikën “trimat” e “xha Jahos”, se do t’i diskretitoja publikisht. Prokurori ushtarak, Vasil Dode, kërkoi 25 vjet burg, ndërsa gjykatësi ushtarak nga Shkodra, Artan Gjylbegu dha pretencën 16 vjet burg.

Iu drejtova pinjollit shkodran: Unë nuk do të bëj 16 ditë dhe jo 16 vjet! S’kisha gabuar në logjikën time, isha i qartë politikisht, e dija që lirinë e kisha te këmbët. Apelova në Gjykatën e Lartë, kësaj gjykate iu bë presion nga faktorë ndërkombëtarë si Lordi britanik, Nicholas Bethwll, mik i Shqipërisë, autor i librit “Big Bitrade” (Tradhtia e madhe) dhe nga Partia Demokratike.

Në datë 10 prill 1991, fitova lirinë me pafajësi të plotë, duke më shkarkuar akuzën e rëndë të “diversionit”, një “armë” kjo në duart e kundërshtarëve të mi “demokratë”, të cilët nuk kanë munguar në vitet e pasdiktaturës. U prish vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë dhe më 10 prill 1991 mora pafajësinë e plotë. Mora pafajësinë brenda regjimit të tyre, ç’ka i ngarkon me përgjegjësi ligjore të gjithë shkaktarët e kësaj maskarade antinjerëzore, e cila rëndoi mbi personin tim.

Por ai 4 muaj burg ia vlejti për lirinë, për demokracinë e ëndërruar që në krye të herës, që veç ashtu mund ta shijoja e jo të ma dhuronin. Fëmijët e mi janë krenarë, ata nuk i detyrohen kujt. Gjënë më të shenjtë, Lirinë, ua solli babai i tyre!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura