Kuzhinieri Hysen Selmani: Ja cilat ishin gatimet që preferonte udhëheqja, si kontrolloheshin ushqimet

Nov 10, 2018 | 11:39
SHPËRNDAJE
Hysni Kapo, Enver Hoxha, Mehmet Shehu and Ramiz Alia (far right). Gani Xhengo
Hysni Kapo, Enver Hoxha, Mehmet Shehu and Ramiz Alia (far right).
Gani Xhengo

Historia e Hotelit të Gjuetisë është e pandarë dhe me Hysen Selmanin, njeriun legjendar të kuzhinës, ai që u ka gatuar të gjithëve. Nga fotot e kohës, kur e takon sot, pak ka ndryshuar. Ruan të njëjtën strukturë fizike dhe të angazhuar e gjen, ndërsa organizon punën e shërbimin në një restorant gjigant e të frekuentuar në atë zonë.

Si u lidhët me këtë profesion?

Dikur, gjatë shërbimit ushtarak në Gjirokastër, e pata ushtruar, por pas përfundimit dhe kthimit në Lezhë, bëra një specializim në Gjermani dhe punova disa kohë në Hotel Dajti me mjeshtrin Jorgo Kostari.

Hysen Selmani1Keni kaluar një jetë në këtë hotel…

E kam bërë çdo ditë, shkoja e vija në këmbë, as një kilometër nuk e kisha larg shtëpisë. Por edhe kur më thërrisnin në 12:00 të natës. Në hotel kishim një dhomë për personelin e kur na zinte nata flinim këtu. Si shef kuzhine, kisha një rrogë 6.800 lekë. Një jetë e kaluar në këtë hotel bashkë me Marien e Martinin, si dhe personelin e paharruar

Ju i keni gatuar ish-udhëheqjes komuniste, çfarë hanin ata në një kohë që në Shqipëri ishte një krizë e theksuar ushqimi?

Prodhimet e detit, që i merrnim të freskëta nga peshkatarët, levrekun, fileto të mbushur, të pjekur, bashkë me ato të gjuetisë që ata i sillnin vetë. Ua përgatisja duke ua gatuar në një furrë druri me zgarë. Kujtoj se karkaleci ishte i panjohur për kohën dhe qeveritarë e klientë nuk ishin mësuar me të. Erdhën disa arbëreshë për të realizuar një film këtu, që na treguan si përgatitej. Pëlqenin supën e peshkut, dhe kur vinte Haxhi Lleshi, na pyeste gjithmonë: Si e keni bërë. Preferonin verën “Kallmet”, që ishte disavjeçare, të cilën e ruanim vetëm për ta. Enveri nuk pinte, të tjerët po.

A kontrollohej ushqimi i tyre?

Ne kishim një automjet “Zuk” që çdo ditë shkonte në Tiranë dhe merrte furnizim në Hotel Dajti. Në rastet kur vinte Enver Hoxha, Mehmet Shehu apo Kadri Hazbiu bëhej një kontroll formal, sepse ata sillnin kuzhinierët e tyre, mjekun, shoqëruesit dhe oficerët nga Drejtoria e Pritjes.

Përse, kishte ndonjë dyshim?

Në një rast, Rita Marko doli për të gjuajtur, ishte dëborë dhe rrëshqiti në një kanal me ujë, u lag dhe e dërguan në Tiranë. Të nesërmen, vjen oficeri i tij duke më pyetur se “çfarë ka ngrënë, ishte i freskët ushqimi”?

Hysen Selmani11I keni gatuar edhe Shtrausit?

Po, është e vërtetë. Ai vinte nga Mali i Zi dhe shoqëruesit i rekomanduan hotelin tonë si vendqëndrim për të fjetur. I kemi gatuar një derr të egër, që i pëlqeu shumë. Duke qenë se segmenti i rrugës te stadiumi nga do të kalonte për t’u larguar ishte i dëmtuar, për gjithë natën e kanë shtruar me asfalt dhe për shumë kohë, ajo pjesë nga populli quhej ‘rruga e Shtrausit’. Pas ’90-s, bashkia i vuri zyrtarisht emrin e tij, “Rruga Shtraus”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura