KUZHINE/ Të gjitha biskotat e festës

Dec 17, 2015 | 10:00
SHPËRNDAJE

Këto ditë, një nga gjërat më të mira që mund të bëni në shtëpi janë biskotat. Jo vetëm sepse do t’ju shijojnë më shumë se cilado biskota që mund të blini, por edhe sepse në pjekje e pas saj, shtëpia nuk mund të marrë aromë më të mirë.

Janë fare të thjeshta dhe nuk kërkojnë as shumë punë e as shumë përbërës. Përfshini edhe fëmijët në këtë proces dhe mbusheni shtëpinë me dashuri :)

Biskotat me xhinxher

zenzero_980x571

Përbërësit: 350 gr miell; 150 gr mjaltë; 2 lugë pluhur xhinxheri; Karafil; 150 gr sheqer pluhur; 1 vezë; Një lugë kafe kanellë; Pak kripë; 150 gr gjalpë; 1 lugë kafe sodë buke; Një majë luge arrëmyshk

Përgatitja: Biskotat me xhinxher janë tipike të festave. Madje nuk përdoren vetëm për t’u konsumuar, por edhe për të dekoruar pemën. Formën mund t’ia jepni si të doni. Në një enë bashkoni miellin dhe të gjithë përbërësit e tjerë në pluhur, përveç sheqerit, që do ta bashkoni me gjalpin dhe vezën, në një tjetër enë.

Në fund, do të shtoni mjaltin. Pasi të keni punuar masën me vezën, do t’ia shtoni enës ku keni miellin. Formoni një masë kompakte brumi dhe mbështilleni me qesen e kuzhinës. Lëreni në frigorifer të pushojë për disa orë. E mira është që ta përgatisni brumin një ditë përpara dhe të nesërmen të piqni biskotat.

Pasi ta nxirrni nga frigoriferi, duhet ta lini në temperaturë ambienti, në mënyrë që të mos keni vështirësi në hapjen e petës. Sidoqoftë, duhet të përdorni edhe miellin për të hapur petën. Trashësia e petës duhet të jetë rreth 5mm. Pasi ta keni hapur në banak, vendosni aty format dhe hiqni brumin për ta vënë në tavë.

Duhet të piqen në furrën e parangrohur në 180 gradë për 8-10 minuta. Gjithsesi, bëni kujdes me pjekjen pasi furrat nuk janë asnjëherë njësoj. Lërini të ftohen dhe nëse keni dëshirë, mund t’i dekoroni me një masë të përgatitur me sheqer pluhur, 1 të bardhë veze dhe ngjyrues artificial.

Rriheni të bardhën fortë dhe gradualisht shtojini sheqerin pluhur. Ndajeni në pjesë dhe në secilën shtoni ngjyrën që dëshironi. Faza përfundimtare, i takon edhe ca fantazisë suaj, e sigurt është që nuk do të teprojë asnjë biskotë.

Topthat e borës

biscottinatalepalledineve

Përbërësit: 100 gr gjalpë; 100 gr bajame të grira; 75 gr sheqer pluhur; Një majë luge pluhur vanilje; 150 gr miell; Lëkurën e grirë të një portokalli

Përgatitja: Punoni gjalpin në temperaturë ambienti me sheqerin. Nëse nevojitet, gjalpin mund ta ngrohni pak, që ta keni më të thjeshtë punën. Shtoni gradualisht përbërësit e tjerë.

Punoni brumin jo shumë të fortë, mbështilleni me qese kuzhine dhe lëreni të pushojë për të paktën gjysmë ore. Krijoni më pas me të toptha të vegjël, të cilët do t’i piqni për 10 minuta (kontrolli është më i sigurt) në furrën e parangrohur në 180 gradë. Lërini të ftohen dhe zhytini në pluhurin e sheqerit.

Biskota me pana dhe mjaltë

Biscotti_natale_alla_panna_e_miele1-280x420

Përbërësit: 500 gr miell; 200 gr gjalpë; 1 bustin vanilje; 1 lugë mjaltë; Pak kripë; 1 vezë; Lëkurën e grirë të një portokalli; 150 gr sheqer pluhur; 1 bustin maja; Pana të freskët; 50 gr miell misri

Përgatitja: Shkrini plotësisht sheqerin dhe shtojini të gjithë përbërësit e tjerë, me përjashtim të panës. Pas përzierjes së pari, nisni të shtoni pak nga pak edhe panën, deri sa masa të rezultojë homogjene. Punoni deri sa të përftoni brumin dhe lëreni të pushojë për 30 minuta.

Me të kaluar koha, hapni një petë të madhe dhe pritini biskotat sipas fantazisë, me thikë ose me ndihmën e formave të biskotave festive. Kalojini në tavë, mbi letër pjekjeje dhe futini në furrë, ku do t’i lini për rreth 20 minuta. Lërini të ftohen dhe dekorojini me sheqer pluhur.

Biskota me brumë sheqeri

biscotti-natalizi-chic-in-bianco-grigio-e-rosa

Përbërësit: 150 gr miell; 75 gr sheqer; 1 vezë; 60 gr gjalpë; Brumë sheqeri (i gatshëm); Ngjyrues ushqimorë; Mjaltë

Përgatitja: Bashkoni miellin, sheqerin, gjalpin e butë dhe vezën. Punojeni brumin dhe lëreni të pushojë për gjysmë ore. Hapni më pas me të një petë dhe formoni biskotat sipas dëshirës. Piqini për pak minuta.

Pasi të ftohen, në secilën vendosni pak mjaltë në mënyrë që të ngjisë brumi i sheqerit. Hapeni këtë të fundit dhe formoni të njëjtat forma, si të biskotave, për t’ua shtuar sipër. Mund ta dekoroni secilën sipas fantazisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura