Kuvendi voton më 16 maj kreun e shtetit, Berisha: President jopolitik, të përfshihet e gjithë opozita! Boçi dhe Bylykbashi, negociatorët e Komisionit të Rithemelimit

May 11, 2022 | 8:13
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Komisioni i Rithemelimit mandatoi dje Luçiano Boçin dhe Ored Bylykbashin si negociatorë të PD-së për të hyrë në bisedime me partitë opozitare për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Ish-lideri demokrat Sali Berisha pasi konfirmoi emrat e dy negociatorëve, pas mbledhjes së Komisionit të Rithemelimit apeloi për një proces gjithëpërfshirës drejt një figure politike në krye të presidencës.

“Boçi dhe Bylykbashi janë negociatorët e caktuar nga Komisioni i Rithemelimit për të negociuar me partitë opozitare në emër të Partisë Demokratike. Të përfshihet i gjithë spektri opozitar”, deklaroi Berisha.

ish-Kryeministri e cilësoi procesin e zgjedhjes së Presidentit si një proces familjar të Kryeministrit Rama. Berisha u shpreh se nuk ka ndodhur kurrë në histori që Kryeministri dhe gruaja e tij të jenë pjesë e procesit të zgjedhjes së Presidentit.

Sipas Berishës bashkëshortja e kryeministrit propozohet si kandidate për presidente nga analisti Baton Haxhiu, ndërkohë që vetë Rama u thotë deputetëve të PS-së se ai është kandidati më i propozuar për President.

“Të imagjinosh një President jo politik është absurditet. Se posti i presidentit është politik, përfaqësues dhe politik. Çdo kriter kundër këtij kriteri është i gabuar, i stisur dhe non sens. Oerd Bylykbashi dhe Luçiano Boçi janë deleguar që të negociojnë me aleatët e PD-së përfshirë këtu edhe LSI lidhur me çështjen e presidentit. Ju e keni vënë re se si procesi më i rëndësishëm u katandis në proces familjar. Në një anë Baton Staniqishi, thotë si Linda Basha s’ka kandidat tjetër. Ka ndodhur vetëm një herë në Argjentinë, por ka pasur ngjarje tragjike mbrapa, s’po i hyj asaj pune. Nga ana tjetër, Edi Rama thotë se emri im është më i propozuari, por nëse e kanë propozuar apo jo s’e marrim kurrë vesh. Alibeaj është ministër virtual i Ramës”, tha Berisha.

DENONCIMI

Ish-Kryeministri Sali Berisha denoncoi dje se vendimi i qeverisë për të hequr sportelet dhe për t’i marrë shërbimet në “e-Albania” është një taksë e re për qytetarët. Sipas tij, sot qytetarët paguajnë 10 euro për të marrë certifikatën në “e-albania”, pasi detyrohen që të paguajnë në kancelari.

“Dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë që nuk kanë internet në shtëpi, nuk kanë ‘smartphone’. Detyrojnë të shkojnë në zyra për të tërhequr dokumentet. Nëse përpara paguanin 5 euro certifikatën, sot nga ‘e-Albania’ paguajnë 10 euro. Kjo është e pandershme. Projekti i inauguruar në pranverën e vitit 2013 me katër shërbime ‘e-Albania’ u kompletua pas 9 vitesh me ritme breshke. Sot qytetarët që nuk kanë internet në shtëpi detyrohen të paguajnë në kancelari 10 euro.

Kjo është një taksë absurde ndaj shqiptarëve. Dje kam denoncuar se një qytetar nga Saranda më informonte se certifikatat e nxjerra nga ‘e-Albania’ nuk pranohen në zyrat konsullore. Dokumentet që dalin prej saj janë pa vulë dhe firmë. Një nxitim i madh pas 9 vitesh dështim, ‘e-Albania’ e ndërtuar me një kompani italiane fillon instalimin e shërbimeve në të. Duhet të ishte kompletuar të paktën në fund të vitit 2014. Jemi në vitin 2022 dhe ajo nuk është funksionale”, deklaroi Berisha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura