“Kuvendi mblidhet me propozim të kryetarit”- Azgan Haklaj kundër lëvizjes së Berishës: Përpjekja për rrëmbimin e PD, grusht shteti. Ja thirrja për demokratët

Oct 26, 2021 | 20:52
SHPËRNDAJE

Ish-kryetari i PD-së në Tropojë, Azgan Haklaj, ka ftuar demokratët që të mbrojnë statutin e partisë, duke u shprehur kundër mbledhjes së Kuvendit nga Sali Berisha.

haklaj

Haklaj thekson se “Berisha e humbi betejën me historinë pa lavdi e me anë të një lëvizje të re nuk mund ta rishkruaj më”.

Çdo përpjekje për rrëmbimin e PD-së e pushtimin e institucionit të opozitës për ta mbajtur peng e bunkerizuar atë për hallet e Berishës e familjes së tij cenon sigurinë kombëtare dhe është mirëfilltasi grusht shteti, por nuk do të ndodhë kurrë”, shprehet ai në një postim në rrjetet sociale.

Kujtojmë që ish-kryeministri Sali Berisha do të shpallë këtë javë datën për mbledhjen e Kuvendit të PD-së, ndërkohë që kryedemokrati Basha është shprehur se nuk do të lejojë zhvillimin e tij.

Deklarata e Azgan Haklajt:

Takim i përzemërt me z Lulzim Basha.

Ftoj të gjithë demokratët e Shqipërisë për respektimin e institucionit të votës plebishitare me anë të cilit kanë zgjedhur z Basha dhe mbrojtjen e statutit të Partisë Demokratike që delegatët e kuvendit kombëtarë vetë kanë votuar. Kuvendin Kombëtar e mbledh kryesia dhe keshilli kombëtar me propozim të kryetarit është e shkruar në kushtetutën e partisë.

Edhe sikur të gjithë delegatët të firmosin formularët nuk e thërrasin dot kuvendin.

Statuti e zgjidh proçedurën qartë, ngarkon institucionet e partisë të zgjedhur me votë për thirrjen e kuvendit dhe kur thirret ai.

Zgjedhjet kanë mbaruar.

Lavizjes çartiste të z Berisha po i vjen fundi.

Endrra për rithemelimin e PD-së do mbetet utopi.

Berisha e humbi betejën me historinë pa lavdi e me anë të një levizje të re nuk mund ta rishkruaj më.

Demokracia ka dy shtylla pozitën dhe opozitën.

Partia Demokratike ka zgjedhur organet e saj dhe miratuar statutin nëpërmjet votës së lirë në mënyrë të pakontestueshme.

Berisha po keqpërdor militantët e Partisë Demokratike të Shqipërisë për utilitarizmin personal dhe të familjes së tij duke i bërë karshillek aleatit tradicional të shqiptarëve SHBA.

Çdo përpjekje për rrëmbimin e PD-së e pushtimin e institucionit të opozitës për ta mbajtur peng e bunkerizuar atë për hallet e Berishës e familjes së tij cenon sigurinë kombëtare dhe është mirëfilltasi grusht shteti, por nuk do të ndodhë kurrë.

Statutet e partive janë konform kushtetutës.

Demokratë të Shqipërisë absolutizmi i patriarkut Berisha ka vdekur.

Berisha po përdor me skolastikën e tij dumbabistët si vullnetarët e Enver Hoxhës dhe po barazon vetë berishizmin me enverizmin.

Epilogu i berishizmit është fundi i autokratizmit dhe mbyllja e tranzicionit të gjatë dhe prologu i një epoke të re.

Vajatoret të vazhdojnë kujen dhe dollibashët të mbysin trishtimin me ballë kazani.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura