Kuvendi kalon ‘Korporatën e Investimeve’ me ndryshime. Ahmetaj: U reflektuan rekomandimet e FMN dhe KE

Oct 8, 2019 | 14:38
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi dje nen për nen ligjin “Për Korporatën e Investimeve”. Ligji u miratua me ndryshimet propozuara nga Komisioni Europian dhe FMN-ja. Megjithatë, deputetët e opozitës së re ishin kundër këtij projektligji.

Ahmetaj, komisioni i Ekonomise

Deputeti Artur Roshi akuzoi maxhorancën se ky ligj është një formë skeme piramidale.

Artur Roshi: Për sa i përket bashkëpunimit të korporatës me privatin, mos kemi modelin e PPP-ve me përmasa më të vogla këtu?

Elton Haxhi: Bashkëpunimi nuk është në modelin e PPP-ve. Për një projekt të caktuar do bëhet studimi i fizibilitetit, do dali nevoja e financimit dhe secili partner në raport me kontributin që do të japë, do të marrë edhe fitimin.

Artur Roshi: Ku ndryshon PPP-ja me partneritetin ndërmarrje shtetërore me privatin?

Elton Haxhi: Në rastin që po flasim, të ndërmarrjeve për qëllime të veçanta, është një partneritet si gjithë të tjerët. Nuk ka një transferim rrisqesh nga njëra palë te tjetra.

Arben Ahmetaj: Projekti i një zone ekonomike krijon me palët e treta një entitet të ri, pra nuk ka transferime risku tek shteti. Është një ndërmarrje me të drejtë private, pavarësisht kapitalit. Pavarësisht se ka kapital shtetëror, do funksionojë si privat.

Artur Roshi: Një nga qëllimet e kësaj korporate, thuhet në relacion, është që të marrë përsipër rrisqet ose pamundësitë e hartimit të projekteve të privatëve. Pra, ç’është kjo ndërmarrje shtetërore që merr përsipër rrisqet e privatit. Logjika është fare e thjeshtë, se kemi të bëjmë me një lloj PPP-je të minimizuar. Më tej thuhet kemi iniciativa të privatëve për të zhvilluar prona të ndryshme shtetërore. Pra, këto mos janë kërkesat ose ofertat e pakërkuara, po për prona më të vogla. Kjo do të thotë që këtu, përveç PPP-ve që kanë zaptuar këtë pjesën kryesore të ekonomisë, kemi dhe këto të voglat. Nëse kjo korporatë falimenton, e kujt është përgjegjësia?

Arben Ahmetaj: Nëse falimenton korporata, buxhetit të shtetit nuk i kalon asnjë detyrim. Por normal, do të ketë përgjegjësi shteti nëse falimenton. Në mbledhjen e Komisionit ditën e djeshme u vërejt se ende nuk është përgatitur lista e pronave shtetërore, që do t’i kalojnë Korporatës së Investimeve. Pavarësisht këmbënguljes së deputetëve të opozitës së re, zëvendësministri Harxhi tha se ende nuk është hartuar lista, por përmendi disa shembuj se cilat prona mund të përdoren nga Korporata e Investimeve. “Ende nuk ka një listë të saktë për pronat që do të jenë kapital i Korporatës së Investimeve, por unë mund t’ju them si shembull që ndonjë port i vjetër i braktisur në bregdetin shqiptar mund të jetë në listë, ose ndonjë pronë në bregdetin shqiptar që nuk ka pasur interes për t’u zhvilluar, për shkak të mungesës së infrastrukturës”, tha zëvendësministri Harxhi. Ndërkohë, projektligji pritet të kalojë në Parlament.

NDRYSHIMET E PËSUARA NË PROJEKTLIGJIN E “KORPORATËS”

Në nenin 3, në pikën 1, shkronja f, është ndryshuar: Ishte “Përgjegjësia ndaj palëve të interesuara dhe partnerëve” dhe është bërë “Respektimi i parimit të konkurrencës së lirë dhe efektive në procedura dhe treg në përputhje me kuadrin ligjor mbi konkurrencën dhe ndihmën shtetërore.

Në nenin 4 është hequr pika 4, ku thuhej: Korporata vepron në përmbushjen e qëllimeve të saja bazuar në parimet e përcaktuara në këtë ligj, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe statusin e saj.

Neni 5 është spostuar dhe është bërë neni 6 dhe ka pësuar ndryshime. Ishte “Kontributi fillestar nga buxheti i shtetit shërben si kapital fillestar i Korporatës” dhe bëhet “Korporata mund të financohet nga: Buxheti i shtetit për kapitalizmin e saj, kontributi i institucioneve financiare ndërkombëtare, të ardhurat e përfituara nga aktivitetet e saj dhe shërbimet etj.”.

Neni 12 është bërë neni 9 dhe është riformuluar duke marrë parasysh rekomandimet e KE: Për marrjen e licencave/lejeve, pas dorëzimit të dokumentacionit nga Korporata, institucionet/ entet/autoritetet publike brenda 15 ditëve pune kthejnë përgjigje mbi kërkesën për miratim të licencave/lejeve sipas legjislacionit në fuqi. Përjashtimisht, për shkaqe të arsyeshme që lidhen me kompleksitetin e licencave, afati shtyhet vetëm një herë, për periudhën kohore prej 30 ditë pune.

Neni 13 bëhet neni 10 dhe riformulohet: 1. Për kontratat publike, të cilat financohen plotësisht nga një organizatë ndërkombëtare apo një institucion financiar ndërkombëtar, zbatohen rregullat e prokurimit që parashikohen nga kjo organizatë ose institucion. Në rastin e kontratave publike, që bashkëfinancohen në shumicën e tyre nga një organizatë ndërkombëtare ose një institucion financiar ndërkombëtar, palët bien dakord për procedurat e zbatueshme të prokurimit.

2. Për kontratat publike, të cilat financohen nga buxheti i shtetit, zbatohen dispozitat e ligjit për prokurimet publike në fuqi. Neni 23 është bërë neni 20 dhe në pikën tre është specifikuar se: Kontrolli i Lartë i Shtetit kryen auditimin e përdorimit, administrimit të fondeve dhe pronës publike apo shtetërore, si dhe mbrojtjen e interesave ekonomike dhe financiare të shtetit në përputhje me ligjin nr.154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura